“Ika prej Gjokës nga Kukësi”, rrëfehet Hallaçi: Duro psikolog, kanë gabuar me largimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 8, 2019 | 15:28

“Ika prej Gjokës nga Kukësi”, rrëfehet Hallaçi: Duro psikolog, kanë gabuar me largimet

Vetëm 10 pikë të mbledhura në 7 javë nuk janë statistika të mira për një ekip që pretendon titullin. E megjithatë, jo të gjithë e bëjnë “dramë” startin e verilindorëve.

halla-600x360

I këtij mendimi është edhe ish-kapiteni historik i Kukësit, Rraman Hallaçi. Në një intervistë të dhënë enkas për “Panorama Sport” ai analizon ekipin për të cilin kontribuoi për 8 vite.

Ai beson se me Shpëtim Duron do të shkojnë larg, ndërsa e vlerëson si një trajner me aftësi të veçanta dhe në aspektin psikologjik. Ish-mbrojtësi e quan të gabuar largimin e disa lojtarëve në merkaton e verës, e megjithatë beson se skuadra është në rrugë të mbarë për titullin.

Nuk kishte si të mos komentonte edhe largimin nga kuksianët, ku mbante edhe postin e zv.trajnerit. Afrimi i Ernest Gjokës me stafin e tij e detyroi që të merrte vendimin për të ikur. Nuk ka kurrfarë hatërmbetjeje me Safet Gjicin, pasi çdo keqkuptim e ka sqaruar tashmë.

Si ish-kapiteni historik i Kukësit e njihni mirë ekipin. Çfarë ka ndryshuar nga kohët kur ju ishit pjesë e këtij klubi, si lojtar apo si zv.trajner?

E kam ndjekur Kukësin dhe mendoj se skuadrën e kanë të mirë dhe të kompletuar. Kur kam qenë lojtar, Kukësi nga viti në vit konsolidohej për vazhdimësi. Ka pasur shumë grintë dhe shumë sakrificë më përpara. Si zëvendëstrajner e shikoja më i qetë ekipin. Edhe pse kishim luhatje brenda sezonit, përsëri i gjenim forcat për të ecur përpara dhe reaguar.

Po këtë vit?

Këtë vit skuadra i ka mundësitë të bëjë hapa para, pavarësisht disa humbjeve aksidentale. Me Duron mendoj se do të ecë shumë larg ky Kukës. Shpëtim Duro është trajner psikolog.

Kukësi e nisi mjaft mirë këtë kampionat, por tashmë duket se diçka ka ndryshuar. Tri humbje në 4 javët e fundit, si i gjykoni?

Nuk mendoj se është problem i madh, ndoshta më vonë këto humbje nuk do përsëriten. Disa gabime të vogla do t’i rregullojnë gjatë rrugës. Nuk është për t’u shqetësuar, pasi vetëm 2 pikë e ndajnë nga kreu. Duro së bashku me ekipin e kanë eksperiencën e duhur për të dalë nga kjo situatë, e cila do të thosha nuk është anormale, pasi futbolli njeh çdo rezultat. Kam besim se çdo gjë do shkojë në rrugën e duhur në vazhdim.

A mendoni se u gabua me merkaton e verës, duke larguar lojtarë me peshë si Shameti, Melo, Rrumbullaku apo ndonjë tjetër?

Unë mendoj se lojtarët kryesorë nuk duhet të largohen nga skuadra. Gjithnjë nëse do të kesh një skuadër me të ardhme të garantuar. Duhet të ishin më të kujdesshëm drejtuesit për lojtarë si Melo, Shameti, Rrumbullaku, Rexhinaldo e Valdet Rama, pasi ishin ambientuar me grupin dhe jepnin shumë siguri.

Çfarë duhet të ndryshojë Kukësi për të qenë në rrugën e duhur?

Thjesht duhet durim dhe t’u jepet kohë lojtarëve që kanë ardhur në merkato. Cilësia nuk mungon.

Cilin shikoni rival për titullin kampion këtë sezon në Shqipëri?

Rivalë për këtë vit sigurisht janë Kukësi, Partizani, Tirana dhe Teuta, por mund të ndodhë ndonjë surprizë nga Laçi, Bylis apo Vllaznia. Mundësia nuk përjashtohet.

Jeni bërë pishman që u larguat nga Kukësi nga detyra e zv.trajnerit?

Unë nuk do isha larguar kurrë nga Kukësi, por ardhja e Ernest Gjokës më bëri të largohesha nga Kukësi, pasi ai kishte stafin e tij, është normale në futbollin e sotëm. Jemi profesionistë dhe i kuptojmë gjërat.

Asnjëherë nuk e keni thënë më parë pse u larguat në atë mënyrë nga Kukësi. Cilat ishin arsyet e vërteta?

Thjesht Ernesti kishte stafin e tij.

Keni komunikim me presidentin Gjici, me drejtuesit apo ish-shokët te Kukësi?

Me presidentin nuk kam pasur kurrë probleme, por vetëm keqkuptime dhe më pas sqarime normale. Vazhdoj të kem respekt për zotin Gjici, pasi 8 vite nuk i harroj dot kollaj.

Jeni i kënaqur me punën si trajner i një akademie?

Para se te ikja kam komunikuar me presidentin Gjici, që në atë moment ishte më mirë të largohesha, ashtu si i thashë dhe më parë arsyet. Puna ime aktuale po më shërben shumë si eksperiencë si trajner i parë tek ekipi U-19 i Internacionalit në Superiore. Mendoj se po bëj një punë të mirë.

Cilët janë objektivat e Hallaçit në rrugëtimin e ri që ka nisur?

Objektivat janë që unë të vazhdoj të jem gjithmonë afër futbollit, të krijoj sa më shumë eksperiencë që të jem gati për sfida në elitën e futbollit shqiptar.

SKERDILAID SULOZEQI – PANORAMASPORT.AL

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"