II.1967: Risitë e të vërtetave të Shqipëria – Gjermania 0-0 dhe gazetaria…

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Dhjetor 25, 2017 | 21:42

II.1967: Risitë e të vërtetave të Shqipëria – Gjermania 0-0 dhe gazetaria…

Nga BESNIK DIZDARI

besnik dizdari

“Duhet një mund i madh devotshmërie për të treguar historitë e vendit tënd.”

OVIDI

Nuk është e vërtetë! Nuk është e vërtetë, pra, që mbas ndeshjes Jugosllavia – Shqipëria 4-0, trajneri Loro Boriçi – pa dyshim trajneri më apolitik që mund të ketë pasur Kombëtarja ndonjëherë – kur të mbërrinte në Tiranë, si të ishte ndonjë komisar partie, të shkruante këto fjalë, të cilat ia kanë mveshur shkrues të papërgjegjshëm:

“…Nuk mund të harrohen çastet më prekëse të atyre takimeve. Midis tyre kishte edhe pleq, edhe të rritur, të rinj e të reja. Ata dëshironin një kujtim nga Shqipëria. Nxorëm paketat dhe u dhamë nga një cigare Shqipërie. Madje, edhe disa fëmijë e morën cigaren… ‘Do ia çojmë babait si kujtim, pasi nuk mundi me ardh’, na thoshin. Edhe kutinë bosh e kërkuan kur ajo mbaroi. Një tjetri i dhamë një gazetë ‘Zëri i Popullit’. Edhe në largim, na përcollën me këngë të kompozuara prej tyre”…

Kurrë nuk i ka thënë dhe as i ka shkruar Loro Boriçi këto radhë. Dikush tjetër po. Kjo e pavërtetë, ashtu si dhe shumë të tjera, është “realizim” i atyre që nuk e dinë se verifikimi i fakteve në gazetari është tejet më i lodhshëm se sa të shkruarit e çdo lloj “hartimi” që mund të botohet në një gazetë. Nuk është e vërtetë pra, madje aspak e vërtetë, se ndeshja e Beogradit:

“…është transmetuar në televizionin vendës, e që në Shqipëri është ndjekur dhe parë në pjesën veriore të vendit nga ata pak televizorë që mund të kishin familjet e qyteteve, kryesisht Shkodra që e merrte sinjalin direkt nga kanalet jugosllave për afërsinë me transmetuesit të vendosur në Malin e Zi.” Si mund të guxosh të sajosh deri këtu? Dhe po tregoj ate çka shkruan gazeta “Rilindja” e Prishtinës në këtë lajm të mëposhtëm, të botuar më 12 nëntor 1967, vetëm disa orë para se të fillonte ndeshja Jugosllavia – Shqipëria. Shkruan pra, “Rilindja”, në njoftimin e saj me titull të qartë “Nuk ka transmetim televiziv”, këto fjalë në gegnishten letrare të saj: “Beograd. Si muerve vesht televizioni i Beogradit nuk do të transmetojë drejtpërdrejt ndeshjen Jugosllavia – Shqipnija.

kombetarja e shqiperise jugosllavi

Xhiruesi Mitalip Çoça na tha se nesër mbrama në ditar do të jipet një reportazh i shkurtë nga kjo ndeshje”. Nuk është e vërtetë, gjithashtu se: “…90 minutat e paharruara të zhvilluara gjysmë shekulli më parë, pikërisht të dielën e 12 nëntorit 1967, në një stadium të mbushur me shqiptarë ku nuk mungonin thirrjet “Eho! Eho! Eho!”. Ashtu siç nuk është e vërtetë se ishte “një stadium jugosllav i mbushur me shqiptarë nga e gjithë Jugosllavia. Dhe që “u shoqëruar nga zërat e dhjetë mijë kosovarëve të pranishëm aty që e këndonin me zë të lartë atë (himnin)”.

Në një kohë kur në Stadiumin e Armatës Popullore kanë qenë saktësisht 18.500 shikues. Çka do të thotë që, nëse paskan qenë 10.000 shqiptarë, më shumë se gjysma stadiumit qenka mbushur me kosovarë!? Përralla! E përse, pra, merret kësisoj ky guxim euforie të shkruash për ngjarje që kurrë nuk i ke njohur assesi, madje pa denjuar t’i verifikosh, e pakta nja njëzet herë, siç thuhet kur merr përsipër të shkruash për ngjarje që nuk i njeh!?

