Interi jashtë Europës, por feston… Ikardin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 1, 2015 | 11:46

Interi jashtë Europës, por feston… Ikardin

interNuk mjaftoi për të shkuar në Ligën e Europës (për këtë do duhej që, përveç Xhenoas, UEFA t’i anulonte licencën edhe Sampdorias), por të paktën Interi përshëndet me fitore tifozërinë e tij dhe feston për titullin e golashënuesit të Mauro Ikardit. Mbase, edhe kaq mund t’u mjaftojë zikaltërve për të kapërdirë një sezon më shumë sesa të vështirë, ashtu sikurse ishte edhe sfida e fundit, e cila përfundoi në shifrat 4-3.

Tani, këto pushime të gjata duhet të shërbejnë jo vetëm për të medituar se ku duhet të ndryshohet dhe përmirësohet, por edhe se ku duhet të investohet, me të vetmin Mauro Ikardi që duket se vlen në këtë ekip, kryegolashënuesin e ri të Serisë A, i cili gjithsesi do t’i duhet të ndajë arritjen personale, me veteranin e Veronës, Luka Toni.

Empoli në gjumë – Edhe në sfidën e fundit, trajneri Sarri i beson mbrojtësit shqiptar Elseid Hysaj (titullar dhe gjatë gjithë lojës në fushë), por ai dhe shokët e tij duket se kanë ardhur pa shumë qejf për të luajtur në Milano, ndaj të gjithë fushën e lojës ia dhurojnë Interit, që përgjatë të gjithë pjesës së parë shpërdoron në mënyrë flagrante golin e avantazhit, dy herë me Palasion, i vetëm përballë Basit, ashtu sikurse Ikardi. Festival golash – Pjesa e dytë nis me një ritëm tjetër, ndonëse dallohet qartë që i gjithë Interi luan për të dërguar në gol Ikardin. Dhe teksa të gjithë presin nga ai me numër 9, është argjentinasi me numër 8 që zhbllokon sfidën, duke dërguar në rrjetë pas vetëm katër minutash pasimin e Ikardit.

Gjithsesi, me avantazhin edhe ky i fundit zgjohet, duke shënuar golin e parë personal të mbrëmjes, katër minuta pas avantazhit dhe tashmë ndien aromën e kryegolashënuesit, duke qenë se Luka Toni është vetëm një realizim larg. Dhe atëherë kur pritej që skuadra e Mançinit të shtonte presionin dhe të mbyllte ndeshjen, gafat defensive që nuk mungojnë kurrë te zikaltrit bëjnë shumë dëfryese sfidën, sepse brenda tre minutave (59′ e 62′, Empoli barazon, falë golave të Mçedlidzes dhe Puçiarelit.

Madje, blutë kanë mundësinë edhe të përmbysjes së madhe, por Handanoviç bën një magji ndaj Mçedlidzes, duke i dhënë kurajë Brozoviçit që me të majtën të rikthejë avantazhin, pas një stopimi të gabuar të Ikardit. Argjentinasi duket se ndien presionin e “Këpucës së Artë”, sepse zgjedh këmbën e gabuar për të dërguar në rrjetë një gol elementar, duke e devijuar sfer- ën jashtë, ndonëse do të korrigjonte gjithçka në të 77-tën, kur asisti i Hernanesit është i pamundur që të mos shfrytëzohet për gol. 4-2 për Interin, por kjo ndeshje duket se nuk do përfundonte kurrë, sepse Mçedlidze ngushton sërish diferencën në të 88-tën, duke djegur në dalje Handanoviçin, por tashmë është shumë vonë dhe festivali i golave mund të mbyllet edhe me kaq, me tifozët që mund të shfryjnë lirisht se: “më në fund ky sezon përfundoi!”

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"