Incidentet te Luftëtari, Novi paralajmëron futbollistët: Ka përplasje sepse lojtarët …

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 7, 2020 | 18:34

Incidentet te Luftëtari, Novi paralajmëron futbollistët: Ka përplasje sepse lojtarët …

Neritan Novi ka marrë përsipër të drejtojë Luftëtarin në një nga momentet më delikate të vetë historisë së klubit. Megjithatë, ish-kapiteni që ka dhënë gjithçka për fanellën bluzi, nuk iu tremb kësaj sfide, me synimin për të bërë diçka të mirë deri në fund të këtij sezoni.

novi

Problemet te gjirokastritët kanë qenë nga më të ndryshmet, duke filluar nga ato financiare, por ajo që ka rënë në sy, ka qenë edhe fakti se shpesh lojtarët kanë thyer disiplinën.

Kjo ka detyruar klubin që të marrë masa, duke pezulluar deri më tani gjashtë lojtarë, nga të cilët dy prej tyre si Fili dhe Renja u larguan në janar. Pas incidentit më të fundit në ndeshjen ndaj Skënderbeut, ku në dhomat e zhveshjes pati një përplasje mes kapitenit Donaldo Açka dhe mesfushorit Joan Çela, dje ka folur për “Panorama Sport” vetë trajneri, Neritan Novi. Ai pret më tepër profesionalizëm nga futbollistët, ndërsa i paralajmëron ata për vazhdimësinë.

“Të gjithë në skuadër duhet të ulim kokën dhe të punojmë këto dy ditë që kemi në dispozicion, për ndeshjen ndaj Bylisit. Nuk kemi luksin të fokusohemi te debati mes lojtarëve në Korçë. Është e logjikshme se gjëra të tilla nuk duhet të ndodhin më, pasi nuk kanë lidhje me futbollin profesionist. Megjithatë, janë lojtarë të rinj dhe ekspresiv. Nuk e durojnë dot presionin, për më tepër kur mungojnë edhe rezultatet.

novi

Gjithsesi, më vjen mirë që në stërvitje punojnë fortë dhe kanë sedër për të ecur përpara. Ky fakt më gëzon, ndaj dhe unë besoj te vazhdimi i garës deri në fund pa u tërhequr për asnjë moment. Puna të bën futbollist, nuk mjafton vetëm talenti. Me më shumë përkushtim, edhe sukseset do të vijnë. Këtë gjë u kërkoj çunave në stërvitje, pasi shpirti i garës nuk u mungon edhe në seancat që bëjmë. Është koha të kthehemi te rezultatet pozitive, duke filluar nga nesër”, deklaroi Novi.

Ndërkohë, përveç Joan Çelës së pezulluar nga klubi, në dyshim për aktivizimin ndaj Bylisit janë Redon Dragoshi dhe Jurgen Dushkaj. Dy titullarët bluzi dolën të dëmtuar nga sfida e së mërkurës në Korçë.

Tomor Shehu – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"