Portugalia qan penalltitë, Spanja ka fatin e kampiones

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2012 | 13:48

Portugalia qan penalltitë, Spanja ka fatin e kampiones

Spanja shkon në finale, falë penalltive, ndërsa Portugalia e Kristiano Ronaldos e lë plot dëshpërim këtë kompeticion, për t’u rikthyer në shtëpi krenare dhe e denjë, sidomos me paraqitjen që bëri në gjysmëfinale ndaj kampionëve të kontinentit në fuqi. 120 minuta lojë plot emocione dhe ankth janë zhvilluar mes iberikëve dhe luzitanëve, por që nuk kanë mjaftuar as për një gol, as për të përcaktuar skuadrën e parë finaliste të këtij Europiani. Prandaj, janë dashur gjuajtjet e penalltive, që kampionët e Europës dhe të Botës në fuqi të vijonin më tej, duke prerë të parët biletën e finales së 1 korrikut. Nuk mund të vazhdojë dot më tej Portugalia e Kristiano Ronaldos, edhe pse ka zhvilluar një ndeshje për t’u vënë në kornizë, sidomos në aspektin taktik, për 90 minutat e kohës së rregullt. Luzitanët e Bentos kanë arritur ta cmontojnë thuajse tërësisht Spanjën, duke e vënë nën një presion të paprovuar më parë, prej 4 vitesh, që kur iberikët triumfuan në “Euro 2008” e deri më tani. Mirëpo, formacioni i Del Boskes ka arritur ta mbajë të paprekur rrjetën e vet, ndërsa në dy shtesat me nga 15 minuta është tjetërsuar, për mirë, është rritur shumë dhe ka krijuar rastet e duhura për gol, raste që i kanë munguar totalisht për 90 minuta. Në këto momente duket lodhja fizike te portugezët, që kanë shpenzuar shumë, megjithatë arrijnë të “mbijetojnë” e t’u falen edhe ata penalltive. Në këtë “specialitet” Kasijas ka pritur një gjuajtje të kundërshtarit, ndërsa një tjetër, e Bruno Alveshit, ka goditur shtyllën e tij. Për spanjollët do të gabonte në penalltinë e parë Xabi Alonso, ndërsa të tjerët do të tregoheshin të saktë, derisa Fabregasi “vulosi” kualifikimin e të tijve dhe mbylljen këtu të kapitullit “Portugali” në këtë Europian.

PORTUGALI – SPANJE 0-0 (2-4 pen)
Portugalia (4-3-3): Rui Patricio; Pereira, Pepe, Alves, Coentrao; Moutinho, Veloso (Custodio 91′), Meireles (Varela 97′); Ronaldo, Almeida (Nelson Oliveira 82′), Nani. Trajner: Paulo Bento
Spanja (4-2-3-1): Casillas; Arbeloa, Ramos, Piquè, J.Alba; Busquets, Xabi Alonso; Silva (Jesus Navas 61′), Xavi (Pedro 87′), Iniesta; Negredo (Fabregas 54′). Trajner: Del Bosque
Arbiter: Cakir (Turqi)
Kartone te verdhe: Ramos (S), Coentrao (P), Busquets (S), Pepe (P), Joao Pereira (P), Arbeloa (S), Bruno Alves (P), Veloso (P), Xabi Alonso (S)
Penalltite
Xabi Alonso (S) – pritje
Moutinho (P) – pritje
Iniesta (S) – gol
Pepe (P) – gol
Pique (S) – gol
Nani (P) – gol
Sergio Ramos (S) – gol
Bruno Alves (P) – tranverse
Fabregas (S) – gol

