Idrizi takon tifozët: Nuk na i ka fajet Jorgji dhe Skënderbeu

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 7, 2017 | 10:50

Idrizi takon tifozët: Nuk na i ka fajet Jorgji dhe Skënderbeu

Sinan Idrizi i kërkon falje publike gjyqtarit Enea Jorgji. Në një prononcim të dhënë dje për “Panorama Sport”, administratori deklaroi se ofendimi i gjyqtarit nga tifozët ishte një ngjarje e rëndë. Ai tha se gjithmonë në Vlorë kapen me Skënderbeun, por thekson se forcat duhet të maten në fushë.

idrizi

“I kërkoj ndjesë publikisht gjyqtarit Enea Jorgji që është sharë dhe ofenduar nga tifozët tanë. Është e rëndë ajo që ndodhi. Nuk e ka për borxh gjyqtari, apo qytetarët e tjerë në stadium që të dëgjojnë sharje dhe fyerje. Tifozët le të më kontestojnë, mua apo ekipin e trajnerin, por jo të shajnë dhe të ofendojnë.

Jorgji

Nuk e kuptoj këtë historinë me Korçën që e shajnë shpesh në Vlorë. Nuk kemi pse shajmë më. Korça është qytet i kulturuar, me një skuadër shumë të mirë, që na ka bërë krenarë të gjithëve për paraqitjen e saj në Europë, ndaj duhet ta heqim këtë mentalitet. Ne nuk duhet të konkurrojmë me sharje me Skënderbeun, por në fushë.

Për të eliminuar këto sharje dhe ofendime, në stadium nga ndeshja e radhës do të dëgjoni ‘trion vlonjate’. Ka boll këngë vlonjate dhe çame, pse duhet t’i bëjmë këngë Korçës?! Edhe njëherë i kërkoj falje gjyqtarit Jorgji. Do t’i kërkoja falje vetë pas ndeshjes, por më doli një takim dhe u largova menjëherë nga stadiumi”, tha fillimisht Idrizi.

Flamurtari tifozet

TAKIMI – Administratori zbulon se është takuar me përfaqësi të tifozëve, të cilëve u ka kërkuar që të shmangin skena të tilla në vazhdim, ndërsa ka “thumbuar” Gjikën, duke e cilësuar si shkaktar për provokime. “Unë takova tifozët një ditë pas ndeshjes. U thashë që të tregohen sa më të kujdesshëm dhe të mos na krijojnë të tilla probleme.

IDRIZI

Ka limit çdo gjë. Unë e di dhe e kuptoj pritshmërinë e tifozëve, por realisht ndeshja që ne luajtëm ishte e dobët dhe nuk na e ka fajin njeri për këtë. U thashë tifozëve që të mos shajnë gjyqtarët apo ata që nuk kanë lidhje fare me këtë gjë, por të më kontestojnë mua, trajnerin dhe ekipin.

Ne i acarojmë me statuse tifozët. Ai ‘ish-i’ i Flamurtarit filloi të na thoshte në ‘Facebook’ pas ndeshjes, ‘Keci dhe Cjapi’. Harron ky se kur ishin këta i kanë respektuar të gjithë. U bënin dhuratë kravatë gjyqtarëve dhe trajnerëve. Ndaj, tani të qetësohen tifozët, pasi e kanë kthyer në modë këtë gjë dhe e kthyera në modë është më shumë se e tepërt”, shtoi ai.

logo_fshf_28_shtator

GJOBA – Idrizi kapet edhe me FSHF-në, ndërsa thotë që për Flamurtarin i kanë gjithnjë gati gjobat. “Gjoba të aplikohet te të tjerët dhe jo te klubi. Sharje dhe ofendime ka edhe në stadiume të tjera. Por vetëm ne ndëshkohemi. Nuk duhet të lëmë shkak, pasi ata të FSHF atë duan dhe ne jemi të parët që biem pre e ndëshkimeve”, përfundoi administratori.

ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"