IN MEMORIAM/ Ilia Rafail Teneqexhi, mjeshtri që shkroi historinë në basketboll

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Janar 11, 2022 | 19:56

IN MEMORIAM/ Ilia Rafail Teneqexhi, mjeshtri që shkroi historinë në basketboll

Më 11 nëntor të vitit 2021 u nda nga jeta në moshën 85-vjeçare mjeshtri i sportit, një nga basketbollistët e shquar të Shqipërisë në v. 1957-‘66, Ilia Teneqexhi. Ilia (ose shkurt Ila, siç e thërrisnin të afërmit dhe shokët) u lind në qytetin e Korçës në 1 qershor 1936 në një familje zejtarësh atdhetarë e arsimdashës. Qysh fare i ri ai kishte 2 pasione: punën dhe sportin.

WhatsApp Image 2022-01-11 at 9.32.12 PM (1)

Nga i ati, Rrapi (një nga llamarinistët më të mirë të Korçës), ai që i vogël mësoi mjeshtërinë dhe pa mbushur 14 vjeç filloi të luante basketboll, volejboll, madje edhe futboll si zëvendësues. Basketbollin e filloi me të rinjtë e Skënderbeut në vitin 1951. Si trajner të parë ka pasur Qirjako Treskën; në fillimet e tij është ndihmuar edhe nga Ilo Jorgji dhe Kiço Gjata. Me këtë të fundit (i diplomuar ne Hungari për fizkulturë e më vonë drejtues i Fizkulturës e Sporteve në Korçë) ka luajtur në Kombëtaren e basketbollit në vitin 1957.

Mbasi luajti disa vite me të rinjtë, në moshën 18-vjeçare u aktivizua me të rriturit e Skënderbeut. Shok ekipi në fillim kishte Kiço Gjatën, Pirro Ktonën, Ferdinand Qiricin, Niko Faberin, P. Bellkamenin, V. Llogorin dhe pastaj më vonë Llazi Tërovën, Alfred Bardhin, Gaqo Demirin etj. Në fillim të vitit 1957 ai filloi shërbimin e detyruar ushtarak në Gjirokastër dhe këtu ra në sy të specialistëve si basketbollist cilësor. Menjëherë mbas betimit ushtarak u përfshi në klubin Partizani të kryeqytetit në mars 1957. Këtu ai do të gjente basketbollistë të kalibrit të lartë si M. Përmeti, Nj. Lleshi, A. Greva, I. Taska. Pak më vonë në ekipin e Partizanit do të vinte edhe bashkëqytetari i tij i talentuar F.Qirici. Në ekipin e Partizanit Ila do të formohej plotësisht si një basketbollist i nivelit të lartë. Prej këtu atij do t’i hapej rruga edhe për në përfaqësuesen shqiptare të basketbollit. Trajneri i mirënjohur i basketbollit të Partizanit dhe Kombëtares, Naim Pilku, do ta kishte Ilën lojtar bazë të formacionit në v.1957-‘59. Vitet 1957-‘62 ishin vite të arta për sportin shqiptar.

Shqipëria do të përfaqësohej në shumë veprimtari ndërkombëtare, që zhvilloheshin në vendet e ish-kampit socialist, por gjithashtu do të thyente akullin edhe në marrëdhëniet e lidhjet sportive me botën kapitaliste (Vjenë 1959, Stamboll 1961 dhe Helsinki 1962). Edhe basketbolli modest shqiptar që sapo kishte filluar të modernizohej, u mundua të thoshte fjalën e tij në arenën ndërkombëtare. Ila, duke qenë titullar i padiskutueshëm i ekipit kampion Partizani, u përfshi menjëherë në Kombëtaren e drejtuar nga Naim Pilku. Në dt. 20-30.VI.1957 në Sofje të Bullgarisë u zhvilluan finalet e Kampionatit Europian të Basketbollit dhe Shqipëria e drejtuar nga N.Pilku do të merrte pjesë me këtë ekip: F.Meka (kapiten), Xh. Kona, F. Borova, Dh, Goga, M. Përmeti, K. Gjata, I. Teneqexhi, F. Qirici, M. Sokoli dhe S. Sotiri.

