Interi i frikshëm, pa mëshirë kundër Sasuolos

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 16, 2014 | 8:30

Interi i frikshëm, pa mëshirë kundër Sasuolos

InteriMesdita e djeshme ka qenë perfekte për Interin, ekzaktësisht si ajo e një viti më parë. Zikaltrit në ndeshjen e parë në “San Siro” kanë poshtëruar Sasuolon e Zazas dhe Berardit, duke e mundur me rezultatin 7-0. Protagonist në fushë ka qenë argjentinasi Mauro Ikardi, i cili realizoi 3 gola. Në festivalin e golave kanë marrë pjesë edhe Osvaldo me një dopietë, Kovaçiç dhe Guarin. Ndërsa nuk kanë shkëlqyer dy heronjtë e kombëtares italiane, Zaza (hija e vetvetes në fushë) dhe Berardi, ky i fundit është nxjerrë nga loja me karton të kuq, pasi goditi me bërryl mbrojtësin zikaltër Huan Hezus dhe për të pritet një skualifikim i gjatë.
Pjesa e parë – Valter Maxarri preferon Osvaldon si partner në sulm për Ikardin. Nga krahët ish-trajneri i Napolit i beson Nagatomos dhe Dodos, ndërsa debuton në “San Siro” edhe kiliani Medel. Në mbrojtje Vidiç (i skualifikuar) zëvendësohet nga Andreoli. Takimi fillon në mënyrën më të mirë të mundshme për Interin, që gjen menjëherë rrugën e golit. Kovaçiç shërben në zonë Ikardin, i cili në limitet e pozicionit jashtë loje zhbllokoi takimin që në minutën e 4-t. Sasuolo provoi të reagonte, por pa sukses, pasi janë sërish vendësit që në minutën e 23-të dyfishojnë rezultatin me anë të Kovaçiç, i cili feston dhe golin e tij të parë në Serinë A. 8 minuta pas golit të dytë është sërish Mauro Ikardi që lë firmën. Argjentinasi shërbehet nga Hernanes dhe godet në diagonale, duke mos i lënë shpëtim portierit të Sasuolos. Interi bind në sytë e ish-presidentit Masimo Morati, i rikthyer pas katër muajsh në stadium. Pjesa e parë nuk mbyllet me kaq, pasi në minutën e 43-të është Dodo, që “tallet” në fillim me Gazolën dhe më pas me Terranovën, por goditja e brazilianit pritet nga Konsilji, që më pas nuk arrin të evitojë golin e katërt për miqtë, pasi në zonë ndodhet Osvaldo, që e devijon sferën në rrjetë.
Pjesa e dytë – Di Françesko provon të shmangë turpërimin, duke hedhur në fushë ish-in e sfidës, Safir Taider, në vend të Misirolit, por muzika nuk ndryshon. Tetë minuta pas startit të pjesë së dytë të lojës Ikardi realizon golin e 5-të për Interin, të tretin personal, duke shfrytëzuar më së miri pasimin e Kovaçiç. Sasuolo humbet durimin dhe Berardi bie pre e nervozizmit, teksa godet me bërryl Huan Hezus dhe nxirret jashtë nga kryesori në minutën e 60-të. Maxarri më pas zëvendëson Kovaçiç (i duartrokitur), duke hedhur në vendin e tij Guarin. Ky i fundit futet në lojë me mentalitetin e duhur. Në minutën e 73-të Guarin futet në zonë, por nuk kërkon lavdinë personale dhe shërben Osvaldon, që realizon golin e 6-të. Mirëpo, një minutë më vonë kolumbiani me anë të një goditjeje fantastike shënon edhe golin e tij të parë personal dhe të 7-tin për zikaltrit.
I njëjti skenar – Për një skuadër si Sasuolo nuk është aspak e thjeshtë të përballet me një superfuqi si Interi. Mirëpo për trajnerin e tyre Eusebio Di Françesko, zikaltrit po kthehen në një makth të vërtetë. Bilanci i tre përballjeve mes Interit dhe Sasuolos është i pamëshirshëm për miqtë, që në tri sfida kanë pësuar 15 gola dhe nuk kanë shënuar asnjë. Ashtu siç ka ndodhur në ndeshjen e sezonit të kaluar, që u luajt në “Mapei Stadium”, Interi fiton 7-0, duke u konfirmuar si “macja e zezë” për skuadrën e Italisë veriore dhe të mendosh se presidenti i Sasuolos, Skuicin, është një tifoz i Milanit dhe natyrshëm që humbja i djeg më shumë…
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"