Interi, katastrofë në “San Siro”. E mund Kaljari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 30, 2014 | 8:59

Interi, katastrofë në “San Siro”. E mund Kaljari

Interi-KaljariPër tifozët e Interit, shfaqja e djeshme në “San Siro” është nga ato që të hidhërojnë. Sa herë që prej Interit pritet hapi i madh në kualitet, ndodh që skuadra të humbë mes brishtësisë psikologjike dhe mediokritet teknik. Në fakt, Interi post “triplete” gjithmonë ka pasur një mangësi të madhe: Për asnjë moment nuk ka treguar vazhdimësi. Në sytë e Tohirit zikaltrit u gjunjëzuan përballë Kaljarit të Zemanit, që deri më tani kishte qenë një dështim i madh. I tillë u është dukur edhe tifozëve të Interit skuadra e tyre kur e vërshëllyen tej mase…
Zgjedhjet teknike – Formacionit që iu desh të mbronte ngjyrat zikaltër në “Meazza” bëri pa Ranokian dhe Ikardin. Të dy këta futbollistë vuanin nga probleme të vogla fizike dhe Maxarri preferoi që t’i zëvendësonte respektivisht me Andreolin dhe Palasion. Ndërkohë që, nga ana tjetër, Zemani zgjodhi që të “shkërmoqte” mbrojtjen kundërshtare me “tredhëmbëshin” e formuar nga Ibarbo, Kosu dhe Sau. Bohemi madje kishte vendosur të bënte rokadë edhe te mbrojtësit anësorë, ku Balcano e Avelar i zunë vendin Pizanos dhe Murrusë. Ndërkohë që Konti u zëvendësua nga Krisetig, i cili, ashtu si Longo, është formuar në akademinë e Interit.
Në malore – Zikaltrit e nisën lojën shumë keq, duke rrezikuar që të pësonin gol që në minutën e 6-të. Kosu goditi sferën që u frenua në kohë nga Andreoli. Mirëpo katër minuta më vonë mbrojtësi i ri i Interit nuk mund të bënte asgjë për t’i shpëtuar të tijtë. Një top i ardhur në hyrje të zonës së Interit, aty ku Nagatomo pa dashje në tentativë për t’ia hequr sferën Kosut, “aktivizoi” Saun, duke i dhënë kështu mundësinë që të shtangte me një goditje të shpejt Handanoviçin.
Dinak dhe naiv – Pas rrjetës së pësuar Interi do të gjente me shumë vështirësi barazimin. Në të 18-n minutë Palasio u tregua shumë dinak, pasi ekzekutoi menjëherë një goditje dënimi që fitoi në hyrje të zonës kundërshtare. Vendimi i argjentinasit gjeti të papërgatitur mbrojtjen sarde, që nuk mbuloi Osvaldon, i cili, nga ana e tij, shënoi golin e radhës për zikaltrit. Në minutën e 27- të Nagatomo mori të verdhin e dytë (të parin e kishte marrë dy minuta më parë) për një faull të panevojshëm në mesin e fushës. Aty pasditja e Interit u komplikua tërësisht dhe Maxarri më kot u mundua që të ndryshonte skemë (kaloi në 4-3-2) duke tërhequr Dodonë në mbrojtje dhe kaluar në krah të mesfushës Kovaçiçin. Goditja psikologjike ishte e rëndë për Interin, që pësoi edhe golin e dytë. Desena goditi topin në zonë dhe Handanoviç e risolli sërish sferën, aty ku Sau e ruajti për Ekdalin, i cili nga dy hapa nuk u mundua shumë për të shënuar. Pas disa çastesh Interi pati mundësi të shënonte me Palasion, që provoi se portieri mik ishte në lartësinë e duhur. Ibarbo në të 34-n gjunjëzoi Dodonë e Medelin dhe futi topin në zemër të mbrojtjes së Interit, ku ishte Ekdal, i cili shënoi golin e tretë dhe të dytin personal. Mirëpo, për suedezin do të kishte ende kohë për të bërë historinë, pasi në fund të pjesës së parë shënoi golin e tretë personal (në 8 gola që ka shënuar në Serinë A, 4 ia ka bërë vetëm Interit). Para këtij episodi duhet përmendur edhe “perla” e radhës së Handanoviçit, që nga pika e bardhë i mohoi golin Kosut.
Mërzi – Pjesa e dytë ishte edhe më dëshpëruese për tifozët vendës, të cilët panë ekipin e tyre teksa vihej në vështirësi nga Kaljari, që me kundërsulmet e veta krijonte panik para zonës së Handanoviçit. Interistët të paktën iu kënaqën aftësive të Krisetig, që shfrytëzoi në maksimum gabimin e Maxarrit, që nuk i vuri askënd për ta markuar. Në fund tifozët vërshëllyen gjatë beniaminët e tyre, që ishin protagonistë të një pasditeje “horror”.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"