Po ky ekip në korrik 1957 do të zhvillonte në Berlin një takim miqësor me përfaqësuesen e RDGJsë. Dhe pak më vonë do të nisej drejtpërdrejt nga Berlini për të marrë pjesë në Lojnat III Sportive Ndërkombëtare dhe Festivalin VI Ndërkombëtar të Rinisë që u zhvillua në Moskë nga 29 korrik – 10 gusht ‘57 . Në Lojnat III Ndërkombëtare të Rinisë në Moskë, ekipi i basketbollistëve shqiptarë (zuri vendin e dytë) zhvilloi 7 ndeshje dhe meritoi medaljet e argjendta. Në dt. 20-29 shtator 1958 në Lajpcig dhe qytete të tjera të RDGJ-së u zhvillua Spartakiada e parë Verore e Ushtrive Mike. Ekipi i ushtarakëve shqiptarë Partizani (M. Përmeti, Xh. Kona, P. Murzaku, Nj. Lleshi, N. Hercek, I. Teneqexhi, F. Qirici, Q. Shalësi, A. Greva, E. Korça, I. Taska dhe trajner Naim Pilku) zuri vendin e 10-të ndër 12 ekipe duke lënë prapa sportistët ushtarakë të Vietnamit të Veriut dhe të Mongolisë. Ekipi ynë Partizani zhvilloi 8 takime me skuadra të shquara si: Vorwarts (Berlini Lindor), CDNA (Sofje), Dukla (Pragë), Legia (Varshavë) etj. Të gjitha këto takime ndërkombëtare qenë një përvojë e madhe edhe për basketbollistin e talentuar Ilia Teneqexhi.

Qysh në aktivizimet e para me Partizanin në shkurt 1957, emri i basketbollistit shtatlartë (192 cm) Ilia Teneqexhi do të bëhej i njohur për dashamirësit e sportit të koshit. Gazeta “Sporti popullor” do ta përmendte shpesh emrin e tij. Kështu, në anketën e kësaj gazete “Cili është mendimi juaj?” në muajt maj-qershor 1957 krahas emrave të Mekës, Borovës, Xh. Konës, Gogës dhe Papës, do të propozohej I. Teneqexhi në 5-shen më të mirë të koshit shqiptar. Ila e përfundoi shërbimin e detyruar ushtarak në mars 1959 dhe ndonëse klubi Partizani i propozoi të qëndronte në Tiranë, për arsye familjare ai vendosi të kthehej në qytetin e tij të lindjes, Korçë. Filloi punën si mekanik fillimisht në NSHN e Korçës e më vonë u stabilizua në Ndërmarrjen Metalike ku mbërriti të bëhej përgjegjës reparti.

Njëkohësisht nuk iu nda sportit të tij të zemrës: topkoshit. Tashmë ai do të ishte një nga lojtarët kyç të Skënderbeut. Gazeta “Sporti popullor” e dt. 20 maj 1959 do të shpallte emrat e 22 sportistëve, të cilët fituan titullin “Mjeshtër Sporti” për rezultate të larta gjatë v.1958. Në basketboll për meshkuj, krahas Përmetit, Lleshit, Hercekut e Qiricit (të klubit Partizani), Haxhiut, Shatkut, Ademit e Osmanit (të Vllaznisë) rreshtohej edhe Teneqexhiu i Skënderbeut.

Në numrin e datës 3 qershor 1959, po gazeta “Sporti popullor” në faqen e parë vinte fotot e 4 mjeshtrave të rinj: E. Haxhi, R. Jashari, I. Teneqexhi, N. Bespalla. Në qershor 1959 Ila luajti në takimin miqësor Shqipëri–RDGJ, që u zhvillua në Tiranë. Ai sapo kishte mbushur 23 vjeç dhe ishte në kulmin e fuqive fizike. Në dt. 12-16 gusht 1959 në Bukuresht u mbajt Kampionati Ballkanik i Basketbollit dhe Shqipëria u përfaqësua me ekipin e përbërë nga Xh. Kona (kapiten), M. Përmeti, N. Llalla, N. Hercek, Nj. Lleshi, P. Murzaku, A. Greva, I. Teneqexhi, F. Meka e Q. Shalësi, të drejtuar nga mjeshtri i mirënjohur Naim Pilku. Përfaqësuesja shqiptare zhvilloi 4 takime me përfaqësueset e Rumanisë, Jugosllavisë, Bullgarisë dhe me të rinjtë e Rumanisë, duke i humbur që të katra.