shqiperi gjermani11

E di, siç e kam thënë edhe një herë tjetër, duke qenë se gazetat sot pak a shumë drejtohen prej brezit të ri të gazetarisë, autorë të caktuar mendojnë se këta nuk dinë asgjë dhe o burra mëshoji vetëtimë tastierës së kompjuterit e nise shkrimin një orë e më parë se po ta zënë radhën (natyrisht të dijshmit). E pra kjo është pak të thuash papërgjegjësi. Nuk është aspak e vërtetë se trajnerët Loro Boriçi dhe Helmut Schon janë përshëndetur asisoj plot gëzim mbas mbarimit të ndeshjes, siç e tregon fotoja e mirënjohur. Kur ka mbaruar ndeshja, në atë rrëmujë as që ka qenë mundësia për t’u realizuar kjo përshëndetje plot qetësi e buzëqeshje, sidomos në fytyrën e trajnerit gjerman, i cili do ta linte stadiumin krejt i rrënuar për çka i kishte ndodhë.

Dihet fort mirë, që foto në fjalë tregon dy trajnerët që përshëndeten para ndeshjes, siç mund të shihet edhe në dokumentarin e njohur të kohës. Nuk është e vërtetë që RF e Gjermanisë nga finalja botërore 2-4 e “Wembley”-t e deri tek ajo 0-0 me Shqipërinë kishte zhvilluar jo 7 ndeshje, siç nxitohet e shkruhet pa përgjegjësi, pra, as edhe 10, kur ajo ka zhvilluar pagabueshmërisht 9 ndeshje. Madje jo me atë ecuri të ngatërruar, por radhazi me këtë këtu, të saktën: 2-0 Turqisë, 3-0 Norvegjisë, 5-1 Marokut, 1-0 Bullgarisë, 6-0 Shqipërisë, 0-1 prej Jugosllavisë, 5-1 Francës, 3- 1 Jugosllavisë, 0-1 prej Rumanisë. Nuk është e vërtetë se biletat janë shitur me autorizim. Vetëm një pjesë e tyre. I kemi blerë edhe në sportel. Nuk është e vërtetë, ashtu siç është paraqitur vendosja taktike e Gjermanisë.

shqiperi gjermani tifozet

Ndërkohë, na mbetet për të verifikuar nëse është i vërtetë rasti çuditërisht i një stili “demokratik” që mbas ndeshjes, dy jerarkë të lartë të Byrosë Politike të PPSH, Ramiz Alia e Manush Myftiu, paskan zbritur poshtë e paskan hyrë në dhomat e zhveshjes për të përshëndetur futbollistët shqiptarë?! Si do t’i kenë përshkuar korridoreve të nëntribunës, lojtarët, gazetarët, stafin e Gjermanisë aty pari?… Dhe sa e sa të pavërteta të tjera rresht në shkrime të tjera. Të pavërteta historike dhe teknike, shifrash dhe rezultatesh, emra futbollistësh apo dhe deri dukurish përmbajtjesore.

Si puna e fotos së famshme e qartë si drita e diellit – që për fat të keq i përsëritet botimi – ajo e dy portierëve, Tit Nallbani me Jani Kaçin, së cilës pa u shqetësuar aspak, i thuhet e pavërteta se janë në stadiumin “Vojo Kushi” të Shkodrës dhe në vend të Tit Nallbanit shkruhet se është Sabah Bizi. Futbollisti i madh, pra, të cilin vështirë të mos e njohin edhe fëmijët 10- vjeçarë të viteve ’70 apo ’80. Autori i këtushëm (dhe gjithnjë jo vetëm ai – por dhe kolegë të tij) që i kanë kushtuar jetën këtij profesioni, tronditen jo nga ndonjë ambicie – ambicia për ta është mbyllur me kohë – por thjesht për dhembshurinë ndaj këtij profesioni të bukur të gazetarit profesionist.

shqiperigjermani1

Apo të gazetarisë profesioniste, portat e së cilës duhen të hapur disi më ngadalë, sidomos për arrivistët, që për çudi ndodh që të shtohen. E, disi befas m’u kujtuan dy të paharrueshëm: radiokronisti i futbollit Ymer Striniqi dhe komentatori televiziv i basketbollit, Vangjel Shundi. Përpara rregullsisë së shënimeve e fletoreve të tyre – se fletore sundonin asokohe – do të mbeteshe përherë i shtangur! Me të drejtë, sot një brez i ri gazetarësh ka marrë dhe po merr fuqinë. Çka është krejt e natyrshme. Madje, të rinj janë edhe drejtuesit.

