“Ilari tradhtoi e para”, rrëfimi i legjendës së Romës,Toti: Më vodhi orët dhe më përgjonte (INTERVISTA E PLOTË)

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 12, 2022 | 21:51


“Ilari tradhtoi e para”, rrëfimi i legjendës së Romës,Toti: Më vodhi orët dhe më përgjonte (INTERVISTA E PLOTË)

Françesko Toti e di shumë mirë se cila është tema më e klikuar dhe më e debatuar në rrjet gjatë vitit 2022, më shumë sesa COVID-i, se lufta dhe se vdekja e Mbretëreshës… “Ndalu pak. Kjo histori për mua nuk është gossip. Kjo çështje për mua është gjaku dhe mishi im. Bëhet fjalë për jetën time. Janë në mes 3 persona që i dua më shumë se vetja dhe ata janë fëmijët e mi, të cilët dua t’i mbroj në çdo mënyrë. Dhe përveç kësaj, është në mes edhe një dashuri që zgjati 20 vite. Prisja që mund të ndodhte gjithçka në këtë botë, por jo që historia ime të përfundonte kështu.

TOTI 1

Po, por e vërteta është që për historinë tuaj flasin të gjithë…

Të gjithë përveç meje. Nuk kam thënë ende asnjë fjalë. Pata thënë që në fillim se nuk do të flisja dhe nuk kam nxjerrë asnjë fjalë nga goja deri tani. Por kam lexuar shumë budallallëqe dhe shumë gjëra të sajuara. Disa prej tyre i kanë bërë fëmijët e mi që të vuajnë. Tani mjaft.

Për çfarë budallallëqesh e keni fjalën?

Shumë, por po ju përmend vetëm një prej tyre: që shkaktari i ndarjes isha unë, sepse kam tradhtuar unë i pari. Pra, që martesa jonë përfundoi për shkak të tradhtisë nga ana ime.

Pse nuk është kështu?

Këtë gjë dua ta saktësoj një herë e mirë: nuk isha unë ai që tradhtoi i pari. Pasi ta marrin vesh njerëzit një herë e mirë këtë gjë, atëherë unë do të hesht dhe nuk do të replikoj me askënd, çfarëdo që të thonë njerëzit. E përsëris: qëllimi im primar është të kujdesem për fëmijët e mi dhe t’i mbroj ata.

Ju dhe Ilari jeni më të diskutuarit këtë vit, edhe sepse ishit shumë të bukur, aq sa dukej si përrallë… Ju, lojtari më i dashur, dhe ajo një yll televizioni…

Përrallat nuk ekzistojnë. Kemi pasur edhe ne ulje-ngritjet tona si çdo çift. Pastaj në fund diçka u thye.

Pse?

Gjithçka nisi në vitin 2016. Viti im i parafundit si futbollist. Të lësh futbollin nuk është e lehtë, sepse duket sikur një pjesë e jotja vdes.

Po, por ju i kishit kaluar 40 vitet…

totii

Po, por luaja në Serinë A që kur isha 16 vjeç. Disa gjëra fillojnë të të mungojnë shumë. Adrenalina dhe lodhja nuk bëjnë më pjesë në jetën tënde. Madje, unë edhe e thashë në fjalimin e lamtumirës: “Kam frikë, duhet të më qëndroni pranë”. Dhe në fakt tifozët e Romës nuk më kanë lënë kurrë vetëm.

Kur zbrisnit në fushë dikur ju të jepnit përshtypjen e një njeriu që nuk ka frikë nga asgjë, madje disi edhe arrogant. “Ej, unë jam ai që bëj kukiaion (lugën)”…

U bë legjendë kjo punë, por unë e dija se në atë gjysmëfinale të Europianit kundër Holandës portieri do të hidhej ose majtas ose djathtas dhe nëse bëja “paloneton” atëherë do të shënoja… Ndërsa pasi lashë futbollin nuk e dija se çfarë më priste. Por megjithatë, penalltia që më ka shijuar më shumë është ajo e Botërorit kundër Australisë.

Ka ndodhur në Kaizerslautern më 26 qershor të vitit 2006… Ishte minuta e fundit dhe Italia ishte me 10 lojtarë. Nëse ju nuk shënonit atëherë Italia nuk shkonte në finale, ku edhe fitoi kupën…

Po, aty ishte edhe Ilari. Madje mbaj mend se pas golit ia dedikova asaj gjithçka. Ishte ndeshja e vetme që ajo pa nga stadiumi në atë Botëror para finales, sepse vetëm për atë ndeshje erdhi në Gjermani.

Ju Toti pas golit futët në gojë gishtin e madh si një fëmijë. Pse?

