Interi bën një nisje perfekte, “bombardon” Peskarën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 27, 2012 | 13:47

Interi bën një nisje perfekte, “bombardon” Peskarën

PESKARA – INTER  0-3
Golat: Shnajder 17’, Milito 18’, Kutinjo 81’
PESKARA (4-3-3): Perin; Zanon, Kashone, Kapuano, Romanjoli; Balzano, Ëeis, Koluçi; Nielsen (61’ Kuintero), Jonatas (75’ Abruskato), Kaprari (65’ Celik). Trajner: Xhovani Stropa
INTER (4-3-2-1): Kastelaci; Zaneti, Silvestre, Ranokia, Nagatomo; Gargano (86’ Dunkan), Kambiaso, Guarin; Shnajder, Kasano (67’ Kutinjo); Milito (84’ Livaja). Trajner: Andrea Stramaçoni
Arbitër: Marko Guida
Kartonë të verdhë: Veis 12’, Koluçi 33’, Zanon 36’ / Gargano 14’

Interi e nis me këmbën e duhur këtë kampionat. Zikaltrit kishin pesë vjet që nuk e lagnin me fitore javën e parë të kampionatit italian. Fitorja në javën e parë të Serisë A u mungonte që prej vitit 2006. Por kësaj radhe formacioni i trajnerit Stramaçoni e theu tabunë, duke likuiduar Peskarën me rezultatin 0-3. Stramaçoni nuk e kursen Kasanon, të cilin e aktivizon në fushë që nga fillimi. Ishmilanisti luan mirë dhe jep një asist. Më mirë se ai luan vetëm Diego Milito, i cili realizoi një gol dhe dy asiste. Një ndeshje fantastike kjo për argjentinasin.
Golat Teksa të gjithë prisnin që ndeshjen ta niste fort Interi, ka ndodhur e kundërta. Peskara, e bindur në forcat saj, i bën zikaltrit të vuajnë gjatë minutave të para. Në krahun tjetër, Milito e Shnajder e bëjnë skuadrën e Stramaçonit të ngjasojë me boksierin Muhamed Ali, i cili i linte kundërshtarët të mendonin se mund ta mposhtnin e pastaj me dy grushte i shtrinte në tokë. Goditja e parë vjen nga Shnajder, në minutën e 17-të. Zaneti niset nga e djathta, pason për Militon, që kroson në zonë, topi përfundon pranë holandezit, i cili lë pas mbrojtësin Zanon dhe e dërgon topin në rrjetë. Dy minuta më vonë zikaltrit gjunjëzojnë kundërshtarin, duke shënuar golin e dytë. Shnajder pason në të majtë për Kasanon, i cili ia dërgon topin Militos. Ky i fundit me portën bosh shënon golin e dytë. Virtualisht ndeshja mund të quhet e përfunduar. Nga skuadra e Peskarës vetëm Kashione ka rastin më të pastër për të realizuar golin e nderit me kokë, por Kastelaci bën një pritje të mrekullueshme. Në minutën e 83-të është Kutinjo që i jep goditjen përfundimtare skuadrës së Peskarës. Braziliani shfrytëzon siç duhet në zonë krosin e Militos dhe me të djathtën e dërgon topin në rrjetë.
Inter spektakolar Në kompleks, Interi ka shkëlqyer ndaj Peskarës. Por, mbi të gjitha, ka treguar se ka blerë një futbollist si Gargano, të cilit i mungoi vetëm goli. Tifozët zikaltër kanë pasur mundësinë të admirojnë edhe një Guarin të rilindur, që ka treguar se është vërtet një futbollist cilësor. Në përgjithësi Peskara, pavarësisht humbjes së thellë 0-3, ka treguar se është një skuadër interesante nga mesfusha e sipër. Falë mesfushorëve anësorë Ueis e Kaprari dhe sulmuesve Xhonathas e Kashione, Peskara do t’u hapë probleme të gjitha skuadrave të mëdha. Gjithmonë nëse arrijnë ta regjistrojnë siç duhet mbrojtjen. Peskara e ka vuajtur disi klasin e formacionit zikaltër, por faktikisht nuk do kenë përballë çdo fundjavë lojtarë si Milito e Shnajder. Tani duket qartë që Interi është mirë. Dhe nëse ishte nevoja për t’iu kundërpërgjigjur Juventusit, zikaltrit e kanë bërë në mënyrën më të mirë të mundshme.

