Idrizi s’nxitohet për trajnerin: Kam frikë nga dështimi, më mirë të vonohemi

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Maj 30, 2018 | 13:25

Idrizi s’nxitohet për trajnerin: Kam frikë nga dështimi, më mirë të vonohemi

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, nuk kërkon të nxitohet sa i takon emërimit të trajnerit të ri për sezonin e ardhshëm. Në një prononcim për “Panorama Sport”, ai konfirmoi se ka shumë emra në tavolinë, por po i shqyrton me kujdes. Idrizi ka frikë pasi nuk dëshiron që të përsëriten gabimet e së shkuarës, ndaj kërkon kohë. Skënder Gega, Mlladen Milinkoviç, Hasan Lika dhe Ilir Daja përfliten si kandidatë, të cilët për momentin nuk pohohen, por as mohohen nga Idrizi.

idrizi

Administratori zbulon se ka oferta edhe nga trajnerë italianë dhe kroatë. “Nuk dua që të nxitojmë për trajnerin e ri. Ka shumë emra që përfliten, por dua që të jemi të kujdesshëm. Kemi kohë. Më mirë të vonohemi sesa të gabojmë. Kemi dështuar gjithë këto vite dhe nuk dua që të përsërisim të tilla gabime. Do mendohemi mirë. Janë disa kandidatë për trajnerë. Mund të ketë ndonjë të vërtetë edhe për emrat që ju keni publikuar, por nuk dua që të zbuloj shumë duke qenë se jemi në bisedime. Ajo që mund të them, është se kam kontakte edhe me trajnerë të huaj. Më kanë sugjeruar nga Italia dhe Kroacia, por thashë ‘kemi kohë dua që t’i bëjmë gjërat të pjekura dhe të mos nxitohemi'”, u shpreh fillimisht Idrizi.

idrizi-470x303

LIÇAJ DHE STAFI Drejtuesi i Flamurtarit ka konfirmuar edhe rrëzimin e pistës së Edmond Liçajt si një alternativë për të marrë drejtimin e klubit. Por, ai bën me dije se Liçaj do të jetë pjesë e stafit drejtues. “Edmond Liçaj do të jetë pjesë e stafit tonë. Unë kam dëshirë që ta kem Liçajn në staf. Nuk besoj se do të jetë kandidat për trajner. Edhe pse e mendoja si të tillë deri pak kohë më parë, mendoj se duhet që të jetë pjesë e stafit në një pozicion drejtues. Besoj se atë detyrë e bën mirë, pasi unë dëshiroj që të afroj njerëz të tillë”, tha Idrizi. Administratori thekson se stafi drejtues dhe teknik i Flamurtarit tashmë është i shkarkuar. “Stafi aktual është i gjithi i shkarkuar ashtu sikundër ju kam thënë. Që nga pastruesja e deri te drejtuesit duhet që të më bindin mua, të më sjellin një platformë dhe një program se çfarë duan që të bëjnë te Flamurtari, çfarë idesh kanë. Çdo gjë duhet që ta bëjmë hap pas hapi dhe nuk duhet që të nxitojmë”, u shpreh administratori.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"