Inter zemërluan, 13 pikë në 15 minutat e fundit

Panorama Sport | Gazeta me e madhe sportive ne vend

Postuar: Nëntor 8, 2018 | 18:32

Inter zemërluan, 13 pikë në 15 minutat e fundit

Pas 6 vitesh pritjeje të kthimit në Champions të Interit, skuadra nuk mund të zhgënjente. Skuadra zikaltër i ka dhënë shansin vetes për të qenë në pozicion shumë komod për të siguruar biletën e kualifikimit në 1/8-at e Champions-it pas katër javëve të para në Grupin B.

Inter

Të martën në mbrëmje, përballë kundërshtarit që luan futbollin më të mirë të Europës, erdhi një barazim i vuajtur, por i çmuar. Golit të Malkom iu përgjigj Ikardi në 87′, një gol i ardhur thuajse nga asgjëja pas një ndeshjeje të vështirë në sulm për italianët, të cilët e lanë Ter Shtegenin thuajse spektator.

Një pikë që mund të bëjë diferencën, sepse në rast barazimi në Londër më 28 nëntor, Interi do të kualifikohej automatikisht, duke e kthyer në një pasarelë ndeshjen e fundit në grup kundër PSV Eindhovenit në Milano.

SHIFRAT NUK GËNJEJNË – Është një e dhënë që konfirmon kapacitetet e skuadrës së Spaletit, e cila nuk dorëzohet deri në sekondën e fundit të ndeshjes.

inter

Duke marrë në konsideratë rezultatet si në kampionat ashtu edhe në Champions, 12 janë golat e shënuar nga zikaltrit në 15 minutat e fundit të ndeshjes, 10 prej të cilëve janë shënuar pas minutës së 80-të dhe 7 vendimtarë për të sjellë në shtëpi 13 pikë në total. Një shenjë e qartë e shpirtit të kësaj skuadre, e cila nuk dorëzohet deri  në fund.

NUK DORËZOHEN KURRË – Duke u kthyer në Europë, skuadra e Spaletit pas 4 javësh ka koleksionuar 7 pikë. Dhe interesant është fakti se secila prej tyre është fituar pas përmbysjeve të situatave të disavantazhit. Ndodhi në debutimin kundër Totenhemit, kur Ikardi dhe Vesino përmbysën Eriksenin në minutat e çmendura finale.

U përsërit në Eindhoven, ku pas golit të Rozarios për holandezët, erdhën ato të Naingolanit dhe Ikardit. Por nëse dy të dhëna nuk përbëjnë një fakt, atëherë ja edhe ndeshja kundër Barcelonës përpara 74 mijë spektatorëve në “Meazza”.

inter

Aftësia për të qëndruar deri në fund në ndeshje, certifikuan rritjen nga pikëpamja psikologjike të kësaj skuadre, e cila kaloi nga barazimi në shtëpi kundër Krotones dhe humbja kundër Sasuolos, deri tek ringjallja e ëndrrave për lavdi me Totenhemin, PSV-në dhe Barcelonën. Një pjekuri, pas së cilës fshihet dora e Luçiano Spaletit, i cili ashtu siç vetë e përsërit shpesh me gishtat në kokë: “Është gjithnjë një çështje psikologjike”.

Përgatiti: ANDROKLI DRALO





www.minuta90.com