In memoriam/ Lot dhe dhimbje për Miço Papadhopullin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 17, 2019 | 22:16

In memoriam/ Lot dhe dhimbje për Miço Papadhopullin

BUJAR QESJA

bujar qesja

Hasa që herët me Sul Maliqatin, mikun tim më të afërt të mëngjeseve. E lamë të takoheshim në mesditë, për të diskutuar për të ftuarit e 7 nëntorit 2019. Dhe Miço Papadhopulli, pa dyshim mbetet ndër kryesorët.

Regjisori Ylli Pepo dhe drejtori i fotografisë Xhemal Reçi kanë përgatitur dokumentarin “Rikthim në Lajpcig” kushtuar “maces së zezë” Sulejman Maliqati, për atë paraqitje historike në lojërat e Lajpcigut të Gjermanisë Lindore në vitin 1958. Në përbërje të mbrëmjes, do të ishte edhe Miço Papadhopulli. Sul Maliqati erdhi në fakt në mesditë. I kishin komunikuar lajmin e hidhur, të ndarjes nga jeta të mikut të tij të ngushtë Miço Papadhopulli.

Papadhopuli

Unë nuk dija gjë dhe lajmi më kapi papritur dhe që të dy lotuam. -Tani Bujar, mbeta i vetëm. Unë dhe Miço jetonim nga Partizani i viteve ’50-’60, të atij Partizani historik dhe të paharruar. Familja dhe Sul Maliqati janë dyshja që e ndien më shumë këtë dhimbje, këtë humbje, këtë mungesë të madhe të futbollit shqiptar. Sula u largua me shpejtësi, për të kapur homazhet në nderim të shokut të tij të futbollit.

Kishte vënë duart mbi kokë dhe që në ecje kuptohej që dhimbja ishte e madhe. -Tani mbeta partizani i vetëm, i atij Partizani të jashtëzakonshëm me emra të mëdhenj. Kështu tha Maliqati dhe nxitoi me hapat e një burri që kërkon edhe 8 vite të mbushë shekullin e jetës së tij të gjatë.

Me profesor Miçon, më lidh edhe një moment nga rinia ime e hershme. Isha vetëm 16-17 vjeç djalë, kur erdhi ne Durrës në krye të ekipit të Lokomotivës Miço Papadhopulli. Asokohe isha me ekipet e moshave në futboll, por luaja edhe në formacionin kryesor, me ekipin Shpresa të Lokomotivës deri në 21 vjeç. Isha shtatlartë, me një përgatitje atletike për t’u pasur zili dhe me një kondicion fizik konkurrues.

mico-bujari

Pikërisht ky, Miço Papadhopulli, më shikon dhe më thërret në ekipin e parë dhe fillova stërvitjen me Lokomotivën e madhe. Jam stërvitur përkrah mikut të vjetër, të paharruarit Safet Berisha, një njeri brilant, i madh ashtu sikundër u bë më vonë futbollist i tillë. Në kohën kur erdhi në Durrës Papadhopulli, filloi një revolucion në futbollin durrsak në të gjitha strukturat. Në mos gaboj kjo kohë ishte viti 1967-1968.

Ai kreu një punë të jashtëzakonshme, pasionante, plot durim, mjeshtëri e profesionalizëm, Miço Papadhopulli është inkuadruar në kapitujt më të arritur te futbollit durrsak. Ky partizanas 24 karat bëri një emër të madh, në saje të natyrës së tij dashamirëse, të humorit dhe zemërmadhësisë së tij të pashembullt, ku u kthye në një figurë qendrore dhe pikë referuese e sportdashësve dhe qytetarisë durrsake.

Edhe sot e kësaj dite, kur profesor Papadhopulli vinte në Durrës, atij i rezervohej një pritje njerëzore dhe shumë, shumë miqësore. Krejt rastësisht jemi takuar me 23 prill 2017, ditë kur është fiksuar edhe fotoja që prezantojmë, në lokalin e mikut tim të vjetër Rifat Erzeni. Ishte një rastësi që më gëzoi shumë dhe ma qëndisi shpirtin atë ditë. Por ky 16 tetor 2019 erdhi i trishtë për komunitetin e futbollit dhe veçanërisht për shokun e vetëm që i kishte mbetur, Sul Maliqatit. Vetëm 9 ditë pas 86-vjetorit të lindjes, vjen edhe ajo që nuk e pritnim, largimi i tij nga jeta.

Rruga sportive e Miço Papadhopullit njihet dukshëm nga sportdashësit dhe qytetaria shqiptare. Futbollist i Partizanit në vitet ’50 dhe ’60, i ekipit kombëtar të Shqipërisë, trajner dhe specialist futbolli, pedagog dhe president i Federatës Shqiptare të Futbollit, përfaqësues në disa vite në komisione të ndryshme në UEFA.

Por Miço Papadhopulli do të mbetet gjithnjë në kujtesë si njeriu brilant, qytetari model, prindi dhe familjari i veçantë. Zotnia mbresëlënës, dashamirësi ndaj kujtdo, të këtij tiranasi të lashtë me pasaportë durrsake, që quhet Miço Papadhopulli. Gjithnjë do të çmojmë dhe vlerësojmë, figurë qendrore e futbollit, i paharruari ynë Miço Papadhopulli. Dheu i lehtë mik!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"