Interi është super, i jep leksion Romës

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 3, 2014 | 12:08

Interi është super, i jep leksion Romës

Inter-RomaNemanja Vidiç dhe “samurai” Juto Nagatomo. Janë këto dy emrat që i japin Interit fitoren e merituar dhe bindëse kundër Romës. Në stadiumin “Lincoln Financial Field” të Filadelfias (Shtetet e Bashkuara të Amerikës) zikaltrit e Valter Maxarrit triumfojnë 2-0, duke vuajtur fare pak presionin e verdhekuqve, por mbi të gjitha duke treguar një soliditet fantastik në repartin e prapavijës, falë eksperiencës dhe cilësive të “gjeneralit” Vidiç. Më në fund, trajneri Maxarri mund të duartrokasë dhe të thurë elozhe për këtë repart, që në sezonin e kaluar e turpëroi jo pak herë figurën e tij, skuadrën dhe tifozët interistë.
Ritëm i ngadaltë Në pjesën e parë, ritmet e takimit janë të ulëta, me Romën dhe Interin që i lënë me radhë iniciativën njëratjetrës, duke ofruar disa sulme të rrezikshme, por që nuk shfrytëzohen siç duhet. Shkëndijën e parë e jep Iturbe në minutën e 9-të, që sposton topin në qendër të zonës, por e majta e tij pritet lehtësisht nga Handanoviç. Zikaltrit kundërpërgjigjen pas pesë minutash me Kuzmanoviçin, i cili e impenjon, por Skorupski përgjigjet saktë me grushte. Roma e cila kishte marrë në minutën e 13-të një goditje të fortë psikologjike pas dëmtimit të Kastanit, kontrollon topin, por as në minutën e 20-të, kombinimi Pjaniç-Emanuelson që përfundon me një krosim për Iturben nuk përfundon në gol. Ndeshja nuk ndizet dhe për të pritur sulmin e radhës duhet të vijë minuta e 32-të, kur Ikardi nuk i jep forcë goditjes së tij me kokë, që nuk i hap probleme Skorupskit. Radhën e ka Roma për të sulmuar, por as Naingolan nuk arrin të kalojë portierin zikaltër, me sfidën që mbetet me rrjeta të paprekura, por që do të zhbllokohet atëherë kur të gjithë prisnin që pjesa e parë të mbyllej pas gola. Dodo nga anësorja lëshon një krosim të fortë në qendër të zonës, nga një goditje këndi dhe Vidiç fluturon më lart se kushdo tjetër, duke devijuar saktësisht me kokë dhe duke tundur rrjetën. Interi kalon në avantazh në minutën e parë shtesë dhe Maxarri mund të duartrokasë të tijtë.
Dyfishimi i sfidës Pjesa e dytë nis pa zëvendësime dhe Roma hidhet menjëherë në sulm për të rikuperuar disavantazhin dhe që në minutën e dytë i afrohet barazimit. Iturbe ofron një pasim për Florencin që kroson, por Destro gabon në mënyrë flagrante me kokë, një goditje brenda zonës së vogël të Handanoviçit. Verdhekuqtë zotërojnë lojën dhe kontrollojnë, por Interi duket perfekt në mbrojtje, ndaj konkluzionet për ekipin e Garsias mund të vijnë vetëm nga distanca, ndonëse Naingolan në minutën e 13-të nuk tregon saktësi. Në mesin e pjesës së dytë e në vazhdim ritmi bie totalisht, pasi zëvendësimet e shumta frenojnë shpeshherë lojën dhe Roma humbet mes këtyre pauzave. Por Interi nuk vetëkënaqet, madje përfiton nga dorëzimi i Romës, duke gjetur edhe avantazhin dhe sigurinë e fitores. D’Ambrozio kroson në zonë për Nagatomon dhe japonezi me të djathtën e shpejtë trondit për herë të dytë Skorupskin e pafajshëm. Kryeqytetasit janë në tapet, aq sa edhe Balasa rrezikon edhe autogolin, por në fund ata që buzëqeshin janë djemtë e Valter Maxarrit, të cilët tregojnë se 10 ditët avantazh stërvitje që kanë kundrejt Romës kanë dhënë efekt.

