Interi e nis aty ku e la, sërish motori i Italisë/ Brozoviç ende jashtë forme, ja sa kilometra vrapoi Barela

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 17, 2022 | 22:17

Interi e nis aty ku e la, sërish motori i Italisë/ Brozoviç ende jashtë forme, ja sa kilometra vrapoi Barela

Interi e ka nisur aty ku e ka lënë sezonin e shkuar. Formacionit të Simone Inzagit i kanë mjaftuar 90 minutat e para për të konfirmuar se është një motor i pandalshëm, madje më i fuqishmi mes favoritëve. Në ndeshjen e së shtunës ndaj Leçes, zikaltrit kanë përshkuar 110.899 kilometra, duke treguar grintën dhe dëshirën e zakonshme jo vetëm për të gjetur golin, por edhe për të mbajtur në kontroll lojën dhe çdo cep të fushës.

INTER 1

Pas javës së parë të kampionatit, nënkampionët e Italisë janë renditur të katërtit në këtë klasifikim, duke pasur para Specian, Monzën dhe Leçen. Por ndërsa beteja e radhës është ish-skuadra e Rei Manajt, Interi sigurisht që luftën e ka me ekipet e tjera pretendente, të cilat ndodhen larg tij. Kampionët e Milanit renditen vetëm  në vendin e shtatë me 109.624 kilometra në ndeshjen e parë, ndërkohë që për të gjetur Juventusin na duhet të shkojmë në vendin e 10-të me 107.989 kilometra.

INDIVIDËT – Por në të parën e sezonit, edhe pse nuk ka ndryshuar trendi i angazhimit në lojë nga ana e zikaltërve, kanë ndryshuar protagonistët. Me Brozoviçin të rikuperuar në minutat e fundit, i ka takuar Barelës të jetë katalizatori i skuadrës dhe këtë e tregojnë qartë 11.863 kilometrat e tij që e kanë renditur të pestin mes lojtarëve të Serisë A. Vetëm romanisti Brajan Kristante (i 10-ti) dhe Ismael Benaser, mesfushori i Milanit (i 14-ti) e shoqërojnë italianin në këtë klasifikim nga rivalët direktë.

BARELA 1

Kështu, Simone Inzagi, edhe pse mori një fitore mes vështirësive në javën e parë, mund të thotë se është në rrugën e duhur, të paktën për atë që japin në fushë lojtarët e tij. Të mos harrojmë se me rikthimin e Brozoviçit në formën optimale, që ishte lojtari me më shumë kilometra të përshkuara sezonin e shkuar dhe me pasjen në organikë të Kristjan Asllanit dhe Nikolo Barelës, respektivisht i shtati dhe i teti në sezonin 20211-2022, xhirot e motorit të Interit priten të jenë më të larta se kurrë.

Përgatiti: NISLI GJINI – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"