Bëra siç bënte im bir, Kristiani, që ishte shumë i vogël asokohe. Doja t’i tregoja se mendoja shumë për të, për Italinë dhe për Lipin. Unë theva këmbën para Botërorit dhe mendova se e humba atë kompeticion, por ditën tjetër kur u zgjova pas operacionit pashë Lipin aty që po më priste. Kishte ardhur vetëm për të më thënë: “Françesko, unë do të të pres ty dhe do të ikim bashkë në Botëror”.

Po, por ju edhe keni bërë sherre me trajnerët tuaj. Kur u krisët me Spaletin te Roma ishte Ilari madje që ju doli në mbrojtje dhe e quajti Luçianon “njeri i vogël”…

totiii

E bëri gjithçka me kokën e vet sepse donte të më mbronte. Ishte një lloj reagimi prej nëne që mbron familjen e saj. Por për futbollin ajo nuk është se kuptonte shumë.

Ju një ditë e latë futbollin…

Po, dhe disa kohë më vonë u largova edhe nga Roma, ku punova për një periudhë si drejtues. Ndarja me pronarët e vjetër të Romës ishte traumatike për mua: m’u duk sikur braktisa familjen time. Isha i brishtë, më mungonte futbolli dhe nuk kisha më asnjë pikë referimi në jetë. Ilari nuk e kuptoi dot situatën që po kaloja dhe dhimbjen që kisha në shpirt. Më pas erdhi 12 tetori i vitit 2021.

Çfarë ndodhi në 12 tetor?

Më vdiq babai nga COVID-i. Unë ndërkohë e kisha parë për herë të fundit më 26 gusht. E dija që ishte keq, por nuk mund ta takoja. Babai im ishte gjithnjë në stadium për mua dhe nuk mungoi asnjëherë. Mua nuk më bëri kurrë asnjë kompliment, por nga sytë dukej që ishte i lumtur. “Françesko është numri 1”, thoshte sa herë që unë nuk isha aty. Më pas u sëmura edhe unë nga COVID-i, madje pata shumë probleme sepse m’u shfaq në mënyrë agresive. 25 ditë qëndrova i izoluar në shtëpi dhe për pak përfundova në spital. Pra, kam kaluar një periudhë të tmerrshme, por për fat kisha fëmijët e mi që më jepnin forcë. Pata mundësinë të qëndroja pak më shumë afër Kristianit, Shanelit dhe Izabelës. Ndërkohë, gruaja ime në momentet më të vështira dhe kur unë kisha nevojë për të, nuk ishte. Në pranverën e vitit 2021 u zhytëm në krizë totale dhe viti i fundit ka qenë shumë i vështirë. Nuk kishte më asnjë dialog mes nesh dhe nuk funksiononte më asgjë.

Po ju Toti nuk keni bërë asnjë gabim?

Patjetër që kam gabuar. Kur diçka thyhet janë përgjegjës të dyja palët, 50- 50. Duhej të kisha qëndruar më shumë me atë gjatë fundjavave, por e kisha mendjen të organizoja festa me miqtë. Me mua ishte edhe Ilari në ato festa, por duhej të kishim shkuar për darkë vetëm ne të dy. Duhej t’i kisha kushtuar më shumë vëmendje.

Ju Toti, a kishit një lidhje të fshehtë me Noemi Bokin?

Nuk është kështu.

“Dagospia” ka publikuar një foto më 4 dhjetor të vitit 2021 ku ju ishit shumë afër njëri-tjetrit në tribunë…

Noemi nuk erdhi me mua në stadium. Kemi ardhur me makina të ndryshme dhe ishim në vende të ndryshme. Mendoni se jam nga ata që vij me dashnoren në “Olimpiko…? Mund të kisha zgjedhur një vend më intim apo jo? Megjithatë, është e vërtetë që njihesha me të prej kohësh. Madje edhe frekuentoheshim si miq gjatë kohës që unë luaja padel me miqtë e mi. Historia jonë nisi pas Vitit të Ri dhe u konsolidua në mars të vitit 2022. Por e përsëris: nuk isha unë ai që tradhtoi i pari.

toti

Çfarë ndodhi?

Në shtator të vitit të kaluar nisën të më vijnë zëra: shiko se Ilari ka një tjetër. Madje më shumë se një…

Edhe ju i besuat këta zëra?

Më dukej e pabesueshme, por ama gjeta disa mesazhe.

Pra, ju spiunonit telefonin e gruas suaj?

Jo, nuk e kam bërë kurrë këtë gjë për 20 vite. As ajo nuk e kishte bërë kurrë me mua për të qenë i sinqertë. Por kur më erdhën disa sinjale të vazhdueshme nga persona të besueshëm, atëherë nisa të dyshoja. I kontrollova celularin dhe pashë se një person i tretë kishte hyrë mes nesh.

Kur kishte ndodhur kjo?

