Incidenti te Dukati, Doviciozo akuzon Ianonen

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2016 | 6:00

Incidenti te Dukati, Doviciozo akuzon Ianonen

Andrea Doviciozo tha se ishte e pa pranueshme humbja e 20 pikëve pas incidentit me shokun e skuadrës te Dukati, Andrea Ianone, pikërisht në kthesën e parafundit në garën e Argjentinës. motogpIanone tentoi një parakalim në limitet e së pamundurës nga pjesa e brendshme, por goditi pjesën e përparme të GP15 së Doviciozos duke i mohuar Dukatit një podium të dyfishtë.

Po nga ky incident përfitoi Valentino Rosi dhe Dani Pedroza duke u ngjitur në podium pas spanjollit të Hondës, Mark Markez. Por ai parakalim i kushtoi Ianonen penalitetin me tre vende për garën e ardhshme në Ostin në Amerikë, si dhe me një pikë.

I zhgënjyer për vendin e dytë të humbur, Doviciozo tha:

“Unë jam me të vërtetë i zhgënjyer, sepse të humbësh në atë mënyrë është një fatkeqësi. Të humbësh 20 pikë dhe të jesh i dyti pas Mark Markezit është realisht për të ardhur keq. Këtë fundjavë unë isha i gatshëm për të marrë rezultatin më të mirë. Kur je pjesë e një skuderie të tillë patjetër që pretendimet janë të mëdha. Ne kemi punuar shumë në dy vitet e fundit dhe me të vërtetë na është vënë në dispozicion një motor i mirë.

Por, e përsëris, të humbësh pikët si ky rast kjo është e papranueshme. Unë s’e dija nëse ishte Ianone apo Valentino në xhiron e fundit, por kur u rrëzova dhe pashë që ishte Ianone s’mund ta prisja një gjë si kjo”. Me gjithë dështimin, Doviciozo sheh anën pozitive të asaj çfarë dha deri në fund dhe mezi pret për kthesën në cirkuitin e ardhshëm në Amerikë, kjo gara e tretë e kampionatit botëror të MotoGP-së.

“Kjo fundjavë ishte shumë e vështirë për të gjithë dhe ne arritëm ta menaxhojmë siç duhet situatën. Ne kemi qenë shumë konkurrues në kualifikuese dhe në provat e lira dhe unë kam qenë në gjendje për ta përfunduar i dyti garën.

Unë arrita të lë pas Valentinon dhe për vazhdimësinë e kampionatit kjo është shumë e rëndësishme. Kështu që këto janë gjërat pozitive për garën e ardhshme. Ostin është me të vërtetë një pistë e bukur dhe ne duhet të konfirmojmë edhe një herë tjetër në një situatë të ndryshme me shpejtësi tonë”.

Përgatiti: OLGERT SERANI

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"