Ikona e myzeqarëve: Infrastruktura e Lushnjës dramatike, FSHF po gabon me Kategorinë e Parë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 28, 2018 | 18:08

Ikona e myzeqarëve: Infrastruktura e Lushnjës dramatike, FSHF po gabon me Kategorinë e Parë

Xhavit Sefa, një “ikonë” e futbollit verdhejeshil të Lushnjës, në intervistën e dhënë për “Panorama Sport” sqaron situatën e myzeqarëve në prag të fillimit të kampionatit. Ish-sulmuesi dhe trajneri i Lushnjës ka lëshuar kritika për infrastrukturën futbollistike të Lushnjës, që sipas tij bashkia e qytetit është përgjegjësja për përmirësimin e saj. Specialisti lushnjar tha se Kategoria e Parë nuk ka pse të ndahet në grupe duke e cilësuar një dështim të FSHF-së.

Stadiumi Roza Haxhiu

Profesor! Cili është opinion juaj për gjendjen e futbollit lushnjar në prag të fillimit të kampionatit?

Lushnja e futbollit po kalon një situatë dramatike dhe absurde për sa i përket infrastrukturës futbollistike të saj. E kemi ngritur bashkë me specialistë të tjerë disa herë këtë shqetësim dhe nuk kemi parë të lëvizë diçka në këtë drejtim. Dihet që kjo është kompetencë e Bashkisë Lushnjë, e cila duhet të ndërhyjë menjëherë. Stadiumet po i rregullojnë edhe klube të Kategorisë së Dytë. Edhe në Patos ka stola plastikë për tifozët përballë tribunës. Ballshi përuron kompleks sportiv. Ndërsa Lushnja i ka shkallët në ditën më të keqe. Ekipi ka mbetur pa fushë stërvitore. Të gjitha skuadrat pretendente kanë fushë stërvitore, Lushnja nuk ka. Ku do të stërvitet? Përsëri në pluhur, në baltë, apo pas portave! Ka kosto?! Çdo gjë ka kosto, por për një periudhë disavjeçare, të ndarë në etapa, Lushnja duhet të ishte rregulluar diçka në infrastrukturë.

Cili është mendimi juaj për ekipin e Lushnjës?

Lushnja është një ekip i ribërë. Me përjashtim të Fatjon Sefës, kanë qëndruar në ekip futbollistë që nuk kanë pasur shumë minutazh edicionin e kaluar në Superiore. Kanë ardhur futbollistë lushnjarë nga ekipet e tjera, ku disa prej tyre nuk kanë pasur një aktivizim të bollshëm. E rëndësishme është që futbollistët të ingranohen sa më shpejt me njëri-tjetrin. Dihet që është një punë e gjatë dhe e vështirë që të fitohet “loja e lidhur”. Të harmonizohet elementi i përvojës me elementin e ri. Mendoj që Lushnja duhet të bëjë edhe dy afrime të fundit, ku patjetër i duhet një sulmues shumë cilësor, në krah të Fatjon Sefës.

Edhe pse ka rënë nga Kategoria Superiore, Lushnja ka një atmosferë interesante në prag të sezonit të ri…

Ka pasur një interesim për skuadrën në ndeshjet miqësore. Mendoj se duhet shfrytëzuar ky fakt. Lushnja ka një tifozëri që e dashuron shumë skuadrën. Skuadra drejtohet nga një trajner si Ilir Gjyla, që njihet për pasionin e madh, përkushtimin që ka për futbollin e qytetit. Futbollit kur i vendos shpirtin, dëshirën, ndjenjën, krijohet entuziazmi dhe atmosfera.

Cili është mendimi juaj për Grupin B të Kategorisë së Parë?

Grupi B i Kategorisë së Parë është një “Superiore B”. Mënyra sesi u ndanë skuadrat, pjesa dërrmuese e skuadrave pretendente u grumbulluan në njërin grup. Mendoj se do të ketë një garë të fortë në dy fazat e para. Por, unë mendoj se ndarja e skuadrave në grupe dhe më pas një tjetër ndarje në minigrupe është një gabim shumë i madh nga ana e FSHF-së. Që të gjitha kanë dalë kundër, vetëm FSHF-ja e vazhdon kështu si e ka.

E shikoni Lushnjën si një nga pretendentet për Superioren?

Po, e shoh si një nga pretendentet dhe besoj se do të jetë konkurrente. Ka disa pretendente në këtë grup. Disa klube kanë ndërhyrë mirë në merkato dhe kanë afruar futbollistë interesantë. Janë të paktën 5-6 pretendentë. Për një pjesëmarrje me 10 skuadra është një shifër e lartë. Për Lushnjën do të jetë një garë e fortë dhe e ashpër.

Nga këto pretendente, cilën mund të veçoni?

Mendoj se Bylisi do të jetë skuadra për t’u mundur. Është një klub që ka bërë merkato dhe ka investuar në infrastrukturë. Por, mendoj se nuk do të ketë diferenca. Lushnja, Apolonia, Tomori, Besa dhe Egnatia sigurisht që do të pretendojnë.

Alban Alushi

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"