Ndeshja  Një përballje që premtonte spektakël, por nuk ka prodhuar të tillë. Sidomos Spanja është shfaqur e vuajtur, pa frymëmarrje dhe shumë ide, veti që s’i kanë munguar asaj prej ndeshjesh të tëra. Këtu ka meritë pa diskutim kundërshtari, i vendosur mjaft mirë në fushë nga trajneri Bento, që s’i lë asnjë hapësirë skuadrës kampione të Europës dhe të Botës në fuqi, ushtroi një presing asfiksues ndaj lojtarëve të saj, ndërsa dilte tejet rrezikshëm vetë në kundërsulme. Dy vjet pas sfidës në çerekfinalet e Botërorit 2010, fqinjët iberikë kanë fiksuar nëpërmjet këtij 120 minutëshi pa gol, por me spanjollët më të saktë nga pika e bardhë e penalltive, “biletën” e parë të finales së Kievit. Duke qenë kampionët në fuqi, “furitë e kuqe” natyrisht që niseshin si favoritë, por, sikurse pritej, edhe luzitanët në kulmin e formës së tyre nuk do të zbrisnin në fushë për të bërë figurën e viktimës. Përkundrazi, për 90 minutat e kohës së rregult kanë vendosur ata diktatin në fushën e lojës, i kanë imponuar ritmin e tyre kundërshtarit dhe e kanë vënë seriozisht në rrezik. Mjafton të kujtojmë këtu faktin tepër domethënës që Spanja nuk ka goditur qoftë edhe një herë të vetme në kuadratin portugez gjatë kohës së rregullt të ndeshjes. Reparti ofensiv iberik, i përbërë nga tre mesfushorë-sulmues, David Silva, Iniesta-Negredo (ky i fundit ka lënë në stol Fabregasin), pa një “pykë”,  jo vetëm nuk e ka carë dot murin e prapavijës portugeze, por ka mbetur krejt i shkëputur nga repartet e tjera. Mesfusha nuk arrin të gjejë vetveten për minuta e minuta të tëra, sepse sfumohet në cdo iniciativë të saj nga presingu i jashtëzakonshëm dhe i afërt i luzitanëve. Aq sa iberikët, si kurrë më parë, mezi arrinin të bënin dy pasime bashkë, të sakta. Portugalia, pas turpërimit që i bëri Holandës dhe eliminimit pa kushte të çekëve, besoi verbërisht se mund ta surprizonte Spanjën dhe pse jo, pretendoi dhe ndoshta e meritoi përmes lojës, pa llogaritur këtu penalltitë, për herë të parë shijen e finalistit të Europianit. “E armatosur” me një Kristiano Ronaldo në superformë (kishte shënuar tre gola në dy ndeshjet pararendëse), Portugalia tentoi shumë që ëndrrën ta kthente në realitet, duke besuar eliminimin e komshinjve “të urryer”. Kështu, në këtë këndvështrim, tekniku Paulo Bento besoi te grupi me elementë cilësorë, e sulmoi dhe e presoi kundërshtarin si askush tjetër në këto finale. Kolegu i vet, Del Boske, duhet të jetë bërë me zemër, sepse varianti i tij i kritikuar për mënyrën e lojës nuk funksionoi me portugezët dhe rrezikoi t’i eliminonte iberikët. Fati e ndihmoi nga penalltitë, prej nga Spanja shkoi në finale të “Euro 2012” dhe shpreson të kompletojë një rekord historik: Evropian-Botëror-Evropian. Ndaj Francës (2- 0) në çerekfinale spanjollëve nuk iu desh të harxhonin shumë energji për t’u kualifikuar, por ndaj luzitanëve stonuan jo pak, sa nuk arritën të nxjerrin nga repertori i tyre as një ndeshje mesatare. Megjithatë, shkuan në finale dhe ia “ulën kokën” Kristiano Ronaldos.

“Ndeshje e barabartë, por ne jemi të jashtëzakonshëm”
Trajneri i përfaqësueses së Spanjës, Visente del Boske, i ka përgëzuar të gjithë futbollistët e tij. “Dua ta nis deklaratën duke përgëzuar djemtë e mi. Janë të jashtëzakonshëm! Ndaj një kundërshtari shumë të fortë, ne ia dolëm mbanë që të kualifikohemi, – tha tekniku spanjoll. – E patëm të vështirë që të dilnim në lojën tonë, pasi Portugalia ishte mjaft e përgatitur fizikisht dhe ushtronte presing te çdo lojtar që kishte topin në zotërim. Kjo na pengoi të realizonim atë që synonim në fushë, por gjithsesi u mbrojtëm mirë. Ndeshja ishte e barabartë për të dyja skuadrat, pasi neutralizuan lojën e njëratjetrës. Ndërsa te penalltitë ne u treguam më të qetë dhe të zotë, ndaj siguruam edhe finalen”, – shtoi ai. Për sa i përket mënyrës se si gjuajti Serxhio Ramos, del Boske komentoi: “Tregoi siguri në vetvete. Unë vura re se portieri portugez hidhej para kohe dhe mbulonte vetëm krahët, pra ishte gjithashtu një gjuajtje e logjikshme”. Sa i përket rivalit për në finale, ai tha: “Nuk më intereson kush do jetë. Duhet të mendojmë që të fitojmë energjitë e humbura gjatë ndeshjes me Portugalinë”.

