Incidentet në Vlorë/ Federata Shqiptare e Boksit dënon dhunën dhe bojkotin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 14, 2022 | 9:32

Incidentet në Vlorë/ Federata Shqiptare e Boksit dënon dhunën dhe bojkotin

Kampionati kombëtar i boksit, i zhvilluar për tri ditë me radhë në fundjavën e kaluar në Vlorë, siç dihet u mbyll me incidente dhe bojkot të disa klubeve.

WhatsApp-Image-2022-10-09-at-2.09.53-PM

Një kampionat që degradoi për të dytin vit radhazi, duke degjeneruar në dhunë, teksa në pallatin e sportit “Flamurtari” u sulmua fizikisht gjyqtari Saimir Pirja.

Një ngjarje që solli më pas edhe bojkotin nga disa klube, të cilat refuzuan t’i vazhdonin garat, në shenjë solidarizimi për gjyqtarin e sulmuar.

Duke marrë shkas nga incidentet dhe bojkoti, Federata Shqiptare e Boksit ka zhvilluar mbledhjen e komitetit drejtues. Një mbledhje, ku janë marrë vendime të ashpra.

Klubi i Flamurtarit, i cili u rikthye kampion pas 15 vitesh, është pezulluar për 3 vite për të mos organizuar aktivitete kombëtare. Boksieri Klevis Çela dhe trajneri i tij Altin Koçi pezullohen 2 vjet nga aktiviteti, ndërsa trajneri Gëzim Zeneli është paralajmëruar në rast përsëritje.

Ndërkohë, Tirana dhe Teuta, si ekipe bojkotuese të aktivitetit, kanë humbur për tri vjet anëtarësinë në Federatën Shqiptare të Boksit, ndërsa trajnerët Sead Bushati, Renato Kurti dhe Enton Kikrri kanë marrë paralajmërime.

Ndërkohë, boksierët e Tiranës dhe Teutës mund të marrin pjesë në aktivitete kombëtare dhe ndërkombëtare me kërkesë të veçantë drejtuar FShBo-së, apo Komitetit Olimpik Kombëtar Shqiptar.

Gjithashtu edhe ekipet e Studentit dhe të Kukësit si pjesëmarrës në bojkot e kanë humbur anëtarësinë e tyre për një vit.

Presidenti i Federatës Shqiptare të Boksit, Florend Kalivopulli, dënoi edhe një herë dhunën, por gjithashtu edhe bojkotin, duke e konsideruar si të patolerueshëm.

Ndërkohë në këtë mbledhja ka qenë i pranishëm gjithashtu edhe zëvendësministri, Endrit Hoxha.

PANORAMASPORT.AL

LEXO EDHE: 

Degjeneron sërish kampionati i boksit, tashmë grushtet zhvendosen në Vlorë

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"