Iku pas 9 sezonesh nga Kruja, Neziri: Flamurtari, ëndrra ime! Vitin tjetër shihemi në Superiore

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 27, 2022 | 23:10

Iku pas 9 sezonesh nga Kruja, Neziri: Flamurtari, ëndrra ime! Vitin tjetër shihemi në Superiore

Sokol Neziri është i lumtur që hapi mer katon e Flamurtarin. Për më shumë se një dekadë ka luajtur vetëm në Krujë dhe për të parën herë vendosi që të ndërronte fanellë.

sokol neziri

Të vështirë nuk e kishte aspak të thoshte “po”, ndërsa zbulon se e ka pasur ëndërr të luajë për kuqezinjtë. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport”, mbrojtësi i linjës së djathtë beson se do ta realizojnë misionin “Superiore” shumë shpejt.

Pas 9 sezonesh largoheni nga Kruja. Si ndihet Sokoli?

Ndihem shumë mirë. Është hera e parë që largohem nga ekipi im. Po pres me padurim ta provoj këtë eksperiencë të re dhe sidomos në një ekip me emër si Flamurtari.

Për sa vite keni firmosur në Vlorë?

Nuk ka lidhje fare kontrata. Kemi folur burrërisht me presidentin Sinan Idrizi. Kam ardhur në Vlorë për një Flamurtar europian.

Çfarë ju bindi të bëheshit pjesë e Flamurtarit e të linit Superioren?

E përmenda më lart, projekti që Idrizi ka. Ai më bindi që të vija në Vlorë.

Objektivi është i qartë prej kohësh, synohet ngitja në vitin 2023. Mendoni se e kapni?

Po, po, patjetër! Unë jam një person me karakter. Kam marrë përsipër objektivin e presidentit Idrizi dhe me të gjithë grupin shpresoj ta arrijmë këtë objektiv. Është më se e mundshme. Pastaj, Flamurtari duhet të luajë aty ku e ka vendin. Vetëm elita i shkon për shtat këtij emri të madh të futbollit shqiptar.

A nuk vështirësohet misioni kur në garë ka emra po aq të mëdhenj, mjafton të përmendim me Dinamon dhe Skënderbeun…?

Janë ekipe me emër, traditë dhe histori, por ne kemi punën tonë dhe do të çojmë përpara objektivin personal që është Superiorja.

E mendonit se një ditë do të vinit te Flamurtari?

Po jap përgjigjen më të sinqertë për këtë pyetje. Në moshë të vogël e kisha ëndërr ta vishja këtë fanellë. E them me shumë sinqeritet këtë.

Erdhët në një moment jo të mirë ama, vetëm në Kategorinë e Parë?

Tani më erdhi oferta. Ishte pikërisht fakti që më kërkonte Flamurtari, që më bëri të lija ekipin tim të zemrës. Pak rëndësi ka liga ku do të militoj. Edhe pse e gjej Flamurtarin në Kategori të Parë, nuk e kam menduar dy herë që të thosha “po”. E kam pasur ëndërr dhe jam gati që të sakrifikoj në këtë kategori. E megjithatë, shumë shpejt do më shihni me këto ngjyra aty ku duhet. Kemi pretendime për më lart, për kampion.

Kush u bë shtysë që ju solli në Vlorë?

Më solli presidenti Sinan Idrizi. Ai më kontaktoi vetë.

Për Kastriotin keni keqardhje, largoheni pas shumë vitesh?

Nuk ndihem mirë, sepse Kastrioti më ka dhënë gjithçka. Jam ky që jam sot falë Kastriotit. Kam pasur një ndarje të vështirë me presidentin Alban Vogli, sepse është i vetmi që mua më ka mbështetur dhe më ka qëndruar shumë afër. Por e di që Kastrioti do të jetë lart e më lart, sepse e di se si punohet tek ai klub dhe dua ta shoh sa më mirë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"