Idrizi takon ekipin: Paratë aty janë, reagoni ose do marr masa

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Tetor 20, 2016 | 10:08

Idrizi takon ekipin: Paratë aty janë, reagoni ose do marr masa

Situata kaotike te Flamurtari, por edhe deklarata më e fundit e mbrojtësit serb, Sllavko Lukiç në “Panorama Sport”, ka detyruar dje administratorin Sinan Idrizi që të takohet me lojtarët. Ai ka sqaruar para ekipit situatën financiare, në një kohë që ka kërkuar reagim të menjëhershëm ose në të kundërt do të ketë masa drastike.

sinan idrizi

“Trajneri Magani është shumë i mërzitur me ju. Do të largohej, por e ktheva unë. Dua të reagoni menjëherë ose në të kundërt do të ketë masa drastike. Nuk e toleroj dot këtë situatë, lekët aty janë. Nuk keni pse shqetësoheni”, mësohet se është shprehur Idrizi pra lojtarëve. Burime të gazetës pranë ekipit bëjnë të ditur se nesër klubi mund të shpërndajë një rrogë mujore, por gjithsesi asgjë të sigurt nuk ka.

Financat

“Te Flamurtari nuk ka asnjë çështje financiare”. Kështu është shprehur dje administratori Idrizi për gazetën. Edhe pse nuk ka preferuar që të flasë shumë për këtë çështje, mësohet se kompanitë turke kanë kaluar në bankë shumën e parave, por duket se përsëritet sërish e njëjta situatë si një vit më parë. Duket se statusi i kompanive turke, që, edhe pse janë në administrimin e klubit, njihen thjesht si sponsorë, po bëhet pengesë për shpërndarjen e pagave.

“Nuk është faji im, që edhe pse paratë mund të kenë dy javë në bankë, nuk kalojnë dot në llogarinë e futbollistëve”, sqaroi Idrizi. Ndërkohë, gjatë së mërkurës pritej që drejtuesit e klubit të dilnin në një konferencë për shtyp, për të sqaruar situatën aktuale në klub dhe dosjen e borxheve të mbartura, por një gjë e tillë nuk ndodhi.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"