Interesim i lartë për Tomori-Tirana, policia merr masat për ndeshjen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 22, 2018 | 10:36

Interesim i lartë për Tomori-Tirana, policia merr masat për ndeshjen

Tomori do të përballet sot në një sfidë shumë delikate ndaj Tiranës, por në klubin beratas janë të bindur se do të ndalin vrullin e kryeqytetasve. Kjo ndeshje do të jetë e para midis dy skuadrave në qytetin e Beratit për këtë sezon, në një kohë që interesi pritet të jetë tepër i lartë nga ana e tifozërisë vendëse.

Nga parashikimet që janë bërë paraprakisht mësohet se do të jenë të pranishëm afro 4000-5000 spektatorë, të cilët priten të jenë përkrahë skuadrës së tyre në objektivin e vetëm: fitoren. Sakaq, Policia e Beratit ka menduar që masat e sigurisë për këtë ndeshje të jenë të larta në krahasim me ato të mëparshmet, ku nuk përjashtohet as prezenca e FNSH-së së Fierit. Ky interesim i lartë gëzon edhe drejtuesit e klubit të Tomorit, të cilët pritet të kenë një rritje të financave nga të ardhurat e biletave.

tomori tirana 1

SKUADRA – Stafi teknik i Tomorit ka rritur intensitetin në seancat përgatitore të kësaj jave, duke menduar t’i paraprihet çdo situate. Gjithashtu, trajneri Gersi Arbri ka vendosur të provojë disa module të reja për ekipin e tij. Një gjë e tillë u vu re edhe në seancat stërvitore të dy ditëve të fundit, teksa nuk përjashtohet për asnjë mënyrë skema 4-1-4-1 për ndeshjen e sotme. Bitri, Daci dhe Paja pritet të luajnë në qendër të mbrojtjes, teksa përpara tyre do të jetë Mersini në rolin e mbrojtësit të avancuar. Si shkatërrues do të jetë i përhershmi Myzyri, teksa mesfusha do të përbëhet nga Kopaçi, Gjonaj, Hyseni dhe Sharavolli. Sulmi do të jetë pa dyshim i udhëhequr nga sulmuesi Aldo Mitraj, ndërsa është në mëdyshje aktivizimi i Kolecit që nga minuta e parë. Mesfushori 24-vjeçar ka pësuar tërheqje në seancën stërvitore dhe do të vendosë stafi mjekësor për aktivizimin e tij.

DORALDO PAJA – Në një prononcim për “Panorama Sport”, mbrojtësi i majtë i Tomorit, Doraldo Paja, e konsideroi si mjaft të rëndësishëm takimin e sotëm. “Tiranën e kemi vlerësuar maksimalisht edhe pse kampionati po luhet vetëm e vetëm për t’u respektuar. Kjo strukturë e kampionatit është e dështuar dhe personalisht votoj për një kampionat me më shumë ekipe. Megjithatë, kjo ndeshje ka një rëndësi mjaft të veçantë, por në anën tjetër duhet të tregojmë që nuk jemi rastësisht në vendin e tretë dhe i meritojmë plotësisht këto pozita”, tha Paja. Eris Sylyku

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"