“Duhet të kishim fituar për 90 minuta”
Nuk e fsheh zhgënjimin për eliminimin, por edhe ndihet krenar për paraqitjen e Portugalisë. Paulo Bento mundohet t’u ngrejë moralin lojtarëve të tij: “Ne kemi bërë një paraqitje të shkëlqyer, pasi u kualifikuam në një grup me Gjermaninë, Holandën e Danimarkën. Eliminuan Çekinë dhe humbëm me penallti ndaj Spanjës. Mendoj se arritëm të ishim më superiorë për 90 minuta në ndeshjen e sotme (dje), madje me pak fat do kishim fituar. Vetëm në kohën shtesë spanjollët dominuan në zotërimin e topit, por pa mundur që të krijojnë raste të pastra për shënim. Jemi të gjithë krenarë, pasi po largohemi me kokën lart. Duhet të mendojmë që të vazhdojmë punën e nisur, pasi jam i bindur se ky grup lojtarësh do fitojë një trofe të rëndësishëm”, – tha Bento.

“Ishim më të mirët, e meritonim ne finalen”
Kristiano Ronaldo nuk arriti të shkëlqejë apo të vulosë i vetëm takimin, gjithsesi Portugalia bëri një paraqitje mjaft të mirë. “Jemi të zhgënjyer. Ishim superiorë në fushën e lojës dhe dominuan kundër Spanjës, pavarësisht se luanim ndaj kampionëve në fuqi. Merituam plotësisht që të shkonim në finale, por fati nuk ishte me ne”, tha Ronaldo. Ai përgëzon gjithsesi shokët e skuadrës: – “Të gjithë duhet të jemi të kënaqur. Nuk jemi larguar se luajtëm dobët, por sepse fati ndihmoi ekipin kundërshtar te gjuajtjet e penalltive. Moralisht ne duhet të ndihemi finalistë të këtij kompeticioni”, përfundoi ylli i Kombëtares portugeze, i cili nuk pati shansin që të gjuajë penalltinë e fundit.

NOTATA
PORTUGALIA
PATRICIO 6 – Deri në kohën shtesë është spektatori më fatlum i takimit, sepse nuk paguan biletën dhe sheh gjysmëfinalen. Por përballë Iniestës dhe penalltisë së Alonsos është perfekt.
PEREIRA 6 – Një luftëtar, sepse edhe pse përballë ka një jashtëtokësor si Iniesta, arrin të limitojë dëmet edhe me cilësitë e tij të pakta.
PEPE 6.5 – Këtë këtu duhet ta punësojnë grekët, sepse me grintën prej killeri që ka mund t’i fusë frikën edhe kancelares Merkel për të nxjerrë Greqinë nga kriza. Një përbindësh i mbrojtjes.
ALVESH 6 – “Plagos” viktimat e tij, por kurrë nuk është i kënaqur nga puna e tij e pistë. Gjithsesi, ky Evropian ka qenë magjik për të.
MUTINJO 6.5 – Edhe pse në jetën e përditshme është një “i çmendur”, ky mbase është lojtari më inteligjent taktikisht i Portugalisë.
MEIRELES 6.5 – Nuk e zë paniku i zotërimit të topit spanjoll, por në të njëjtën kohë që sakrifikohet, është po aq i dobishëm edhe në ndërtimin e kundërsulmeve.
VELOZO 6 – Nuk gabon një hap në sulm, ruan gjithmonë pozicionin, por më shumë se kaq nuk mund t’i kërkohet një lojtari që luan te Xhenoa.
NANI 5 – Atë që Ronaldo krijon, ky e shkatërron, sepse rrezikshmërinë e aksioneve luzitane Nani e zvogëloi gjithmonë. ALMEIDA 4 – Me gjithë respektin për të, vetëm një sulmues nuk mund të quhet.
RONALDO 6 – Ka në këmbët e tij dy rastet më të mira të Portugalisë, por të dyja i shpërdoron në mënyrën më të keqe. E para është një goditje dënimi që ai rrallëherë i gabon, ndërsa tentativën e minutës së 90-të në kundërsulm solitar e dërgon aq lart mbi traversë, sa për të zbritur në tokë topin nevojitet ndihma e avionëve reaktivë të NATO-s.

