Incident pas ndeshjes së Kategorisë së Parë, futbollistët e skuadrës mike shkelmojnë derën

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 21, 2020 | 8:58

Incident pas ndeshjes së Kategorisë së Parë, futbollistët e skuadrës mike shkelmojnë derën

Menjëherë pas përfundimit të ndeshjes, teksa skuadrat kanë qenë duke u futur në dhomat e zhveshjes, futbollistët e Besës kanë goditur me shkelma derën e zyrës së administratorit të Tomorit.

Tomori-Besa

Duke ecur në korridorin që të çonte te dhoma e tyre, ata kanë “shfryrë” nervat e humbjes te dera. Ky veprim ka shqetësuar jashtëzakonisht Ismet Ajazin, që ka denoncuar te delegati dhe vëzhguesi i ndeshjes dhunën e futbollistëve të Besës. Për ta bërë publik rastin, administratori për “Panorama Sport” ka thënë:

“I turpshëm ky veprim i futbollistëve të Besës. Ne i pritëm dhe i respektuam si miq, ndërsa ata na dhunojnë zyrat, a thua se e kishte fajin dera e zyrës sime për humbjen që ata pësuan në fushë.

Kam kërkuar pranë zyrtarëve të ndeshjes ndëshkimin e këtij veprimi arrogant e rrugaçëror dhe nëpërmjet ‘Panorama Sport’ dua ta denoncoj publikisht dhe të vë në dijeni opinionin e gjerë futbolldashës. Ky turp prish imazhin e Besës dhe të futbollit, ndonëse përsëri i toleruam me mosdenoncimin e këtij veprimi edhe në polici”.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"