Interi bën shou ndaj Atalantës, Ikardi dëmtohet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 26, 2014 | 8:17

Interi bën shou ndaj Atalantës, Ikardi dëmtohet

inter-atalanta-2-0Pas fishekzjarrëve ndaj Sasuolos dhe hapit fals në Palermo, Interi arrin që të fitojë me rezultatin 2-0 në “San Siro” me Atalantën. Tri pikët e marra i çojnë zikaltrit në vend të tretë, bashkë me ekipet surprizë të Sampdorias dhe Veronës. Në impiant i pranishëm ishte edhe presidenti Erik Tohir, baskë me ish-in Masimo Morati. Indoneziani në fund të 90 minutave nuk është penduar për rrugën e gjatë, pasi dy nga lojtarët më të mirë të skuadrës, Osvaldoja dhe Hernanesi, vendosën fatin e takimit me dy gola të mrekullueshëm.
Pjesa e parë – Maxarri shplurosi brazilianët dhe i hodhi në lojë nga minuta e parë. Ndërsa i dha sërish besim Fredi Guarinit në vend të Hernanesit dhe për sulmin zgjodhi Palasion, ndërsa Osvaldon e la në stol. Edhe rivali i djeshëm Kolantuono vendosi që tek Atalanta të bënte ndryshime. Denisi dhe Boakieja u lanë si fillim të pushonin, kurse Bianki dhe Morales u futën në lojë. Por, në stol u la edhe xhevahiri Bazeli. Interi e nisi lojën më i vendosur në qendër dhe më i përqendruar krahasuar me takimin ndaj Palermos. Ekipi luajti me pasime më të shkurtra, dhe bëri presing më shumë, në përpjekje për ta pasur topin sa më gjatë në kontroll. Rivalët ndërkohë ishin e kundërta e vendësve për strategjinë e zgjedhur. Mbrojtësi Vidiç në debutimin tij në “San Siro” goditi shtyllën me një gjuajtje me kokë pas krosimit që gjuajti Xhonathani. Në vazhdim, Kovaçiçi gjeti Palasion që u nis me vrap drejt portës rivale, por e majta e argjentinasit ishte shumë qendrore që të mund të ndëshkonte Sportielon. Në të 24′, Kovaçiçi shpërdoroi një kundërsulm nga limiti i zonës së rreptësisë dhe për Maxarrin doli një problem. Ikardi u dëmtua dhe duhet që të dilte nga loja. Në vend të 21-vjeçarit u fut Osvaldoja. Zikaltrit tentuan në vazhdim nga krahët, por më shumë rezultat patën në qendër. Në të 30′, takimi mund të kishte ndryshuar, sepse arbitri Xhervazoni dha një penallti, pasi Benalouane rrëzoi Ranokian brenda zone. Por, Palasio nga pika e bardhë e 11-metërshit u hipnotizua nga portieri Sportielo. Gjithsesi, goli u afrua disa herë dhe bergamaskët, ndryshe nga vendasit, nuk ishin asgjëkundi. Bianki i vetëm nuk arriti që të mbante topin dhe të mundësonte që ekipi të dilte para. Benalouane brenda zonës në vazhdim kapi topin me dorë, por për arbitrin nuk ishte penallti. Dhe për të sjellë qetësi te tifozët mendoi Osvaldo, i cili me një lëvizje mjeshtërore shënoi pas goditjes së dënimit nga ana e Guarinit. Kthesa e tij ishte e befasishme dhe e bukur, dhe gardiani Sportielo nuk arriti të bënte prapë mrekullinë.
Pjesa e dytë – Pak minuta nga nisja e pjesës së dytë dhe trajneri Kolantuono bëri dy ndryshime, duke futur Gomez – Boakie për D’Alesandro-Moralez. Por, ritmi për ekipin e tij nuk ndryshoi dhe në të 54′, Palasio rrezikoi sërish me një diagonale që përfundoi në shtyllë. Megjithatë, në vazhdim ishte Interi që ngadalësoi dhe kjo i dha mundësi Atalantës që të merrte kurajë dhe të dilte më përpara. Gomezi në të 60′ gjuajti nga jashtë zone dhe Handanoviçit iu desh që të bënte një pritje të bukur që të shmangte golin. Skuadra e Maxarrit vuajti në mesfushë, madje edhe pas ndryshimit të Guarinit me Hernanesin. Por puna e vendësve nuk përfundoi me aq, sepse për të vulosur fitoren mendoi Hernanesi. Predha e tij nga goditja e dënimit, dhe rezultati është një supergol.
Përgatiti: IRGIS HYSENAJ

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"