Imobile-Ikardi, sfida e “binjakëve” të ndryshëm

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 19, 2018 | 21:58

Imobile-Ikardi, sfida e “binjakëve” të ndryshëm

Të dielën në mbrëmje, në “Olimpiko”, Lacio dhe Interi do të luajnë një ndeshje që vlen një sezon të tërë dhe një vend në Ligën e Kampioneve. Dhe të dyja skuadrat do të varen nga bomberat e tyre, respektivisht Çiro Imobile dhe Mauro Ikardi. E përditshmja “Corriere della Sera” ka analizuar jetën, vështirësitë, madhështinë dhe arritjet e mëdha të këtyre dy sulmuesve, por duke u ndalur mbi të gjitha te sezoni aktual dhe te ndeshja e nesërme, e cila përveç Champions-it luhet edhe për “Kë- pucën e Artë” të Serisë A.

imobile ikardi

Origjina – Çiro Imobile, për të mbërritur atje lart, e ka nisur nga shumë larg: Torre Anunciata. Mauro Ikardi edhe më nga larg, nga lagjet e Rozarios. Familje e përulur për italianin, familje shumë e varfër ajo e argjentinasit… Historia e tyre është pak a shumë e ngjashme, sepse që në moshë të re braktisën shtëpi e familje për t’u bërë kampionët e sotëm; arritën klube të mëdha, respektivisht Juventus dhe Barcelona, por u “dëbuan” dhe iu desh që ta nisnin sërish nga e para. Jo nga zero, por gjithsesi nga realitete që janë në kufij të futbollit që vlen: Seria B dhe Peskara për Imobilen, Sampdoria për Ikardin.

Kampionati – Këtë sezon kanë qenë sulmuesit më të mirë të futbollit italian dhe nëse shumë prisnin që Ikardi të shënonte me breshëri, si gjithmonë, pak prisnin që Imobile të përsëritej në nivelet e sezonit të kaluar dhe, madje, ka bërë edhe më mirë se vjet. Çiro dhe Mauro kanë pasur një udhëtim të ngjashëm në kampionat, thuajse prej binjakësh: sulmuesi i Lacios ka luajtur 32 ndeshje, duke shënuar 29 gola (mesatarja 0.9 gola për ndeshje); sulmuesi i Interit numëron 33 prezenca, duke realizuar 28 gola (mesatarja 0.84 gola për ndeshje). Sivjet janë ndalur pak, për probleme muskulore dhe skuadrat e tyre e kanë ndier shumë mungesën e tyre dhe këtë e sqarojnë qartësisht sfidat: pa bomberin e tyre në pesë ndeshje, Lacio ka mundur të shënojë vetëm një fitore, ndërsa Interi që i është dashur të bëjë 4 ndeshje pa Ikardin, ka fituar vetëm dy.

Diferenca e vetme është se Imobile e ka hasur së fundmi problemin në kofshë, ndaj nuk vjen në formën maksimale me Interin, por gjithsesi për duelin direkt do të shtrëngojë dhëmbët. Ndërsa, Ikardi fizikisht është “top”, por mund të ndiejë presionin e sfidës. Gjithsesi, fakt është që prej të dyve priten shkëndija në distancë, sepse nëse Çiro ka shënuar saktësisht 1/3-ën e golave të Lacios, Mauro mban peshën e 44 për qind të golave të Interit.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"