Çka përsëri është e natyrshme dhe krejt normale. Mirëpo, siç e kam thënë edhe një herë tjetër, me sa duket, prej shkruesve të papërgjegjshëm, mendohet se këta të rinj nuk dinë, prandaj, o burra nxito, boto, nis, shkruaj. Shumë keq! Kjo e mpak vlerën e gazetarisë sportive, e cila në të vërtetë, për natyrën e saj, ka më fort një karakter të theksuar historik sesa gazetaria tjetër. Mendoni për një çast: vetëm një ndeshje futbolli ka rreth 28 emra lojtarësh, secili me pozicionin e tij të veçantë, Sot madje edhe arbitra janë bërë pesë.

shqiperia 1967

Pa shkuar te minutat, golat, ndërrimet, kartonë e spektatorë. E ti kujton se mund të shkruhet në këmbë e në dorë? Skedat e shënimeve të Gianni Brera-s, një nga gazetarët më të mëdhenj sportivë, sot botohen si të ishin foto përkujtimore.

“Nuk është e vërtetë!”, kështu e emërtova këtë nënkapitull të këtij Dossieri – jo për të sulmuar ndokënd, por si një thirrje e një gazetari të vjetër me synimin për të mbërritur tek e vërteta tërësore, sidomos e historive që marrim përsipër të tregojmë. Si në tregimin e kësaj historie të mbas 50 vjetëve prej kujtdo që merr guximin ta shkruajë. Dhe këtë mund ta bëjë kushdo që kryeulë ndien përgjegjësinë e profesionistit të vërtetë. Sepse e vërteta nuk është monopol i një njeriu të vetëm dhe as i vetëm i disa njerëzve.

Nuk mund ta harroj një seminar me gazetarë të rinj të pak viteve më parë në Institutin e Medias. Shtrova pyetjen: a ju ndodh që t’ju kthehen shkrime, pra që të mos ju botohen, qoftë për cilësi, qoftë për papërshtatje apo dyshime në vërtetësi? Ata vunë buzën në gaz dhe shumica pohuan se kjo ishte tejet e rrallë. Nuk mund të harroj nga përvoja ime dhe e shokëve të mi. Kur shkrimi që pritej të botohej i kishte shkuar kryeredaktorit, ne shkonim e vinim në korridorin e redaksisë apo në zyrën tonë, në një gjendje ankthi, për të marrë vesh se çka do të thoshte e çka do të vendoste kryeredaktori. Sot, ky ankth ka marrë fund sepse sot është një kohë tjetër, doemos. Por cilësia, të vërtetat e fjalës së shkruar nuk kanë kohë. Janë të përjetshme.

1967-rfgj-shqiperi-0-0-640x360

Dhe: “Arma më e fuqishme kundër injorancës është përhapja e vërtetësisë së fjalës së shkruar”. (Lev Tolstoj). Gjermania – Shqipëria u bë kështu papritmas, shkas për një trajtesë sado modeste gazetarie… Vllaznia – Shqipëria 1-0 dhe heshtja për Gjermaninë Dhe ja ku mbërrijmë te gjykimi i sotëm historik. E këtu po guxoj të bëj dy përcaktimet e para të çmitizimit të ndeshjes famëmadhe të 17 dhjetorit 1967. E para: asnjëherë në historinë e një pragndeshjeje kësisoj të madhe për nga emri i kundërshtarit, nuk është shkuar më pa baza se te kjo me Gjermaninë Perëndimore, siç i thoshim edhe ne. Dhe e dyta, që Një foto që pati bërë xhiron në shtypin gjerman. Shqiptarët duke u rropatur për të hyrë në stadium për ndeshjen Shqipëria – Gjermania. në të vërtetë duhet thënë më vonë: barazimi historik 0-0, pa dyshim është një nga rezultatet më spontane që njeh historia e Kombëtares së Shqipërisë. Mos po duket si një nënvleftësim i mbas 50 vjetëve?

shqiperi gjermani1

Le të vazhdojmë së bashku. Është shumë e çuditshme se si ka ndodhur që mbas humbjes 0-4 në Beograd të 12 nëntorit, thuajse për 35 ditë të tëra, gati as që përmendet në shtyp se Shqipëria, për herë të parë në histori, do të priste për Kupën e Kombeve të Europës, siç quhej Kampionati Europian, skuadrën, e cila vetëm 15 muaj më parë ishte shpallur Nënkampione e Botës. Asnjë lajm. Ose ndonjë lajm dhjetë rreshtash. Dhe indiferenca shkon deri aty, saqë pesë ditë para ndeshjes, numri i radhës së gazetës “Sporti popullor” i 12 dhjetorit 1967, për këtë ndeshje, që mbas pak do të trondiste futbollin europian me rezultatin e saj, gazeta shqiptare vetëm në faqen e katërt boton një lajm nja dhjetë rreshta, që mezi duket, duke njoftuar vetëm se me çfarë lojtarësh do të vijë Gjermania.