Unë mesazhet i pashë në vjeshtë, por ato Ilari i kishte shkëmbyer kohë më parë…

Kush është ai tjetri?

Mos më bëni të përmend emra. Është një person shumë larg natyrës sime dhe për fat të mirë nuk ka lidhje as me botën ku unë kam jetuar. Mbeta i shokuar. Jo vetëm sepse Ilari kishte lidhje me dikë tjetër, por edhe me atë farë njeriu… Por ama ishte e vërtetë.

Çfarë kishte në ato mesazhe?

Diçka e tipit: “shihemi në hotel; jo, është më i kujdesshëm se unë…”.

Po ju si reaguat?

E mbajta gjithçka brenda meje. Nuk i tregova askujt, madje as Vito Skalës, i cili është miku im që kur isha 11 vjeç. Unë nuk jam nga ata që e mbyllin njërin sy kollaj, por këtë herë preferova të shtiresha dhe të bëja sikur nuk kuptoja. E kapërdiva atë situatë për hir të fëmijëve, por nga ana tjetër po vuaja si qen. Ndërkohë, ajo më thoshte: “Këtë vit unë do të qëndroj pak më shumë në Milano dhe do të vij më rrallë në Romë…” Ndërkohë, unë thosha mirë, por e dija që kishte atë tjetrin. Megjithatë, gjithë kohën shpresoja që të mos ishte e vërtetë.

Toti, duhet ta themi se të gjithëve mund t’u ndodhë që të joshen nga dikush tjetër. Ju ishit i famshëm, por edhe Ilari është një yll. Ju po silleni tani si mashkulli tipik italian që vetë bën çfarë i do qejfi, por tërbohet kur merr vesh që edhe gruaja ia dredh…

Ka pasur zëra edhe në të kaluarën për mua edhe për atë, por ishin vetëm zëra. Ndërsa këtu unë po ju flas për prova dhe për fakte. Nuk arrija të flija më gjumë. Shtiresha sikur nuk kishte ndodhur gjë, por nuk isha më i njëjti person. Ia dola ta kaloj atë moment të vështirë falë Noemit.

E dini se çfarë mendojnë shumica? Që Noemi ngjan me Ilarin e disa viteve më parë. A është kështu?

Jo, as që e kam menduar ndonjëherë kështu. Madje Noemi është e kundërta e Ilarit edhe si karakter. Por nuk më pëlqen të bëj krahasime.

Kur nisi lidhja juaj?

Më parë frekuentoheshim si miq. Pas Vitit të Ri u shndërrua në një histori dashurie. Kur Dagospia publikoi atë foton e famshme në stadium me Noemin, Ilari më shkroi dhe më kërkoi llogari.

Po ju çfarë i thatë?

Unë e mohova. Në fillim nuk u thashë të vërtetën, as asaj dhe as fëmijëve të mi; ashtu siç edhe pritej të ndodhte, sepse doja që të shpëtoja anijen që po fundosej. Por më pas vendosa të isha i drejtpërdrejtë dhe e pyeta Ilarin se kush ishte ai burri me të cilin kishte ato mesazhe. Edhe ajo në fillim e mohoi. Më thoshte se nuk e kishte takuar kurrë. Më pas e kuptoi që unë dija gjithçka dhe e pranoi se me atë tipin ishin takuar vetëm për kafe. Patëm një ballafaqim të tre dhe ajo bashkë me Alesian e mohuan që Ilari kishte një lidhje. Në të vërtetë, unë e dija që ata ishin njohur në mars të vitit 2021. E dija që ajo kishte frekuentuar atë, por edhe burra të tjerë duke qenë shumë e afërt me ta. Kjo ka ndodhur para se unë të nisja një lidhje me Noemin.

francesko toti

E megjithatë, disa kohë më parë ju publikuat një foto së bashku me Ilarin në restorant, a thua se ishit një çift pa probleme. A ishte një tentativë për të rregulluar marrëdhënien tuaj?

Po, ishte një tentativë, por nuk e çuam deri në fund. Unë e dija atë që kishte bërë ajo, madje shumë gjëra nuk më pëlqyen edhe gjatë kohës që ajo u angazhua tek “Ishulli i të famshmëve”, por nuk bëra zë, sepse nuk doja të dëmtoja imazhin e saj dhe të dëmtoja nënën e fëmijëve të mi. Ndërkohë, ajo, nga ana tjetër, ndihej e lodhur dhe e mërzitur me mua. Kjo ndodhte sepse martesa jonë kishte përfunduar me kohë.

Pastaj njoftuat divorcin me dy komunikata të ndryshme, ndërkohë mund ta kishit bërë këtë vetëm me një deklaratë të përbashkët. Pse?

