IN MEMORIAM/ Lamtumirë Sazan Velçani!

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 10, 2020 | 22:59

IN MEMORIAM/ Lamtumirë Sazan Velçani!

Nga Hulusi Hako

Të premten e 21 gushtit Patosi përjetoi një ditë të vështirë, pa masë të rëndë! Njerëz të shumtë, përfshi dhe punonjësit e bashkisë, me dhimbje të madhe përcollën për në banesën e fundit një nga bijtë e shquar, Sazan Velçanin, njeriun e mirë, bashkëshortin e prindin shembullor, një vëlla të dashur, mik e shok për kokë të aq shumë njerëzve, ish-naftëtarin, ish-arbitrin e dashur.

U kthye pa jetë një trup i bukur; kish pushuar së rrahuri në një spital të Barit (Itali) zemra e një 56-vjeçari, pikërisht kur duhet të jetonte dhe aq shumë do t’i jepte shoqërisë dhe familjes. Kjo ikje nga jeta, kaq e parakohshme, krejt e papritur, u përjetua si humbje e madhe, nga një masë e madhe njerëzish, që shoqëruan kortezhin; virtualisht, dhe nga mijëra sportdashës, që e kanë ndjekur nga shkallët e stadiumeve në mbarë vendin, në Ballkan dhe Evropë, në ndeshje kombëtare dhe ndërkombëtare. Një rast tipik, ku vdekja u shfaq më mizore dhe e pabesë!

Sazani6

Sa shumë i ka rënduar ai arkivol me trupin pa jetë edhe tragetit që e solli nga Bari në Vlorë! Shprehja e kujës në vargje është një gjetje dhe zgjidhje e mrekullueshme e shpirtit të popullit tonë; se nëpër to spikat një forcë e veçantë ngushëllimi e lehtësimi. Edhe në këtë rast, veç kur ia behu gurra popullore me shpërthimin: Një traget lundron ngadalë, në detin pa dallgë, pa valë. Në zi e me respekt edhe natyra, i zbut fytyrat tona të nxira.

Trupin të mos e lëndojë, nga gjumi thellë mos e zgjojë. Ktheje kokën, bir, të shikosh Sazanin, ishullin ku shërbeve ushtar për vatanin; dil në mol të Vlorës, të presim, të duam, me lule, flamurë, plot për plot në duar. Gjëmoi kjo sirena, si sinjal i kobshëm. Një vello e zezë ma mbuloi përmortshëm.

Sazani

Nga gjiri ynë u nda një pasardhës, u shpreh kryetari i organizatës së veteranëve të qytetit, Harrun Nazëraj, një anëtar i armatës së madhe atdhetare të veteranëve të Luftës Antifashiste Nacionalçlirimtare, pjesëtar aktiv i atij organizmi të shoqërisë civile që mban gjallë kauzën e lirisë, traditën patriotike të luftës sonë të madhe partizane. Me solidaritet, respekt e dashuri njerëzore, ata ndanë dhimbjen e pikëllimin e humbjes së madhe, dhanë dhe mesazh të fuqishëm ngushëllimi për më të afërmit e të ndjerit.

Po ngushëllimi më i fuqishëm për të gjithë, farefisin, rrethin miqësor e shoqëror, për krejt dashamirësit, mbeten tre fëmijët, Besi, i arsimuar e i aftësuar në fushën sportive të të atit; Sadeva dhe Isabela, me arsim të lartë. Me nënën e tyre, Verën, bijën fisnike e me tradita të Skraparit, tanimë, me pozitën dhe rol të dy dyfishtë prindëror, do të mbajnë lart emrin dhe veprën e Sazanit, do të shtojnë vlerat e virtytshmërisë dhe profilit sportiv me vënien në jetë edhe të sa e sa projekteve, ëndrrave e dëshirave të parealizuara të më të dashurit të tyre, të paharruarit Sazan.

Në këtë degë të trungut Velçani, ka dhe një hallkë më delikate. Janë dy filizat, nipi 4-vjeçar Deni Basha dhe mbesa e porsalindur Evelina. Erdhën edhe ata që nga Kosova për t’i dhënë lamtumirë gjyshit të vet. U ndanë përfundimisht, me dashuri e mall të pashuar, se s’kishin të ngopur me njëri-tjetrin.

Pas një ndarjeje të tillë hyn në fuqi amaneti gjyshëror, që ata të rriten të lumtur, trima, të zgjuar e me kokë lart e krenarë për gjyshin e vet të mirë! Pinjoll i denjë i një familjeje atdhetare e të virtytshme, mungesën e nënës në moshën 11-vjeçare e kompensoi me kujdesin e babait, motrave dhe vëllezërve më të rritur. Një shkollë më vete iu bënë vështirësitë e jetës; i zellshëm deri në arsimin e lartë pa shkëputje nga puna, i pasionuar edhe në jetën sportive; i kualifikuar brenda dhe jashtë shtetit për arbitrim, me vlerësime të larta nga Federata Kombëtare e Futbollit, nga FIFA etj. Sazani na qëlloi jetëshkurtër.

Velcani Sazan

U nda nga jeta në kulmin e forcave dhe aftësive të mëdha, po figura dhe vepra e tij është e bollshme, e pasur, me gjurmë të thella e mbresëlënëse në kujtesën e bashkëkohësve. I pashëm, simpatik dhe energjik, me shpirt të pastër, rrezatues i kulturës, edukatës dhe mirësisë. La emër të mirë, me veprimtari konstruktive e të dobishme. Për gjithë ne të tjerët zë vend fjala e thënë me mend: Ç’e ka zënë njeriun dhe nuk e ka përballuar.

Edhe pse duke ngjitur shkallët e lumturisë, ranë në humbjen e pazëvendësueshme dhe pikëllimin e madh, janë po më të lënduarit, bashkë me më të afërmit, të dashurit e dashamirësit e tyre, që dhimbjen e madhe do ta kthejnë në forcë, vitalitet dhe optimizëm. Tek e fundit, objekt i ligjit absolut të natyrës të gjithë jemi; herët apo më vonë, edhe vdekjen borxh e kemi; është edhe vetë natyra plot me pabarazi e padrejtësira; prandaj Sazanit lamtumirën e fundit ia dhamë me zemër shumë më të thyer!

PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"