Stramaçoni thur elozhe për blerjet e reja
Interi është fitues dhe bindës. Zikaltrit nuk e nisnin sezonin me një fitore që prej vitit 2006, dhe meritë për këtë ka edhe trajneri Andrea Stramaçoni, i cili në përfundim të takimit ndaj Peskarës është shprehur shumë i kënaqur nga paraqitja e të tijve. “Jemi të lumtur për këtë fitore. Ndeshjen e kishim përgatitur mirë, por tani duhet të mbyllim gojën dhe të ulim kokën. Ishte mjaft e rëndësishme të niseshim mirë, por duhet të qëndrojmë me këmbë në tokë, edhe pse jemi mjaft të lumtur”. Kasano? “Që nga stërvitja e parë i kam pasur idetë e qarta që ta aktivizoja. Kisha nevojë për Kasanon, dhe ai ma shpërbleu besimin më së miri”. Maikon? “Është një djalë fantastik. Nëse është në formë, është më i miri në rolin e tij. Nëse qëndron, jam i lumtur”. Gargano? “E kam kërkuar me forcë, pasi e dija që është një lojtar i çmuar. Është treguar shumë i zoti në debutim, gjatë të cilit ka rikuperuar shumë topa” Merkatoja? “Në ketë sezon kemi treguar se kemi marrë lojtarë funksionalë për lojën tonë. Të shikojmë se çfarë do të ndodhë deri më datë 31. Nëse do të gjejmë dikë që na kompleton mirë, në të kundër puna e Brankës dhe Ausilios do të mbetet mjaft e vlefshme”.

“I kënaqur me debutimin tim, kjo skuadër është magjike”
Antonio Kasano e ka lënë firmën e tij që në takimin e parë me fanellën e Interit. Ka qenë i sulmuesit barez asisti i golit të dytë të zikaltrëve, i dërguar në rrjetë nga Milito. Pas përfundimit të takimit, sulmuesi është shprehur i lumtur për fitoren e parë në kampionat: “Gjëja më e rëndësishme ishin tri pikët. Skuadra ka luajtur shumë mirë dhe personalisht jam i lumtur për debutimin tim. Nëse gjendja do të përmirësohet akoma, atëherë mund të bëjmë shumë më tepër, pasi kjo skuadër është me të vërtetë e magjishme”. Stramaçoni? “Është një njeri i vërtetë dhe që meriton gjithë të mirat”. Roma? “Për momentin duhet të mendojmë për takimin e radhës me Vasluin. Roma vjen pas 7 ditësh”.

“Me Kasanon dhe Shnajderin duket si shëtitje”
Një gol që në ndeshjen e parë të kampionatit. Sulmuesi i Interit, Diego Milito, e ka filluar sezonin me këmbë të mbarë. Pas përfundimit të takimit, argjentinasi është shprehur tepër entuziast pas fitores përballë Peskarës: “Është ndeshja e parë, por është gjithmonë e më e lehtë të luash me lojtarë cilësorë si Kasano, Shnajder dhe Guarin, sepse ndeshja të duket si shëtitje. Më behët qejfi që arrita të shënoja një gol në takimin e parë. kjo fitore ishte mjaft e rëndësishme për të gjithë skuadrën, pasi qëllimi ynë ishte ta fillonim mbarë sezonin me një fitore”.

Havier Zaneti: Zotërim topi “alla Barcelonë”
Havier Zaneti ka festuar dje ndeshjen e 801-të me Interin, duke shkëlqyer me paraqitjen e bërë në fushë, pavarësisht se ka 18 vjet që luan në kampin zikaltër. “E nisëm mbarë. E dinim që na priste një transfertë e vështirë, – shpjegon kapiteni zikaltër. – Ues ishte shumë i shpejtë, por falë Guarin dhe Silvestres kemi arritur ta mbulojmë mirë. Pas golit të dytë ishte e rëndësishme ta administronim takimin, dhe ia arritëm qëllimit. Nëse e gjithë skuadra luan në mënyrë inteligjente, atëherë nuk e lejon kundërshtarin të krijojë shumë raste për gol. Sot Interi ka luajtur alla Barcelonë, dhe unë jam i lumtur për këtë”.
Përgatiti: PARID AGOLLI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"