Ilir Daja driblon për ofertën e Partizanit: Asnjë aleancë, luajmë për qytetin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 2, 2020 | 16:12

Ilir Daja driblon për ofertën e Partizanit: Asnjë aleancë, luajmë për qytetin

Ilir Daja driblon me finesë kur pyetet për ofertën e Partizanit. Trajneri i Skënderbeut kërkon të qëndrojë sa më larg zërave të merkatos, në mënyrë që ta mbyllë sezonin ashtu siç dëshiron me korçarët.

Ilir Daja

Pas lajmit të botuar dje në “Panorama Sport”, se planet e kampionëve në fuqi janë me Dajën në krye të pankinës, gazeta kontaktoi vetë trajnerin. Ai iu rikthye edhe diskutimit të ndeshjes me Tiranën, që së fundmi ka ndezur një debat për mënyrën se si skuadra luajti në pjesën e dytë. Për këto, por jo vetëm, ja si u shpreh Daja:

Jemi në dijeni se keni marrë një ofertë nga Partizani. Si është e vërteta?

Unë jam trajner i Skënderbeut dhe këtë gjë ju e dini shumë mirë. Jam i fokusuar vetëm për ndeshjen e radhës ndaj Teutës.

Ju bezdisin zërat e merkatos?

Aspak, kjo periudhë është e ndërtuar kështu, në këtë mënyrë. Ka zëra për lojtarë, trajnerë dhe shumë gjëra të tjera. Prandaj nuk dua të komentoj më gjatë.

Në ndeshjen e fundit ndaj Tiranës, Skënderbeu u shthur pjesën e dytë. Çfarë ndikoi?

Ka ndodhur për shkak të disa faktorëve. U munduam të merrnim maksimumin në këtë takim, por nuk ia dolëm. Ky është fakt dhe nuk është aspak një alibi.

Trajnerë dhe specialistë e kanë cilësuar si të çuditshme sjelljen e skuadrës suaj. Keni ndonjë koment?

Mund të themi çdo gjë nëse do të nisemi nga tendenca për të zbehur diçka. Por, të jeni të bindur të gjithë, se Skënderbeu nuk ka aleanca dhe nuk është interesuar ndonjëherë se çfarë ndodh në krye të renditjes apo në fund të saj.

ilir daja

Ne shohim vetëm punën tonë dhe mundohemi që të arrijmë pozicionin më të mirë të mundshëm në këtë sezon, ashtu siç e meriton ky qytet fantastik. Më tej nuk mund të them më shumë se çfarë kam thënë pas asaj ndeshjeje. Kam pasur tre lojtarë jashtë ekipit dhe jam munduar të përshtas formacionin. Përtej mungesave afatgjate, kishim Gripshin, Jashanicën, Pollozhanin dhe Bregun që nuk kanë bërë asnjë ditë stërvitje të plotë me grupin para këtij takimi. Këto nuk janë justifikime, por fakte.

Do të luani me Teutën të hënën, çfarë prisni?

Ne kemi humbur në dy ndeshjet e fundit në kampionat dhe kemi lëshuar atë pozicion që mbanim para pak javësh. Tashmë është Teuta atje. Kjo do të thotë se do të jetë një përballje e fortë dhe ne do bëjmë gjithçka për të marrë më të mirën. Do të ishte një plus i madh për ne.

LLAZI SARO – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"