SPANJA
KASIJAS 6 – Shijon ndeshjen nga tribuna më e kërkuar e stadiumit të Donetsk, por bën detyrën e tij te penallti.
ARBELOA 6.5 – Është ai që sakrifikohet më shumë se kushdo, aq sa shpesh i ofron edhe mbështetje mesfushorëve në vështirësi.
PIKE 5.5 – Edhe pse kërkon të bëjë rolin e të fortit, në të vërtetë ai tmerrohet nga Ronaldo, sepse për herë të parë Pike nuk ka ndërmarrë asnjë inkursion jashtë zonës së rreptësisë.
RAMOS 7 – Tani nuk është një surprizë që klani spanjoll nuk e ka shumë qejf atë portugez te Reali dhe kur vjen puna për ta pasur si kundërshtar, Ramos nuk i kursen “komplimentet” dhe përqafon Ronaldon disa herë me këmbë, aq sa meriton edhe të verdhë.
ALBA 6 – Duket qartë që më shumë sesa cilësitë, paguan eksperiencën e pakët.
ALONSO 6 – Me aq kilometra sa ai bën në ndeshje, nuk ka nevojë që të tregojë edhe klasin në çdo sfidë të këtij Evropiani.
BUSKETS 5.5 – Humbet mes trafikut të mesfushës dhe si gjithmonë punën e tij “të pistë” e kryen me sukses.
KSAVI 5.5 – Ndeshja tij më e dobët prej një dekade mbase, sepse ndryshe nuk shpjegohet ulja e tij e parakohshme në pankinë.
SILVA 4.5 – Duke qenë që luan për Sitin, mbase ka nisur të ndiejë mungesën e Balotelit, sepse ndryshe nuk shpjegohen këto dy paraqitje radhazi të dobëta të një super-kampioni si ai. Navas e zëvendëson dhe menjëherë e bën Spanjën me krahë.
INIESTA 6.5 – Artisti është gjallë dhe nuk ka frikë as të “pikturojë” dhe as të luftojë, por mbase ai ka nisur të ndjejë më shumë se kushdo tjetër lodhjen. I jashtëzakonshëm…
NEGREDO 4.5 – Lëvizja surprizë e Del Boskes dështoi totalisht, sepse vetë lojtari nuk bën asgjë për ta shpërblyer atë. Ai zëvendësohet nga Fabregasi, i cili meriton notën 6, sepse më keq se Negredo është vështirë të bësh në një sfidë aq të rëndësishme.

