Interi “i çmendur” ringjallet me Palasion

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 4, 2013 | 14:16

Interi “i çmendur” ringjallet me Palasion

InterMund të thuhen shumë gjëra për Interin. Skuadra ndoshta është mbivlerësuar pas fitores në Torino ndaj Juventusit, por mund të themi dhe se krenaria është ajo e një skuadre të madhe. Disa lojtarë me cilësi individuale të ndryshojnë ndeshjen, Palasio është pa dyshim njëri prej tyre. Në Katania ekipi i drejtuar nga Andrea Stramaçoni fiton 3-2 pas një pjese të parë skandaloze. “Çelësi” i suksesit, pavarësisht vullnetit për të mos u dorëzuar deri në fund, është Rodrigo Palasio. Argjentinasi, pasi futet në pjesën e dytë, ndryshon në mënyrë radikale ndeshjen duke shërbyer asistin e golit të parë dhe më pas duke firmosur dygolëshin e tij, që në fund u dha fitoren zikaltërve. Katania mbart pishmanin e vetëm që nuk arriti ta mbyllte ndeshjen duke humbur një mundësi të pastër me sulmuesin Bergesio për golin e tretë. Andrea Stramaçoni, pa Ranokian, Kasanon, Militon, Samuelin dhe Nagatomon, aktivizon në krah Riki Alvarezin dhe Skeloton me Guarin, i cili mbështet në sulm Tomazo Rokin. Pikërisht ky i fundit tregohet lojtari me formën më të dobët te zikaltrit gjatë pjesës së parë të takimit.
Katania cinike – Sicilianët kanë dominuar plotësisht pjesën e parë të ndeshjes me Interin, e cila pothuajse ishte hija e vetvetes në fushë, ndërsa rezultati 2-0 pas 45 minutave mendohej se do ta çonte Stramaçonin drejt një disfate të rëndë dhe një shkarkimi të mundshëm. Takimi fillon menjëherë në malore për Interin, i cili që në minutën e 7-të kalon në disavantazh. Gabon Huan Hezus, i cili humbet topin në zonë dhe Bergesio nuk gabon duke e dërguar atë në rrjetë. Loja e zikaltërve është gjithmonë e njëjtë, e parashikueshme dhe me pak ide. Gjithashtu nuk mungojnë dhe gabimet, si në rastin e golit të dytë të Katanias, kur Markeze kërcen i lirë me kokë brenda zonës dhe gjen golin e dytë për skuadrën e tij. Pjesa e parë mbyllet 2-0 në favor të ekipit vendës, ndërsa gjatë të dytës Strama nuk e ka të vështirë ta kuptojë se ekipi i tij ka diçka që nuk shkon dhe kryen dy zëvendësime. Stanokiviç futet në vend të Kuzmanoviç, i cili luajti dje mbase 45 minutat më të këqija që kur ka ardhur tek Interi, dhe Palasio zë vendin e Rokit. Me fillimin e pjesës së dytë sulmuesi i Katanias, Bergesio, ka në këmbët e tij mundësinë më të mirë për t’i trefishuar shifrat, porse argjentinasi duket se hipnotizohet nga Handanoviç dhe humbet një rast të pastër për shënim. Më pas që nga ai moment duket se fillon një tjetër ndeshje. Palasio që në minutën e dytë të pjesës së parë i tregon Katanias se ai nuk është Roki. Vendësit gradualisht humbasin terren dhe Interi fiton besim. Ish-sulmuesi i Xhenoas në fillim shërben një asist të mrekullueshëm për Alvarez , i cili shkurton diferencën me një gjuajtje me kokë.
Përmbysja spektakolare – Katania “çoroditet” nga goli i Interit dhe vuan presionin asfiksues të zikaltërve. Anduhar bëhet dy herë hero, duke shmangur golin e barazimit. Në fillim ai që provoi ishte Skeloto dhe më pas Kambiaso. Por goli duket se është vetëm çështje minutash dhe në fund ashtu do të rezultonte: Interi më pas e gjen dy herë rrugën e rrjetës me anë të Super-Palasios, i cili i jep suksesin 3-2 skuadrës së tij në minutën e 92-të dhe praktikisht i shpëton vendin trajnerin Stramaçoni. Me fitoren e djeshme zikaltrit arrijnë në klasifikim Lacion dhe janë vetëm 1 pikë larg Milanit të vendit të tretë.
Përgatiti: LEAR MAÇI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"