Interi fërkon duart, Barça me 9 ndryshime. Ernesto Valverde mendohet që të…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 9, 2019 | 11:43

Interi fërkon duart, Barça me 9 ndryshime. Ernesto Valverde mendohet që të…

Triumfi kundër Borusias së Dortmundit i dha të drejtën Barcelonës që të bëjë çfarë të dojë me ndeshjen e fundit kundër Interit në “San Siro”. Është e vërtetë që në këtë grup luhen ende shanset për vendin e dytë, por në këtë pikë nuk përfshihen katalanasit, të cilët janë kryesues dhe mund t’i menaxhojnë forcat ashtu si duan. 

barcelona

Është e mundshme që Ernesto Valverde të mos e bëjë publike listën deri në momentin që skuadra do të niset për në Milano. Surprizat nuk mund të mungojnë, por logjikisht “Milingona” pritet t’u japë pushim disa futbollistëve, të cilët kanë shpenzuar shumë energji gjatë kësaj kohe dhe mund të mos i marrë fare me vete në “San Siro”.

Gazeta “AS” raporton se peshat e rënda, si Buskets, Mesi dhe Luis Suarez, mund të qëndrojnë pushim dhe mund të mos grumbullohen për këtë ndeshje. Barcelona ka përpara saj disa sfida shumë delikate dhe të rëndësishme në kampionat, prandaj lojtarët duhet t’i menaxhojnë forcat e tyre. Ekziston si mundësi edhe fakti që lojtarë, si Serxhi Roberto, Lengle, Pike dhe Rakitiç, ta shohin ndeshjen nga stoli, edhe pse mund të udhëtojnë për në Milano.

barcelona

Një vëmendje të veçantë meriton roli i mbrojtësve të krahut, ku Barcelona është në alarm total. Semedo nuk do të jetë i gatshëm për këtë sfidë, por edhe Alba nuk do të rrezikohet. 9 ndryshime – Ernesto Valverde pritet që t’u japë minuta futbollistëve që janë aktivizuar më pak në këtë sezon dhe Neto, Vague, Todibo, Umtiti, Alenja, Vidal dhe Karles Perez mund të jenë pjesë e formacionit titullar kundër Interit.

barcelona

Nëse do të luajë Artur Melo apo Ansu Fati, kjo do të varet nga forma e tyre deri në momentin e ndeshjes, pasi deri tani kanë shfaqur probleme fizike. Formacioni pritet të jetë ky: Neto, Vague, Todibo, Umtiti, Xhunior, De Jong, Alenja, Vidal, Karles Perez, Grizman, Ansu Fati. Futbollistët e tjerë nga akademia, si Riki Puxh, Kojado, Abel apo Hiroki Abe, mund të përfshihen në listë dhe mund të kenë minuta.

Nuk dihet ende se çfarë do të bëjë realisht Valverde, por nëse lajmi i mësipërm është i vërtetë, atëherë Konte dhe Interi do të ishin shumë të lumtur. Zikaltrit mund ta sigurojnë kualifikimin në fazën e 1/8-ave në rast se mundin Barcelonën, pa llogaritur fare se çfarë ndodh në ndeshjen tjetër DortmundSlavia e Pragës.

Përgatiti: GENTJAN ALINANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"