Imobile: Me Shqipërinë nuk do jetë shëtitje, ma premtoi Strakosha

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 22, 2017 | 14:40

Imobile: Me Shqipërinë nuk do jetë shëtitje, ma premtoi Strakosha

Nëse Shqipëria dëshiron të largohet me pikë nga Palermo duhet të tregojë mbi të gjitha vëmendje maksimale ndaj Çiro Imobiles, i kthyer përsëri në formën më të mirë dhe në pikë referimi për sulmin e Italisë.

imobile beloti

Futbollisti po kalon një sezon të shkëlqyer me Lacion dhe shpreson që të vazhdojë me të njëtat ritme edhe në Kombëtare, ku ka realizuar 4 gola në 4 ndeshjet zyrtare. Megjithatë, ai është I ndërgjegjshëm se ndaj Shqipërisë nuk do të jetë e lehtë.

“Shqipëria vjen nga Europiani dhe nuk është një shëtitje për ne. Do të mbrojë rezultatin me thonj e me dhëmbë. Duhet të japim maksimumin ndaj saj, kushdo që do të zbresë në fushë, do të japë maksumimin. Me siguri që edhe do të vuajmë, edhe të sulmojmë”, tha ai në konferencën e sotme për shtyp.

Një element që Imobile njeh mirë është Thoma Strakosha, shoku i tij i skuadrës te Lacio, i cili është kandidat për të zbritur në fushë që nga minuta e parë me fanellën kuqezi edhe në Palermo.

imobile strakosha

“Kam folur me të, më ka thënë se do të na e vështirësojnë jetën, por do të bëjmë gjithçka për t’i mundur. Në Palermo kam luajtur dy herë, është shumë vend i bukur, atmosfera është e bukur, momenti i himnit është fantastik. Por Strakosha nuk ma tregoi formacionin e Shqipërisë”, deklaroi duke qeshur sulmuesi.

Në fund, nuk mund të mungonin elozhet edhe për një tjetër shqiptar, Igli Taren, i cili ka arritur të ndërtojë një skuadër si Lacio që është shfaqur pretendente për objektiva ambicioz, pavarësisht vështirësive.

“Nuk ishim favoritë në start pasi ndodhi kaosi me Bielsën, por gjërat shkuan në vend kur mbërriti Inzagi. Tare, Lotito dhe Peruci po bëjnë një punë shumë të mirë. Askush nuk e priste këtë, as vetë ne”, tha Imobile.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"