Interi bën “tris”, e pret biletën që në Islandë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 21, 2014 | 8:36

Interi bën “tris”, e pret biletën që në Islandë

InteriPas një jave do të luhen 90 minutat e kthimit, por nuk do të jetë e nevojshme. Sepse Interi e ka siguruar biletën e kualifikimit për në fazën e grupeve të Ligës së Europës që në Islandë. Nën dritën e diellit, edhe pse ora e startit të ndeshjes ishte 23:00, në Reikjavikun e largët, italianët nuk arrijnë t’i trembin modestët e Stjarnanit. Në testin e parë zyrtar të sezonit të ri, Valter Maxarri starton me dyshin Ikardi-Bota në sulm, M’Vila në qendër të mesfushës, ndërsa i riu Dodo spostohet në korsinë e majtë. Dhe miqtë tregojnë supremacinë e tyre duke dominuar. Por pas një starti të shpejtë, kuptojnë se përballë ka Stjarnanin, trajneri i të cilëve ka ndërtuar një mur të vërtetë. Maxarri kupton se vetëm nga krahët mund t’i çajë islandezët dhe taktika e tij i jep të drejtë në minutën e 41- të. Shfaqet Kovaçiç në të majtë, i cili fton Dodonë: talenti brazilian katapulton një top spektakolar që finalizohet nga Mauro Ikardi. Kaq mjafton për të shkuar të qetë në dhomat e zhveshjes. Sepse në 45 minutat e dyta, vendësit janë me fat që nuk do udhëtojnë drejt Milanos me një goleadë në disfavor. Stjarnani tenton të bëjë diçka në sulm, por lë shumë hapësira pas që i shfrytëzon Interi. Kësaj radhe është Dodo ai që ndëshkon: Ranokia mbështet Xhonatanin në të djathtë, dhe krosimi i brazilianit gjen patriotin e tij, i cili shënon me kokë dhe feston golin e tij të parë me ngjyrat zikaltër. Ishromanisti është lojtari më i mirë i Interit në fushë. Pak sekonda pas golit, Bota jep një asist të mrekullueshëm për Ikardin, por argjentinasi kësaj radhe me kokë gabon shënjestër, ashtu siç nuk do të koordinohet edhe pas një skeme, edhe pse është i vetëm përpara porte. Bota i lë vendin Osvaldos, të cilit ia mohon golin vetëm traversa katër minuta nga fundi. Por atë që nuk bën Osvaldo, e bën D’Ambrozio me një të majtë spektakolare në hyrje të zonës. Një gol që i vlen thjesht statistikave, sepse në “San Siro” islandezët do të vijnë për turizëm. Prova e parë sezonale e skuadrës së Maxarrit kaloi me sukses.
Përgatiti: ANDROKLI DRALO

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"