Interi ndëshkon Udinezen, Palasio udhëheqësi i ekipit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 4, 2013 | 14:03

Interi ndëshkon Udinezen, Palasio udhëheqësi i ekipit

PalasioMbaroi muaji i tersit për Valter Maxarrin dhe Interi rikthehet që të mos pësojë gola në ndeshje dhe të fitojë në transfertë. Zikaltrit nuk arrinin që të triumfonin jashtë që nga 22 shtatori i kaluar, kur mundën 0-7 Sasuolon. Milanezët triumfuan ndaj Udinezes 0-3, në një ndeshje ku vendosën autoritetin e tyre dhe nuk u vunë në vështirësi. Kishte ndodhur katër herë këtë vit, por në Udine goli i Palasios në minutën e 25-të vetëm shtoi dëshirën zikaltër dhe Ranokia pas 4 minutash mbylli takimin. Suksesin e kompleton Alvarez në minutën e fundit të lojës me golin e shënuar, si dhe rikthimi në stol i kapitenit Havier Zaneti. Ky i fundit mori duartrokitjet e gjithë stadiumit. Gjërat negative në përfundim janë dëmtimet e Samuelit, Xhonathanit e Ranokias dhe kartoni i verdhë i Huan Hesusit, që do mungojë në sfidën e radhës ndaj Livornos.
Zgjedhjet – Guidolin preferon Naldon dhe Heurtauksin, në të djathtë vendos Uidmerin në vend të të dëmtuarit Basta, me Pereiran në shpatulla të Murielit dhe të Di Natales. Maxarri i beson sërish Ranokias, i cili luan në të djathtë në vend të Rolandos, në mbrojtjen me tre lojtarë e kompletuar nga Samueli dhe Huan Hesusi. Guarini, Alvarezi dhe Taideri janë në mesfushë.
Pjesa e parë – E nis më mirë Interi, që arrin t’i bëjë presion Udinezes, që vuan të gjejë kohën dhe të pozicionohet siç duhet. Kambiaso ka pak hapësira, por është busull dhe magnet për çdo top. Uidmer dhe Gabriel Silva lodhen për të mbajtur Nagatomon dhe Xhonathanin. Rasti i parë për miqtë do të vinte në minutën e 17-të, kur Alvarezi merr pasimin e Palasios, por e djathta e tij kapet nga mbrojtësi Naldo. Kambiaso me të majtën vë në provë gardianin Brkiç, kurse Nagatomo shpërdoron një asist të Xhonathanit. Goli do të vijë në të 25-ën minutë, kur Palasio kap në kundërkohë Gabriel Silvën në goditjen e dënimit të Taiderit. Miqtë kanë mësuar nga gabimet dhe nuk tërhiqen pas kalimit në avantazh. Madje e dyfishojnë rezultatin 4 minuta më pas, me një të djathtë fluturimthi të Ranokias, pas goditjes së këndit të Kambiasos. Ekipi i Udinezes duket i fuqishëm, mesfusha e ka të vështirë që të ndërtojë dhe rasti i vetëm vjen nga Murieli, që gabon në finalizim.
Pjesa e dytë – Udineze tenton që të ndryshojë dhe i afrohet golit në pjesën e dytë, por Handanoviçi arrin që të kapë gjuajtjen e Di Natales. Sulmuesi veteran detyrohet më pas të dalë në të 11-ën minutë, si pasojë e një problemi muskulor. Në të njëjtën kohë, edhe Pereira i lë vendin Fernandezit për vendësit. Zikaltrit i afrohen golit të tretë me anë të Guarinit në minutën e 61-të, që godet shtyllën. Në vazhdim ekipi i Maxarrit lodhet disi në përpjekje për të dalë përpara, çka u jep kurajë vendësve. Guidolini e kupton që është momenti i Lopezit, por befason duke hequr nga loja Murielin. Gjithsesi Interi fitoren e ka të sigurt dhe kontrollon lojën. Ka edhe një gol në fund, me Palasion që jep një tjetër asist të transformuar në gol nga Riki Alvarez.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"