Idrizi u përgjigjet kritikëve: Nuk marrin vesh nga menaxhimi, vlonjatë që kanë braktisur Flamurtarin

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Korrik 29, 2017 | 19:12

Idrizi u përgjigjet kritikëve: Nuk marrin vesh nga menaxhimi, vlonjatë që kanë braktisur Flamurtarin

Ish-futbollistët e shquar vlonjatë kanë kritikuar së fundmi politikën e klubit për largimin e lojtarëve vendës. Ndër ata që kanë ngritur zërin për këtë çështje kanë qenë Sokol Kushta, Rrapo Taho dhe Daniel Xhafa. Një gjë të tillë ata e kanë cilësuar si një frymë jo të mirë kundër vlonjatëve. Pas këtyre deklaratave, ka ardhur reagimi i administratorit Sinan Idrizi.

idrizi

Ky i fundit, për “Panorama Sport”, deklaron se këta lojtarë vlonjatë, që sot kritikojnë, e kanë braktisur Flamurtarin kur mund të luanin për të. Idrizi i ka cilë- suar ata tregtarë flamujsh. “Është çudi e madhe me këta që flasin për vlonjatët. Keni hequr 30 vlonjatë, më thonë.

Ore, ka mundësi që këta të më flasin për anën teknike, për skemat teknike, për gabimet që mund të kemi në menaxhimin e anës futbollistike, jo të menaxhimit të klubit, pasi nuk marrin vesh nga menaxhimi, të ma lënë mua këtë punë. Këta flasin në gazeta si pa gjë të keq, pa argumentuar asgjë, por thonë vetëm kanë hequr vlonjatët.

Idrizi

Ore, më kritikoni teknikisht! Flasin për vlonjatët, por çfarë kanë bërë vlonjatët? Vlonjatët ia kanë mbathur! Në kohën kur Flamurtari dilte kampion, një emër i njohur i futbollit vlonjat, legjendë, ka braktisur Flamurtarin dhe shkoi në Gjirokastër, mandej iku në Greqi.

Një tjetër 21-vjeçar nuk erdhi në Vlorë, iku në Gjermani për një kontratë të majme. Asnjë fanellë nuk i dhuroi Flamurtarit në shenjë mirënjohje. Pasi u kthye nga Gjermania, në kohën kur Flamurtari ishte në rrezik dhe binte nga kategoria, ky futbollist nuk erdhi në Vlorë ta ndihmonte ekipin e zemrës, por iku te Dinamo dhe Tirana.

Sinan Idrizi

Këta kanë përdorur kapitalizmin për interesat e veta, kanë ndryshuar fanella e flamuj për xhepat e tyre. Këta janë tregtarë flamujsh. Ore, i dëgjojnë veshët e tyre ato që dalin nga goja?! Këta kanë qenë edhe lojtarë të Kombëtares, na kanë nderuar ku kanë shkuar. I bien shkurt kur flasin në gazetë, vlonjatët thonë.

Ore, më bën përshtypje si nuk doli një nga këta të më falënderonte se tre vite bashkia nuk ka hedhur asnjë lekë për Flamurtarin nga taksa-paguesit vlonjatë, i kam kursyer. ‘Dimri i madh’, thotë njëri prej tyre kur vonohen pagat, kur vijnë lekët ul kokën. Nuk ka qytetari këtu. Flisni si futbollistë dhe jo si menaxherë, pasi kur keni qenë menaxherë, nuk keni lënë gjë pa bërë”, përfundoi Idrizi.

ERMAL SIKA

 

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"