Ndeshjet e Bukureshtit do të ishin për Ilën të fundit me Kombëtaren shqiptare të basketbollit. Por, ai do të vazhdonte me sukses karrierën e tij sportive brenda vendit si sportist i dalluar i Skënderbeut dhe më vonë për disa kohë në fillim të v. ‘70 edhe si trajner i të rinjve basketbollistë të këtij klubi. Më 4 tetor 1959 u çel me shumë bujë Spartakiada I Kombëtare e Sportit në Tiranë. Basketbollisti 23-vjeçar I. Teneqexhi pati nderin të parakalonte me flamur para tribunës në krye të dërgatës sportive të rrethit të Korçës. Kjo ishte tepër domethënëse.

Ekipi i basketbollit të Skënderbeut, në fillim te viteve ‘60, mbas përfshirjes në ekip edhe të F.Qiricit dhe Ll. Tërovës (që për 2-3 vite luajtën përkatësisht me Partizanin dhe Universitetin) u fuqizua së tepërmi dhe filloi të konkurronte denjësisht me ekipet më të mira të asaj kohe në basketboll: Partizani, 17 Nëntori, Vllaznia e Lokomotiva. Treshja Qirici, Teneqexhiu dhe Tërova u bë e njohur në të gjithë vendin. Më 11 gusht 1960 Skënderbeu u ndesh n Korçë me përfaqësuesen e të rinjve të Kinës (35-78). Sipas korrespondentit të “Sportit popullor”, u dalluan nga korçarët Tërova, Hyskja, Teneqexhiu dhe Gjata. Në 21 qershor 1961 Skënderbeu u ndesh në Korçë me BVSC të Budapestit (klubi sportiv i hekurudhave të kryeqytetit maxhar) dhe mbas një loje të fortë humbi 55-64. Teneqexhiu do të spikaste edhe në këtë ndeshje.

Ai vazhdoi të luante si titullar i Skënderbeut deri në v. 1968. Me Ilën, P. Ktonën, Ferdinand Qiricin, Ll. Terovën, V. Llogorin, Niko Faberin, Alfred Bardhin, G. Demirin, P. Bellkamenin etj., Skënderbeu i atyre viteve mbërriti të dilte deri i treti në kampionatin kombëtar të basketbollit. Ja ç’kujton për Ilën dhe Skënderbeun e viteve ‘60 në basketboll miku dhe shoku i tij, Alfred Bardhi: “Ila shquhej më tepër si një lojtar anësor me gjuajtje të sakta nga larg. Në tabelë, për cilësitë përkatëse, qëndronte Nandi; në qendër vendoseshin Llazi, Fredi dhe Gaqo Demiri. Ila qëndronte më shumë anësor; furnizohej dhe gjuante. Ishim një ekip kompakt dhe harmonik.

I kujtoj me shumë mall ato vite. Më vjen keq që nuk dolëm më lart se vendi i tretë në kampionat. Nëna e Ilës, Viktoria, me të vërtetë grua e rrallë, na priste ne sportistet si djemtë e saj. Ila i begeniste dhe i ndihmonte shokët, sidomos më të rinjtë. Edhe në punë ishte shumë serioz dhe i aftë. Vitet e fundit para se të dilte ne pension, punoi si përgjegjës i sektorit teknik në fabrikën e miellit në Korçë… E kisha shok, mik, vëlla”. Fjalët më të mira për Ilën i thotë edhe bashkëmoshatari e bashkëlojtari i tij te Partizani, mjeshtri i merituar i sportit, Muharem Përmeti: “Me Ilën u njoha dhe u miqësova qysh në pranverën e vitit 1957, kur erdhi nga Gjirokastra në Tiranë te Partizani. Ishte një basketbollist i rrallë.

Në ato vite ne i kishim të paktë basketbollistët me shtatin e tij (192 cm), të aftë të ndesheshin një për një me shtatlartët e huaj. E kujtoj edhe për cilësitë e tij njerëzore si njeri me shumë vullnet e korrekt. Ai këndonte edhe bukur. Njëherë në Gjermani u mbush plot holli i hotelit ku qemë akomoduar ne, sportistët nga Shqipëria, për të dëgjuar zërin e Ilës, të shoqëruar në piano nga Niko Herceku i Durrësit…

Na erdhi keq që Ila nuk qëndroi te Partizani në Tiranë”. Teneqexhi ka qenë anëtar i Federatës Shqiptare të Basketbollit në vitet ’70-’80 dhe në vitin 2009 është dekoruar me “Emblemën e Artë” në sport. Ila Teneqexhi, me trupin vigan dhe fytyrën burrërore, që na kujton aktorin e shquar britanik Peter W. Postlethwaite, do të sillet ndër mend në breza si sportisti i rrallë dhe njeriu korrekt i shkrirë në një.

Gjergj M. Zavalani-PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"