Maxarri i ekzaltuar: Vidiç, çfarë kampioni!
Në Filadelfia, Interi i jep një leksion Romës, duke treguar se puna e kryer nga Valter Maxarri dhe të tijtë po ecën në hapat e duhur. Trajneri zikaltër është i ekzaltuar nga loja e ekipit të tij dhe i mahnitur nga gjigandi i mbrojtjes, Nemanja Vidiç, i cili gjeti edhe golin e parë, atë që zhbllokoi sfidën: “Jam mjaft i lumtur nga puna e lojtarëve të mi, të cilët përmirësohen në mënyrë të mahnitshme nga ndeshja në ndeshje. Në mbrojtje ishim perfektë. Ky Vidiçi është një kampion absolut, një shembull për të gjithë dhe jo vetëm në prapavijë, pasi do na ndihmojë shumë edhe në goditjet standarde. Por edhe sulmi më pëlqeu, sepse treguam kthjelltësi, sidomos në pasimin e fundit. Të vazhdojmë kështu”.

“Ky Inter po ndërtohet mirë, goli instiktiv”
I vlerësuar si lojtari më i mirë i sfidës me Romën, Nemanja Vidiç shprehet optimist për sezonin që pritet të nisë Interi i tij. “Për sa i përket italishtes, deri tani kam mësuar vetëm disa fjalë teknike, por më duhet të mësoj diçka më shumë dhe sa më shpejt, sepse të komunikosh në fushë është e rëndësishme. Gjithsesi, kur jam në lojë i bazohem më shumë eksperiencës dhe jam i lumtur që në këto sfida kam arritur t’i jap soliditet mbrojtjes së bashku me shokët e mi. Finalja e këtij turneu? E rëndësishme është që t’i shfrytëzojmë sa më shumë këto miqësore luksi, sepse do na vlejnë më pas. Goli? Ishte një veprim instiktiv, di t’i bëj disa me kokë, por merita kryesore ishte e krosimit perfekt të Dodosë”.

M’Vila, presion kundërshtarëve: Ruhuni nga ne!
Jan M’Vila ka luajtur 65 minuta pozitive kundër Romës dhe është sinkronizuar mjaft mirë me shokët e rinj. Mesfushori francez duket shumë i kënaqur nga testet e para me Interin, aq sa në përfundim të ndeshjes me rivalët italianë u bën presion favoritëve për kampionatin: “Fitorja me Romën ishte e merituar, por mbi të gjitha erdhi pas një loje thuajse perfekte nga ana jonë. Sinjalet që kemi marrë nga këto miqësore në Amerikë janë më se pozitive, sepse ky Inter jo vetëm që është i fortë, por mund të pretendojë fitoren e titullit. Personalisht jam i sigurt, sivjet na pret një sezon i madh, emocionues, prej protagonistësh. Me këtë ritëm, do të jemi në superformë për startin e kampionatit”.

Garsia: S’pashë asgjë pozitive, më tremb Kastani
Rudi Garsia nuk kërkon ta dramatizojë më shumë seç duhet humbjen, por nuk e frenon frikën e tij mbi dëmtimin e pësuar nga mbrojtësi Kastan, në sfidën ndaj Interit. “Problemi më i madh i humbjes me Interin ishte dëmtimi i Kastanit, i cili më frikëson më shumë sesa rezultati negativ. Duhet të kuptojmë mirë se çfarë ka pësuar lojtari ynë, sepse me dëmtimet muskulore në këtë fazë të sezonit nuk bëhet shaka, thotë strategu francez, që më pas ngre zërin ndaj ekipit. – Kundër Interit prisja shumë më shumë sesa dhamë në fushën e lojës. Nuk dua të gënjej, por nuk pashë asgjë pozitive dhe kjo humbje duhet të na shërbejë për të kuptuar gabimet tona, ose fillimi i kampionatit do të jetë i vështirë për ne”.
Përgatiti: JETON STAMOLLA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"