Infeksion në stomak, titullari i Bajernit rrezikon sfidën me Këlnin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 14, 2020 | 10:43

Infeksion në stomak, titullari i Bajernit rrezikon sfidën me Këlnin

Portieri i Bajernit të Mynihut, Manuel Nojer, nuk mori pjesë në stërvitjen e së enjtes në Sabener Shtrase. Arsyeja: Një infeksion në stomak. Kapiteni bavarez nuk u ndje mirë që të mërkurën dhe si rrjedhojë kërkoi që të kryente disa analiza specifike. Nëse ai do të jetë i gatshëm për ndeshjen e ditës së diel ndaj Këlnit në transfertë, kjo mbetet ende për t’u parë.

Nojer

Trajneri Hansi Flik tha për “Sky” se: “Nuk e di me siguri se si do të jetë gjendja e Manuelit deri të dielën. Por shpresoj që ai të jetë me ne në fushën e lojës”. Gjithsesi, edhe nëse Nojer nuk ia del, Bajerni e ka gati zëvendësuesin e tij, Sven Ulraish pritet të zërë vendin e shokut të tij të skuadrës, kjo u pa edhe në stërvitjen e fundit, ku Flik e detyroi atë të kryente një stërvitje të plotë me titullarët. Ndërkohë, në skuadër është rikthyer edhe Zhoshua Kimish.

Mesfushori kaloi gjatë javës një gjendje gripale dhe ishte stërvitur i diferencuar. Por duket se ai nuk do ta rrezikojë ndeshjen e fundjavës ndaj Këlnit dhe do të rikthehet menjëherë nën urdhrat e trajnerit Hansi Flik, i cili nuk kërkon më asnjë hap fals pas barazimit ndaj Lajpcigut në “Allianz Arena” të dielën e kaluar.

/PANORAMASPORT.AL/

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"