Impenjim maksimal, Kamza si finale me Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Prill 5, 2018 | 19:35

Impenjim maksimal, Kamza si finale me Kukësin

Rezultatet e javëve të fundit kanë vështirësuar disi pozitat e skuadrës së Kamzës në tabelën e klasifikimit dhe kryeqytetasit e shohin veten pesë pikë larg zonës së ftohtë. Në një situatë të tillë, të besuarit e trajnerit Ndreu duhet të sigurojnë pikë në ndeshjet që do të luajnë në shtëpi dhe e radhës është ndaj Kukësit.

kukesi-kamza-plaku-hallaci-470x313

Verilindorët po kalojnë një moment të mirë në kampionat dhe për kamzalinjtë trepikëshi do të jetë disi i vështirë për t’u arritur, por nuk kanë rrugëdalje tjetër. Kjo, ndikuar edhe nga ndeshjet që luajnë rivalët e fundit të tabelës, ku Vllaznia pret Lushnjën dhe Teuta shkon në Gjirokastër.

Trajneri Ndreu ka kërkuar nga futbollistët e tij impenjim maksimal, që të paktën të mos pësohet humbje, e cila do të ishte mjaft e rëndë për të ardhmen. Nga ana tjetër, tekniku po mendon edhe për formacionin, duke parë emergjencën që ka në mbrojtje. Kuqi dhe Frashëri janë mungesa të sigurta, por probleme dëmtimi ka shfaqur edhe Idrizaj, për të cilin do të vendoset në vijim nëse do të luajë apo do të qëndrojë në stol.

Mbrojtja ka qenë një nga repartet ku kamzalinjtë kanë pasur probleme dhe një gjë e tillë është pranuar herë pas here nga stafi teknik. Nga ana e tij, klubi pritet që të marrë masa edhe për të hapur dyert për tifozët, në mënyrë që ekipi të ketë mbështetjen e duhur për të arritur një rezultat pozitiv aq të nevojshëm. Por, edhe kalendari nuk është treguar shumë i favorshëm, pas kësaj përballjeje ekipi i Ndreut do të udhëtojë në transfertë ndaj Skënderbeut, që kryeson klasifikimin.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"