Incidenti në Lushnjë, sulmuesi i Bylisit i tmerruar: Më gjuajtën me gurë në kokë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 22, 2018 | 10:30

Incidenti në Lushnjë, sulmuesi i Bylisit i tmerruar: Më gjuajtën me gurë në kokë

Të huajt gjithmonë kanë gjetur ngrohtësi dhe kanë spikatur në Ballsh. Këtë sezon janë shumë futbollistë afrikanë, mes tyre Ntepe Frank, Jules Samnda, Ofei, Antoni si dhe Kofi Dose. Ky i fundit erdhi si një blerje e bujshme në merkaton e verës. Ndonëse në formën e duhur sportive jo në shkallën maksimale, në 3 takimet e fundit është kthyer në lider në sulm. Që nga ndeshja në Kavajë ku ishte rreziku kryesor, ndërsa ka realizuar dopietë ndaj Elbasanit dhe në Lushnjë golin e fitores.

44443605_1895495027234580_8490547627136385024_n

Madje, mund të shënonte edhe dy herë të tjera. E megjithatë, në një prononcim për “Panorama Sport”, sulmuesi nga Togo që vjen nga Superliga maqedonase ku edhe ka luajtur vjet, flet për ambientin, kampionatin shqiptar dhe synimet që ai ka: “Ballshi është një qytet i vogël, por shumë mikpritës dhe me njerëz shumë të mirë. Këtë e has vazhdimisht sa herë dal në qytet. Një respekt maksimal nga të gjithë në klub. Kam ardhur që të jap më të mirën në Ballsh. Ndaj edhe unë mundohem që të bëj më të mirën. Kam shënuar 3 gola, por duhet që të shënoja edhe më shumë.

E rëndësishme është që jam duke kapur formën time më të mirë, më prisni edhe pak për të parë se çfarë jam në gjendje që të bëj për Bylisin”, tha sulmuesi nga Togo, Kofi Dose. Goli në Lushnjë Në lidhje me golin që shënoi duke i dhënë fitoren në Lushnjë, Dose u shpreh: “E dija rëndësinë e ndeshjes, unë dhashë më të mirën time dhe u përpoqa që të shënoja. Më pas isha në anën e djathtë dhe po festoja duke ardhur nga porta.

Unë nuk jam mësuar të provokoj sepse jam profesionist dhe kudo ku shkoj, dua të lë shije pozitive, në çdo fushë gjatë karrierës. Por, drejt meje pashë që po vinin shumë gurë. U habita, sepse unë po festoja një gol shumë të rëndësishëm. Madje, më gjuajtën edhe në kokë ku unë kam plagë të lehtë. Nuk dua të flas më për atë ndeshje. Unë dua që të shënoj gola sa më shumë”, tha sulmuesi nga Togo, Kofi Dose në prononcimin e tij për “Panorama Sport”.

Erjon Saliu

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"