Ilir Daja: Nuk u ndërhyj të tjerëve, ju tregoj planin e ri te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 14, 2018 | 19:45

Ilir Daja: Nuk u ndërhyj të tjerëve, ju tregoj planin e ri te Flamurtari

Flamurtari starton zyrtarisht përgatitjet për sezonin e ri futbollistik. Administratori Sinan Idrizi doli para mediave, teksa kishte në krahë trajnerin e ri Ilir Daja, drejtorin Edmond Liçaj, por edhe zëvendëstrajnerin e ri, Ardian Mema. Me batuta, por edhe me mesazhe për trajnerin Daja, që, sipas tij, nuk do ta ketë të lehtë në Vlorë. “Ju zyrtarisht e dini që Ilir Daja është trajner i Flamurtarit. Sot (dje) është një hapje zyrtare e sezonit, pasi me profesor Ilirin kemi kohë që kemi pikëzuar fillimin e rrugëtimit tonë. Me pjesën tjetër të stafit njiheni.

daja flamurtarii

Pranë profesorit është tashmë edhe zëvendësi i tij, Ardian Mema, profesor Edmond Liçajn e njihni, mungon këtu në panel me ne Ardi Behari, që rri pas kuintave gjithmonë, por këtë herë duhet të jetë më aktiv. Kjo është historia. I uroj suksese profesor Dajës dhe gjithë ekipit! Profesor Edmond Liçaj është ai që ka qenë, është dhe do të mbetet. Është nga ata që i ka dhënë ngjyra Flamurtarit. Kurse ne thjesht jemi, nuk e di a do të mbetemi apo jo, pasi nuk kemi qenë. Suksese Daja! E di që kemi një mision shumë të vështirë. Jemi në Vlorë dhe ne vlonjatët e kemi të vështirë suksesin, por kur e marrim suksesin pastaj, gropën e bëjmë dyfish. Vetëm të shpresojmë që do të shkojnë punët ashtu sikundër kemi dashur”, u shpreh në nisje të fjalës së tij Idrizi.

daja flamurtari

I pyetur për objektivat, Idrizi përsëriti atë që ka thënë gjithmonë. “Objektivat e Flamurtarit janë ato të zakonshmet dhe të përvitshmet, në respekt të fanellës dhe asgjë tjetër. Pavarësisht se Ilir Daja është mësuar me disa gjëra plus nga ato që nuk i kemi ne, te mua çdo gjë fillon dhe mbaron te respektimi i fanellës”, u shpreh Idrizi.

TRAJNERI

Ilir Daja foli gjerësisht përpara mediave për nisjen e punës në krye të Flamurtarit. Edhe pse e cilësoi të vonuar nisjen e përgatitjeve, Daja tha se nuk duhet nxituar, pasi Flamurtari nuk ka nevojë për sasi, por për cilësi. “Nisim sot (dje) zyrtarisht një bashkëpunim të ri me Flamurtarin. Për të folur për objektivat e Flamurtarit, dihen që ato janë në ADN-në e vetë klubit, pasi është një klub me traditë në futbollin shqiptar. Ne do të flasim për objektiva konkrete me formatimin e plotë të ekipit.

ilir daja flamurtari

Kemi dy drejtimet kryesore për momentin, që janë: riformatimi deri në fund, jo me numra, por edhe me vlera që t’u përgjigjen objektivave që ka klubi. Paralelisht, kemi startuar sot (dje) ndoshta me një numër të reduktuar lojtarësh stërvitje,n për arsye sepse fillimi i kampionatit është në 19 gusht dhe koha në dispozicion është e limituar. Natyrshëm që nuk do të nxitohemi. Do të përdorim një shprehje të taktikës së futbollit, që do të tentojmë të rrisim ritmin, por pa humbur atë që është më kryesorja: saktësinë. Kjo do të thotë se po përpiqemi bashkë me presidentin dhe drejtuesit e klubit, për të afruar te Flamurtari lojtarë që iu përgjigjen objektivave të klubit.

flamurtari stervitje

Një tjetër gjë që unë kam parasysh për Vlorën, pavarësisht se sot starton një bashkëpunim i ri, është që vlonjatët gjërat i duan troç. Jemi vonë, por më mirë vonë e saktë se sa shpejt dhe nxituar. Kjo do të ishte ndoshta deviza që do të na udhëhiqte për momentin, për të arritur një bashkëpunim në bazë të rezultateve, qoftë të objektivave afatshkurtër, qoftë të objektivave afatgjatë. Duhet, pra, që të jemi brenda objektivave që vendos klubi dhe presidenti me politikat e tyre sportive.

Ne kemi disa javë që po punojmë bashkë me drejtuesit e Flamurtarit, që kanë një informacion më të madh për kontingjentin e lojtarëve që mbyllën sezonin e shkuar dhe kemi afruar një pjesë të atyre lojtarëve, që të paktën, sipas vetë klubit, kanë dhënë gjithçka që kanë mundur për Flamurtarin dhe mbi bazën e këtyre lojtarëve të vjetshëm, kemi afruar edhe Bathën.

lista

Kemi projekt dhe jemi në negocim me disa lojtarë, por përderisa nuk është vënë firma mbi kontratë, nuk mund t’i prezantojmë. Ne po merremi me lojtarët që nuk kanë kontratë me klubet e tyre dhe që kemi menduar se do të na shërbejnë në kompletimin e Flamurtarit. Nuk ka rëndësi nga vijnë dhe të kujt janë këta lojtarë, e rëndësishme është që nuk kemi ndërhyrë te asnjë klub për të marrë lojtarët që janë në kontratë, por vetëm lojtarët që janë të lirë dhe që në këto momente edhe zyrtarisht kemi të drejtën që t’i kontaktojmë”, u shpreh Daja.

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"