Unë në fakt atë propozova, pra një deklaratë të përbashkët të firmosur nga të dyja palët. Por Ilari nuk deshi, ngaqë pak ditë më parë kishte deklaruar publikisht në TV se lidhja jonë ishte e shëndetshme dhe nuk kishim asnjë problem. Më pas e kishte të vështirë të lëpinte atë që kishte pështyrë dhe doli me një deklaratë të sajën ku thoshte se kishte bërë gjithçka për të shpëtuar martesën, ndërsa unë jo.

Dhe pastaj iu drejtuat avokatëve…

Unë kërkova një marrëveshje. Nuk doja që të përfundonim në gjyq. Kështu që propozova këtë zgjidhje: mendojmë fillimisht për fëmijët, ua lëmë atyre shtëpinë dhe shkojmë atje duke u alternuar nga tri ditë secili në javë. Nuk doja që t’i shihja fëmijët e mi vazhdimisht me valixhe në duar nga Roma në Milano. Por Ilari nuk pranoi. I propozova edhe që ta ndanim shtëpinë, sepse është shumë e madhe, ose edhe që t’i gjeja një shtëpi tjetër. Por ajo refuzoi gjithçka. Në shtëpi donte të qëndronte vetëm ajo dhe pikë. Më pas nuk kemi folur më, sepse u nis me të motrën për në Tanzani për disa pushime që ia kam paguar unë.

Si kështu?

Eh, nuk mbaron me kaq. Me babain e saj shkoi në shtëpi dhe mori të gjitha sendet me vlerë, duke marrë nga kasaforta edhe koleksionin tim të orëve. Nuk kishte lënë aty as garancinë e tyre dhe as kutitë ku ishin vendosur.

Orët?

Po, kisha disa “Roleks” me vlerë shumë të madhe. Ajo pretendon se ia kam bërë dhuratë, por si mund të jetë kështu, kur ato janë orë burrash… Nuk dua ta mendoj se këtë po e bën për shkak se është hollë me lekët. Megjithatë, e kam një merak…

Po ju çfarë bëtë?

Po çfarë të bëja unë? Fsheha disa çanta të saj të shtrenjta me idenë që mund të bënim ndonjë shkëmbim… (qesh). Nuk ndodhi asgjë, por e keqja nuk ka fund.

TOTI 2

Pse çfarë ka ndodhur tjetër?

Më vuri nga pas një hetues privat. Persona të afërt me të më vunë përgjues dhe GPS gjurmues për të mësuar se ku shkoja, çfarë bëja dhe çfarë thosha. Mjaftonte të më pyesnin dhe unë mund t’ua thosha të gjitha. Ndërkohë, persona të tjerë u stacionuan poshtë shtëpisë së Noemit dhe përgjonin gjithçka. Në fakt revista “Chi” ka publikuar një foto tuajën poshtë shtëpisë së Noemit. Dhe ku është skandali këtu? Tashmë të gjithë e dinë për lidhjen tonë. Përpiqem ta jetoj me kujdes, pa shqetësuar fëmijët e mi.

Si janë fëmijët tuaj dhe si po e përballojnë këtë situatë?

I adhuroj ata dhe ata më duan shumë. Muajin e kaluar i çova të tre me pushime dhe u kënaqëm jashtë mase. U çlirova disi, sepse në një moment ajo (Ilari) m’i kishte marrë fëmijët.

Çfarë ndodhi?

Ne kishim një marrëveshje: në korrik fëmijët do të rrinin me nënën, ndërsa në gusht me mua. Kur i mora unë fëmijët ajo nisi me telefonatat duke thënë se Izabela ishte e shqetësuar dhe ndjente mungesën e mamit. Biseduam bashkë dhe ia sqarova se Izabela ishte mirë. Madje bënim çdo ditë videotelefonata, por nuk duroi dhe erdhi në Sabaudia. Mori vajzën dhe e çoi në Kroaci.

Po nëna juaj, Fiorela, si po e përjeton këtë?

Po vuan shumë.

Është e vërtetë se ajo ka qenë kundër martesës suaj me Ilarin?

Marrëzi. Nëna ime i ka respektuar gjithnjë vendimet e mia. Maksimumi mund të jetë ndier pak xheloze si një nënë romane që dikush tjetër i ka marrë djalin, por nuk ka qenë kundër martesës sime.

Po tani çfarë ndodh?

Nuk e di, por kam frikë se me Ilarin do të përfundojmë në gjyq. Natyrisht, pas kësaj interviste unë nuk do të flas më, por duhet ta dini se një pasdite si kjo, më ka kushtuar 6 muaj jetë. E kam shumë të vështirë të flas për jetën dhe problemet e mia. Do të kisha dashur të jepja 1000 intervista për futbollin dhe për Romën time të dashur sesa për këtë gjë.

*marrë nga “corriere.it”

PANORAMASPORT.AL