Inat dhe dëshirë për t’u rikthyer, piloti rus “thumbon” djalin e legjendës Shumaker: Për të flasin rezultatet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 16, 2022 | 15:13

Inat dhe dëshirë për t’u rikthyer, piloti rus “thumbon” djalin e legjendës Shumaker: Për të flasin rezultatet

Pushtimi rus në Ukrainë i kushtoi karrierën, teksa Nikita Mazepin u largua nga Formula 1 si rrjedhojë e masave të ashpra që ndërmori e gjithë bota e sportit ndaj Rusisë.

Motor Racing - Formula One Testing - Day One - Sakhir, Bahrain

Mes inatit për largimin nga kategoria më e lartë e automobilizmit dhe dëshirës së madhe për t’u rikthyer, 23- vjeçari nga Moska nuk i ka kursyer thumbat për ishkolegët në skuadrën Haas, e veçanërisht për Mik Shumakerin, djalin e shtatë herë kampionit të botës në Formulën 1.

Në një intervistë për revistën ruse “Championat”, Mazepin shprehet kështu kur pyetet për pilotin gjerman: “Mik? Për të flasin vetë rezultatet, nuk ke çfarë të shtosh”.

Mazepin evidenton zero pikët që Mik Shumaker ka në tabelën e klasifikimit, por rusi ka mendim krejtësisht të kundërt për pilotin tjetër të makinës Haas, Kevin Magnusen: “Për të nuk jam i befasuar aspak, sepse i di aftësitë që ka. Por më ka impresionuar edhe makina, pasi nuk e prisja që do të ishte kaq e shpejtë”. Mazepin flet edhe për largimin nga Haas, teksa tregon të gjithë zhgënjimin e tij, për faktin se nuk ka marrë asnjë mesazh.

“Çdokush mund ta gjykojë vetë. Nëse do të ishte përjashtuar qoftë edhe ndonjë mekanik me të cilin kam punuar, të paktën një mesazh do t’ia dërgoja, por me mua nuk është bërë askush i gjallë”, deklaroi Mazepin, i cili shpreson që të rikthehet sa më parë në Formulën 1.

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"