ANALIZA E NDESHJES
NJERIU I NDESHJES Serxho Ramos është shpallur njeriu i ndeshjes nga UEFA. Përveçse perfekt në mbrojtje gjatë 120 minutave, ai arriti të trembë edhe fantazmat e finales së Ligës së Kampioneve, duke ekzekutuar “lugën” përballë Patricios, duke treguar siguri në vetvete.
MË I DOBËTI Negredo mund të luante kundër Irlandës, por jo kundër Portugalisë së Kristiano Ronaldos. Më shumë sesa një dëshirë e lojtarit, kjo zgjidhje u duk një kapriço e trajnerit Del Boske kundrejt medias që i kërkojnë me çdo kusht të luajë me Torresin. Gjithsesi, Negredo ishte inekzistent në fushë, ashtu si kolegu i tij në spondën portugeze, Almeida.
TAKTIKA Paulo Bento deri tani është specialisti, mjeshtri që ka ditur të bllokojë Spanjën, sepse kishte vite që kampionët hoqën dorë nga futbolli i tyre i shpejtë dhe nisën të përdornin topat e gjatë. Për më shumë, Portugalia e tij kurrë nuk rreshti së sulmuari, por ata që e tradhtuan ishin sulmuesit, që shpërdoruan shumë. Ndërsa Spanja ishte totalisht jashtë forme. Zotërimi i saj i topit ishte pak preciz dhe rastet për gol thuajse ishin zero. Del Boske provon disa herë që të ndryshojë aspektin taktik, por asgjë nuk ndryshon. Gjithsesi, merita e tyre është ftohtësia që treguan te penalltitë dhe kaluan.
MOVIOLA Asnjë episod praktikisht i dyshimtë. Mbase vetëm pak nervozizëm i tepruar në pjesën e dytë do kishte dashur një ashpërsi më të madhe nga ana e arbitrit turk.
TOP/FLOP Për Portugalinë, më të mirët ishin Ronaldo, Pepe, por edhe Mutinjo e Meireles, ndërsa për spanjollët, Ramos, Iniesta e Arbeloa. Në hije qëndroi Nani, ndërsa dështakët e mëdhenj ishin Negredo dhe Almeida.

Portugali-Spanjë, statistikat flisnin spanjisht
Historia e përballjeve mes Spanjës dhe Portugalisë fliste gjerësisht spanjisht. “Furitë e kuqe” kishin fituar pjesën më të madhe të përballjeve duke qenë dominues përkundrejt luzitanëve. Kështu, përfshi edhe këtë gjysmëfinale të “Euro 2012”, në 35 ndeshje të luajtura, që nga 1921-shi, Spanja ka arritur të marrë plot 16 fitore. Ndërkohë 13 ndeshje kanë përfunduar barazim dhe vetëm 6 janë fituar nga skuadra portugeze. Në këtë këndvështrim edhe golavarazhi duhet të flasë për spanjollët, të cilët kanë shënuar 72 gola dhe kanë pësuar 41 të tillë. Por ajo që e nxehte më tepër sfidën e radhës ishte se nga njëra anë luzitanët ruanin ende të gjallë eliminimin nga 1/16-at e Botërorit afrikan në 2010-ën, ndaj dhe donin medoemos që t’u kthenin reston spanjollëve. Nga ana tjetër, Spanja e Del Boskes zor se do ta ketë harruar atë humbje shokuese në 2010-ën në miqësoren 4-0 në Lisbonë. Spanja vinte si Kampione e Botës dhe u mund bindshëm nga “fqinjët e urryer” falë golave të Karlos Martins në minutën e 45- të të pjesës së parë, dopietës së Helder Postigas në minutat 49-të e 68-të dhe në fund ishte Hugo Almeida që vulosi këtë humbje turpëruese për Spanjën në minutën e 90-të. Shumë analistë në Spanjë në atë kohë e konsideruan si një humbje aksidentale dhe për më tepër në një miqësore që nuk vlente veçse për statistikë, por nga ana tjetër luzitanët e mbajnë si një arritje të madhe, të cilën donin ta konkretizonin edhe në përballjen e mbrëmjes së mërkurë, me shpresën se nuk do të ishin ata, që do largoheshin nga Evropiani. Penalltitë dërguan ata në shtëpi, kështu që misioni I të besuarve të Bentos mbaroi këtu.

Kampionët s’pësojnë gol në ndeshjet me eliminim
Spanja e mbyll portën e Iker Kasijasit kur vjen puna te ndeshjet me eliminim direkt në turnetë e mëdha. Kjo histori e bukur ka nisur menjëherë pas mundjes 1-3 nga Franca në turin e dytë të Kupës së Botës së vitit 2006. Në Euro 2008, iberikët thyen Italinë pas penalltive në çerekfinale, ndërsa 90 minutat plus shtesat përfunduan 0-0. Në gjysmëfinale ishte radha e Rusisë që u mund 3-0, ndërsa në finale mjaftoi një gol i Torresit për të mposhtur Gjermaninë. Në Botërorin 2010, kampionët e Evropës kaluan Portugalinë në turin e dytë, me fitoren 1-0, pastaj në çerekfinale, me këtë rezultat mundën Paraguain, në gjysmëfinale ishte sërish radha e Gjermanisë dhe në finale u thye Holanda. Në këtë Evropian, prova e parë ishte ajo ndaj Francës, e cila u fitua 2-0. Kasijas ka tashmë 9 ndeshje të tilla që nuk pëson gol dhe që do të thotë 900 minuta.

