“Indoor” në acar, triumfojnë Luiza Gega dhe Burraj

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 29, 2021 | 20:45

“Indoor” në acar, triumfojnë Luiza Gega dhe Burraj

Në ambientet e stadiumit “Elbasan Arena” u mbajtën garat e Kampionatit Individual Dimëror për meshkuj dhe femra. Ndonëse e gjithë bota këtë aktivitet e zhvillon në salla të mbyllura, në Shqipëri, në mungesë të infrastrukturës, garat bëhen në ambient të hapur.

Luiza2

Në këtë aktivitet të Federatës Shqiptare të Atletikës morën pjesë thuajse të gjitha skuadrat me atletët e tyre më të mirë. Në fund të garave, u shpallën edhe dy sportistët më të mirë.

Franko Burraj

Për meshkuj vendi i parë i takoi sportistit të Vllaznisë, Franko Burraj, me 1051 pikë. Për femra, Luiza Gega nuk pati rivale, pasi doli sportistja më e mirë me 1074 pikë.

GARAT – Sa u përket rezultateve të garave në 60 metra, të parët dolën Lulzim Çengeli i Vllaznisë dhe Elisa Myrtollari e Skënderbeut, duke e përshkuar këtë distancë më shpejt se të tjerët. Milen Caco i Skënderbeut dhe Melisa Sina e Partizanit dolën të parët në garën e 60 metrave me pengesa. Në garën e 400 metrave zunë vendin e parë sportistët e Vllaznisë dhe të Tiranës, përkatësisht me Franko Burrajn dhe Iljana Beqirin.

Sportisti i Elbasanit, Enea Zdrava, zuri vendin e parë në garat e 800 metrave për meshkuj, ndërsa për femra ky pozicion i takoi sportistes Tiranës, Relaksa Dauti. Një tjetër sportist i Elbasanit, Tirron Mamusha, zuri vendin e parë në garën e 1500 metrave, ndërsa për femra e përshkoi më shpejt këtë distancë sportistja e Tiranës, Rigerta Pjetra.

Në kërcimin së larti vendin e parë e zuri atleti i Skënderbeut, Milen Caco, i cili kërceu më shpejt nga të gjithë. Për femra vendi i parë i takoi atletes së Vllaznisë, Elda Tulaj. Në garën e kërcimit për së gjati mungonte rekordmeni Izmir Smajlaj, i cili ndodhet në Austri, ku në fundjavë do të marrë pjesë në një event në Vjenë.

Kampionet

Ndërkohë në këtë disiplinë sportistët e Vllaznisë, Muhamet Çengeli dhe Erisa Rrasa, zunë vendin e parë. Muhamet Çengeli doli i pari edhe në trehapësh, ndërsa për femra këtë pozicion e zuri Joana Hazisllari e Teutës. Azgan Zeka i Teutës dhe Asja Sina e Mjeshtërisë Sportive zunë vendin e parë në hedhjen e gjyles. Ndërsa në garën e 3000 metrave vendi i parë i takoi Anxhello Dangllit të Fortius dhe kampiones Luiza Gega të Tiranës.

VLADIMIR MEMA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"