Është fantastike se si ka qenë e mundur të ndodhë kështu. Pra, jo vetëm që nuk do të gjesh një formacion të mundshëm të Kombëtares së Shqipërisë, por as se cilët lojtarë janë grumbulluar, ku e si. Mbërrijmë tash te fakti më i rrallë. Do të ndesheshin në një takim miqësor Kombëtarja e Shqipërisë – Vllaznia, zhvilluar në Stadiumin Kombëtar “Qemal Stafa”. Ishte zgjedhur kjo ndeshje jo vetëm për Kombëtaren, por edhe për Vllazninë, e cila, menjëherë mbas Kombëtares, do të zhvillonte ndeshjen e saj me Beroe të Stara Zagorës së Bullgarisë për Kupën Ballkanike.

Nuk ishte hera e parë që Kombëtarja luante me Vllazninë. Edhe herë të tjera është luajtur midis tyre, sepse futbolli i shkodranëve përherë kishte krijime befasuese. Ka madje ndeshje midis tyre edhe dramatike, të cilave ndoshta një herë mund t’u kthehem në krejt spektakolaritetin e bixarrinë e tyre. Dhe një e tillë do të ishte edhe kjo ndeshje, mbase e 12 a 13 dhjetorit 1967. Në fushë do të shfaqet një Vllazni tejet tërheqëse.

shqiperigjermani

Në formacionin e saj janë dhe dy lojtarë shkodranë, por asokohe të Partizanit, të mirënjohurit Selami Dani dhe i paharrueshmi Esat Rrakiqi – njeri më i mirë se tjetri. Kanë qenë fort shokë të ngushtë e shpejt do të ktheheshin te Vllaznia e tyre. Ndeshja si e llojit përgatitur ka qetësinë e saj, por spektatorët nuk ishin të paktë dhe në të shumtën e kohës ajo luhet pa asnjë lëshim. Dhe çudia e madhe: fiton pra, Vllaznia kundër Shqipërisë 1-0, ndonëse përballë ajo do të kishte një njëmbëdhjetësh të një Kombëtareje e pakta me nja katër shkodranë: Shllaku, Rragami, Zhega, Bizi, pa harruar të pestin, tiranasin Ali Mema, e të gjashtin Foto Andoni të Partizanit, po të cilët asokohe ishin lojtarë të Vllaznisë. Dhe 1-0 për Vllazninë! Deri vonë, dy shokët, Dani e Rrakiqi, diskutonin midis tyre se cili e ka shënuar golin.

Shumëkush thotë Dani e dikush tjetër thotë Rakiqi. E mandej, siç kujton Selamia, natyrisht vinte humori i “vështirësisë” së përcaktimit të shënuesit. Kjo humbëse me Vllazninë ishte pra, Kombëtarja e Shqipërisë para ndeshjes së madhe, për të cilën në këtë fillim dhjetori ’67, Shqipëria, të paktën nga jashtë, dukej se as që donte t’ia dinte. Trajneri Loro Boriçi e ka lënë stadiumin doemos i tronditur e duke menduar se çka mund ta priste mbas katër ditëve.

shqiperi gjermani8

Aq më tepër që për shumëkënd, dukej se punët po i merrte lumi për këtë Kombëtare, mbi të cilën rëndonte ende pesha e humbjes 0-4 në Beograd e 30 ditëve më parë, e tash shkon e i përzihet nëpër këmbë, edhe humbja me Vllazninë! Ishte e natyrshme që në popull të flitej se kushedi sa gola do të shënojë Gjermania. Askush nuk guxonte të mendonte se ky fund dhjetori i vitit 1967, më politik se kurrë, kur tashmâ revolucioni kulturor kinez po i gjente dyert e hapura në Shqipëri, Kombëtarja e saj “e panjohur” do të mund të shpërthente asisoj ndaj një legjendari të futbollit të Botës, E pra, çka qe kjo ndeshje e vitit sportiv 1967 për Shqipërinë, e cila vinte mbas dy shkatërrimeve, atë parësor të Beogradit jugosllav dhe atë dytësor të Vllaznisë shkodrane?…

Do ta tregojmë në numrat e ardhshëm të “Panorama Sport, të shoqëruar madje me foto me ngjyra të herës së pare. Ashtu siç janë “premierë” edhe fotot që po shoqërojnë këtë kapitull të dytë të kësaj historie…

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"