Interi bën spektakël në nder të Zanetit

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 11, 2014 | 9:52

Interi bën spektakël në nder të Zanetit

MoratiNuk mund të kishte një mbyllje më të mirë për të. Mbase nuk do të ishte e drejtë nëse ndodhte e kundërta. Mund të mos merret në mbrojtje nga “Unesco”, ashtu siç kërkonin disa tifozë nga shkallët e “San Siro”-s, por i sigurt është fakti se do të mbetet një pasuri e klubit zikaltër. Havier Zaneti nisi dje ndeshjen e fundit për Interin në Milano nga minuta e 52- të. Një ditë do t’i bëjnë një monument që ende nuk është shpikur, një monument në lëvizje…!
Jetë kapiteni – Anësorja jugore e “San Siro”-s mendoi që të zëvendësonte atë veriore, që pak ditë më parë u pezullua për shkak të koreve raciste. Valter Maxarri, që gjatë pjesës së parë u vërshëllye për faktin se e la sërish në stol Zanetin, urdhëroi argjentinasin që të bëhej gati kur rezultati ishte 3- 1 për Interin. Por kërkesa e të pranishëmve do të plotësohej në fraksionin e dytë. Momenti kur Xhonatan la fushën për numrin 4, i tërë publiku u ngrit në këmbë. Pjesa tjetër e takimit u luajt vetëm për të. Njerëzit ekzaltoheshin sa herë që ai prekte topin. Madje edhe kur kryente rivëniet anësore. Të fundit të një karriere të gjatë të nisur më 27 gusht të 1995.
Lamtumirat – “Më shumë respekt për kapitenin”, “Maxarri, fute në fushë!” dhe “Samuel, muri që nuk shembet kurrë!” ishin disa prej koreve që tifozët i rezervuan mbrëmë benjaminëve të tyre. Më sakte lojtarëve që pritet t’i japin lamtumirën Interit në fund të sezonit. Ndërkohë që duartrokitje kishte edhe për Militon, që ashtu si dy bashkëkombësit e vetë luajti mbrëmë takimin e fundit në “San Siro”.
Gola europe – Gjithçka që nuk ka të bëjë me Zanetin është mërzi përveç golave, që me shumë siguri kanë kualifikuar Interin për në Ligën e Europës të paktën si e 6-ta. Sa i përket rivalëve u prezantuan keq në festën e “Pupit”. Pas 2 minutash lojë, gjatë ekzekutimit të një goditje këndi, zikaltrit harrojnë Canën që godet topin që shtyhet nga Handanoviç. Aty ndodhet Biava që përfiton dhe shënon golin e parë. Por Interi reagon shpejt falë edhe gabimeve të kundërshtarëve. Në golin e parë të vendësve, që u shënua në minutën e 7-të, Kovaçiç nxori nga cilindri një asist që mund të shpjegohet vetëm nga ligjet e gjeometrisë. Finalizatori ishte Palasio, që i harruar nga Andre Dias, nuk i duhet shumë punë për të mposhtur Berishën. Edhe goli i dytë, që erdhi në minutën e 34-t kishte si ideator Kovaçiçin. Pasi mori krahun e majtë talenti kroat futi sferën në zonë, aty ku Ikardi “djeg” Diasin për t’i shënuar një tjetër gol Berishës që nuk kishte se çfarë të bënte. Tre minuta më vonë Palasio (me të verdhin që mori mbylli mbrëmë sezonin pasi nuk mund të luajë ndaj Kievos për shkak kartonësh) devijoi në portë një harkim të devijuar të Juto Nagatomos. Për të mbyllur çdo histori të këtij takimi mendoi Hernanes. Ishi i Lacios, pas një tjetër ashtit të Kovaçiçit, në minutën e 79-të shënoi një gol spektakolar nga jashtë zonës me të majtën. Gjatë fraksionit të dytë, në minutën e 69-të, për t’u përmendur ishte edhe pritja e Handanoviçit që bëri në tentativën e Keitas. Ndërsa 6 minuta nga fundi, Berisha evitoi një gol të sigurt duke pritur mjaft mirë topin e nisur nga Nagatomo. Protagonistët në fushë nuk surprizuan më deri në fund. Skenën ia mori një tifoz që për një përqafim me Zanetin pranoi të keqtrajtohej në fushë nga forcat e sigurisë.

“Faleminderit që më dashuruat”
Në fund të ndeshjes numër 857 me Interin, Havier Zaneti mbajti një fjalim para tifozëve që për 19 vite e kanë mbështetur. Ai pranoi se e kishte kërkuar Reali por kishte refuzuar pasi priste ditën që të triumfonte me Interin. “Jeni të mrekullueshëm është shumë pak. Këto vite jam munduar gjithmonë që të nderoj dhe të mbroj këtë fanellë në çdo vend të botës. Falë jush kam mësuar të bëj gjithçka, do t’iu dashuroj përgjithmonë”, tha në fjalën e tij Zaneti që u nderua nga publiku me korin “ka vetëm një kapiten”. “Dua të falënderoj gruan time dhe babanë tim që po më ndjek nga Argjentina pasi nuk donte të vinte. Falënderoj edhe mamanë time që lart në qiell është krenare për mua. Falënderoj gjithashtu edhe familjen Morati dhe atë Tohir. Tani do të më duhet që të bëj diçka tjetër që nuk e di me çfarë rezultatesh, por është e sigurt se do të mbroj Interin siç kam bërë kur isha në fushë”, tha Zaneti. Në fund, rreth orës 23:05, ai para se të parakalonte para publikut tha: “Faleminderit që më keni dashuruar, ju dua vërtet shumë”.

“Zaneti me kujton gjithmonë Faketin”
Për presidentin e nderit të Interit, Havier Zaneti, është diçka më shumë se një lojtar që i ka kushtuar 19 vite të jetës një ekipit të vetëm. Gjatë një deklarate pas ndeshjes Masimo Morati tha: “Kam nderin që të përshëndes një kapiten si Havier Zaneti. Një person që ka bërë interistët që të ndihen krenarë”. Ndër të tjera ish-pronari i Interit vazhdoi: “Me Zanetin kemi fituar shumë. Kemi fituar gjithçka. Them se është një nga të paktët lojtarë që gjithmonë më kanë ngazëllyer kur i shikoja në aksion. Ai më kujton shumë Xhaçinto Faketin. Ai është një person që meriton dashurinë dhe respektin tonë, e të gjithë familjes së Interit”.
Përgatiti: ALTIN VORPSI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"