Derbi iberik, në 10 sfidat më të forta në botë
Traditë, inate të vjetra dhe rivalitet i pafund. Kështu mund të konsiderohej ndeshja Spanjë-Portugali, e cila është përfshirë në listën e 10 përballjeve më me rivalitet në botë. Në pjesën më të madhe Spanja dhe Portugalia janë takuar në ndeshje miqësore (plot 27 të tilla), por edhe aty nuk kanë munguar kartonët, loja e fortë dhe atmosfera e zjarrtë, duke i kaluar edhe caqet e një takimi miqësor. Sakaq, kësaj here loja nuk I kaloi caqet, edhe pse kryesori turk dha disa kartonë të verdhë, sepse të dyja skuadrat kishin nga një motiv më shumë: finalen e Evropianit, që për spanjollët do të ishte një rekord nëse do ta fitonin, pasi do ishte trofeu i tretë radhazi, ndërsa për portugezët do ishte hera e parë që do ta bënin të tyrin, nëse do t’ia arrinin. Ndërkohë në top-listën e përballjeve më të forta dhe me rivalitet në botë në vend të parë është Argjentinë-Brazil dhe pas saj vjen Argjentinë-Angli. Lista vazhdon me Portugali-Spanjë, Japoni-Kore e Jugut, Algjeri- Egjipt, Gjermani-Holandë, El Salvador-Honduras, Iran-Arabi Saudite, Kroaci-Serbi dhe Meksikë-SHBA.

Spanja dhe Kasijas, “makthi” i Ronaldos
Kristiano Ronaldo është një nga futbollistët më të mirë dhe, mbi të gjitha, më produktivë të viteve të fundit. Megjithatë, ylli i kombëtares portugeze nuk ka pasur shumë fat ndaj rivalëve të Spanjës. Ai nuk ka mundur t’u shënojë dot asnjëherë iberikëve, edhe pse nga duelet mes tyre ka fituar edhe një ndeshje 4-0, pikërisht në vitin 2010. Mirëpo, Kristiano nuk i ka shënuar dot asnjëherë gjatë karrierës së tij Iker Kasijasit. Ndërsa në duelet mes tij dhe Xherard Pike, bilanci është më pozitiv. Në 15 përballje që ka pasur kundër këtij të fundit, Kristiano ka arritur ta gjejë rrugën e rrjetës pesë herë, duke nënkuptuar se shtatlarti i Barcelonës nuk është i pakalueshëm.

Spanja s’ka humbur asnjëherë në gjysmëfinale, Portugalia vuan
Spanja nuk dështon asnjëherë në kalimin e gjysmëfinaleve të kampionatit evropian, sa herë që i ka arritur këto të fundit në të shkuarën. Më saktë, iberikët kanë qenë gjysmëfinalistë të Evropianit në tri raste më parë, në vitin 1964, 1984 dhe 2008. Në dy prej tyre e kanë fituar kompeticionin, kurse në vitin 1984 shkuan deri në finale, por u mundën nga Franca me rezultatin 2-0. Ndërkohë, krejt e kundërta është historia për Portugalinë. Luzitanët kanë qenë gjithashtu tri herë gjysmëfinalistë më parë në Evropian, por vetëm në një rast kanë arritur që ta kalojnë këtë fazë, duke siguruar finalen. Ka ndodhur pikërisht në vitin 2004, në edicionin që zhvillohej në Portugali, kur edhe humbën në finale kundër Greqisë. Ndërkohë, janë eliminuar si gjysmëfinalistë në vitin 1984 dhe 2000.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"