“Ikëm me kokën lart nga Kupa”, Mihani: E dominuam Kukësin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Nëntor 14, 2020 | 21:55

“Ikëm me kokën lart nga Kupa”, Mihani: E dominuam Kukësin

Besa nuk e kaloi dot Kukësin, duke mbetur jashtë Kupës së Shqipërisë. Megjithatë, në Kavajë janë të bindur se u larguan me dinjitet nga ky kompeticion. Edhe pse përballë kishin një ekip të investuar të Kategorisë Superiore, verdhezinjtë bindën në lojë dhe kjo është ajo që jep shpresë për vazhdimësinë.

Mihani

Prioriteti mbetet vetëm ngjitja, ndaj që të gjitha energjitë do të ruhen për Kategorinë e Parë. në një prononcim të dhënë për “Panorama Sport” është Meglid Mihani ai që analizon atë 90-minutësh. Ish-kapiten i Besës, sot ndihmës i Artan Mërgjyshit, saktëson se kavajasit ikën me kokën lart nga Kupa.

“Zhvilluam një ndeshje mjaft të bukur dhe ishim të barabartë me Kukësin në çdo drejtim. Kaluam të parët në avantazh dhe me atë çfarë unë pashë në fushë, i patëm mundësitë ta mbyllnim pjesën e parë me 2 gola të shënuar.

Dominuam mbi Kukësin për 45 minuta dhe treguam se jo më kot këtë vit jemi investuar. Ju nuk duhet të harroni që Kukësi është ndërtuar për titullin kampion në Superiore, që nga lojtarët e stolit deri te trajneri, ndërsa ne luajmë në Kategorinë e Parë. Kjo diferencë në investime e kategori nuk u vërejt aspak në fushë. Gjatë pjesës së parë, vështirë të dalloje se Besa luan në të Parën dhe Kukësi në Superiore.

Kukesi Besa

Luajtëm të barabartë, madje shumë më mirë se Kukësi. Nga përvoja ime si futbollist, mund të them se nëse luajmë si me Kukësin edhe ndaj rivalëve tanë në Kategorinë e Parë, askush s’mundet të na shkaktojë humbje”, përfundoi ish-kapiteni.

FERIZ FERIZAJ – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"