Idrizi takon sërish Dajën, nis puna për Flamurtarin e ri

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 19, 2018 | 14:32

Idrizi takon sërish Dajën, nis puna për Flamurtarin e ri

Flamurtari këmbëngul për Ilir Dajën. Administratori i klubit vlonjat, Sinan Idrizi, ka zhvilluar një tjetër takim me trajnerin e Skënderbeut. Mësohet se Idrizi e ka takuar trajnerin mbrëmjen e së dielës në një nga lokalet e qytetit të Vlorës. Daja dhe Idrizi kanë diskutuar për nisjen e punës për ndërtimin e ekipit të ri për kampionatin e ardhshëm.

Daja

Palët tregohen të rezervuara për diskutimet që janë bërë gjatë këtij takimi, por për t’u theksuar është fakti se administratori duket se i ka dhënë “bekimin” trajnerit Daja për të nisur punën. Për “Panorama Sport”, Idrizi ka konfirmuar takimin me Dajën, por pa dhënë detaje.

“Po, është e vërtetë që dje (pardje) në darkë kam takuar trajnerin Daja. Nuk dua që të hyjmë shumë në hollësira rreth diskutimeve që janë bërë në këtë takim. Diskutuam për detin tonë të bukur”, u shpreh me batutë Idrizi. Pritet që këtë javë të zyrtarizohet marrëveshja dhe Daja të nisë punën me Flamurtarin. Fakti që Skënderbeu nuk do të marrë pjesë këtë sezon në Kupat e Europës po sjell edhe largimin e trajnerit Daja nga skuadra korçare.

idrizi

LARGIMET

Artim Pollozhani dhe Franc Veliu drejt largimit nga Flamurtari. Dy mbrojtësit nuk janë thirrur nga klubi për rinovim. Pollozhanit dhe Veliut u ka përfunduar kontrata si të gjithë pjesës tjetër të ekipit. Burime pranë klubit vlonjat thonë për “Panorama Sport” se të dy mbrojtësit nuk janë në planet e klubit, ndërsa rinovimin ose jo me ta do ta vendosë trajneri i ri.

flamurtari partizani

Nëse trajneri Daja do ta shikojë të arsyeshme të ofrojë Pollozhanin dhe Veliun, klubi nuk do ta pengojë, por gjithçka është në dorën e teknikut. Nga ana tjetër, fillimisht u tha se Pollozhani, edhe pse me moshë të madhe, pëlqehej nga klubi për frymën në grup dhe do të qëndronte edhe për një vit, por duket se kanë ndryshuar mendje. Të pyetur nga gazeta për të ardhmen e Franc Veliut, zyrtarë të Flamurtarit thonë se deri më tani nuk ka asgjë konkrete nëse mbrojtësi vlonjat do të qëndrojë ose jo.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"