Inter-Real Madrid, çelësi i sfidës është zotërimi i mesfushës/ Mbrojtja spanjolle qan, por Benzema-Vinicius janë zjarr

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 15, 2021 | 11:45

Inter-Real Madrid, çelësi i sfidës është zotërimi i mesfushës/ Mbrojtja spanjolle qan, por Benzema-Vinicius janë zjarr

Menjëherë në malore, por ndoshta është më mirë kështu për Interin dhe Realin e Madridit në Champions, pasi sfida e parë është gjithmonë ajo më e vështira, por mbi të gjitha edhe ajo që të detyron të shtypësh gazin deri në fund, aq më shumë kur bëhet fjalë për një duel direkt, ndonëse në fazën e grupeve.

inter-vs-real-2-780x439

Të dyja këto skuadra e kanë shumë të freskët edhe përballjen e fundit mes tyre, teksa sezonin e kaluar u ndeshën sërish në grupe, me spanjollët që i fituan të dyja ndeshjet, ndonëse çdo vit është një histori tjetër dhe këtë sezon ndryshimet janë të mëdha në rang të të dyja skuadrave, duke nisur nga pankinat.

Simone Inzagi dhe Karlo Ançeloti kanë mentalitete të tjera kundrejt Kontes dhe Zidanit, por nëse shtojmë këtu edhe mungesat me të cilat do të përballen trajnerët e Interit dhe Realit, pa dyshim që sfida e sotme do të jetë një rrugë e vështirë me pengesa dhe strategji që duhen punuar mirë, fillimisht në letër dhe më pas në fushën e lojës.

ÇELËSI I MESFUSHËS

Interit do t’i duhet të bëjë pa Sensin, ndonëse duke parë nga ana tjetër faktin se Reali do të zbarkojë në “San Siro” pa Bejlin, Marselon dhe sidomos mbretin e pasimeve, Toni Kros, plus Alabën që me shumë mundësi do të qëndrojë në stol, sigurisht që për Simone Inzagin bëhet më e lehtë që të lexojë ndeshjen.

Madje, duke parë se forca e spanjollëve është pikërisht mesfusha, ku në vend të Krosit do të luajë Isko, së bashku me Kasemiron dhe Modriçin, ideja e Simone Inzagit është ajo që të ndërpresë sa më shumë rrugët e pasimit që dërgojnë topin te Benzema dhe Vinicius, të cilët janë në një moment magjik. Pa dyshim që për këta të dy do të jetë gati morsa e mbrojtjes zikaltër e përbërë nga De Vraj, Shkriniar dhe Bastoni i rikuperuar, por Interi kërkon që të jetë edhe më i sigurt sesa kaq, duke ngritur një digë përpara mbrojtjes me trion e musketierëve, Brozoviç, Barela dhe Vidal.

Inzagi Anceloti

Kiliani mund të jetë surpriza e madhe e Inzagit në supersfidën e sotme, madje me “Mbreti Artur”, i cili pritet t’i marrë vendin Çalhanoglusë, pasi fundja, për të mundur Realin kryesorja është të mos pësosh. Në të njëjtën kohë, Xheko dhe Lautaro duhet të jenë gati, shumë të karikuar dhe të egër për të shfrytëzuar çdo moment.

Fundja, mbrojtja e Realit ka treguar se fut ujë ngado, prandaj duke parë se përveç mungesës së Alabës, por edhe të Marselos e Mendi, në korsinë e majtë do të jetë edhe një djalosh shumë i ri si Migel, sulmi i Interit mund të gjejë shumë më shumë hapësira për të goditur skuadrën e Ançelotit. Gjithsesi, e gjithë kjo mund të ndodhë nëse mesfusha zikaltër do të arrijë që të anulojë në maksimum palexhot dhe shpërndarjen e topave të mesfushës së Realit.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"