Iljazi në dyshim, Erzeni ka një shans sot ndaj Kastriotit për të kapur kreun e renditjes

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 2, 2022 | 10:14

Iljazi në dyshim, Erzeni ka një shans sot ndaj Kastriotit për të kapur kreun e renditjes

Pas atij barazimi dramatik në sekondat e fundit ndaj Vllaznisë, që gëzoi pamasë çdo tifoz shijakas në “Loro Boriçi”, sot Erzeni pret Kastriotin në stadiumin “Niko Dovana” në orën 13:00.

ERZENI

Për herë të parë këtë sezon, skuadra shijakase nuk do të ketë armën e saj më të fuqishme, që janë tifozët.

Duke qenë se fusha e Erzenit është dënuar me 4 ndeshje pa praninë e spektatorëve, stadiumi do të jetë i boshatisur dhe sportdashësit shijakas do të kenë mundësi të ndjekin ekipin e zemrës vetëm përmes televizorit.

Vetëm në përballjen derbi të javës së 12-të ndaj Teutës, tifozët do të kenë mundësi të shikojnë Erzenin nga stadiumi, pasi pritës janë “djemtë e detit”.

SITUATA

Në dy sfidat e fundit në transfertë ndaj Tiranës dhe Vllaznisë, skuadra e Xhevahir Kapllanit ka marrë katër pikë, duke i tejkaluar parashikimet.

Sot ndaj Kastriotit do të kërkohet fitorja, në një kohë që ndeshja e parë mes tyre në Kamzë ka përfunduar me rezultatin 0-0. Mësohet se grupi është i plotë, me përjashtim të një dyshimi që do të zgjidhet vetëm në momentet e fundit, pas mbrojtësi i djathtë, Ardit Iljazi, është dëmtuar dhe nuk ka garanci nëse do të jetë në fushë.

Kapllani ka bërë shumë ndryshime së fundmi, si për sa i përket skemës, ashtu edhe titullarëve.

Gjasat janë që mund të kemi një rrokadë në mesfushë mes sllovenit Kriviçiç dhe brazilianit Alan, ndërsa varianti taktik pritet të konfirmohet ai i dy ndeshjeve të fundit: 3- 5-2.

Atmosfera në ekip është pozitive dhe të gjithë shpresojnë në një paraqitje dinjitoze dhe marrjen e tri pikëve, që si kurrë më parë në histori do ta çonin Erzenin përkohësisht në vendin e parë.

ER (1)

RONALD FAJA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"