Idrizi “shpall” objektivat: Këtë vit duhet të nxjerrim kokën mbi ujë, rivalët nuk kanë gjë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Gusht 14, 2017 | 16:32

Idrizi “shpall” objektivat: Këtë vit duhet të nxjerrim kokën mbi ujë, rivalët nuk kanë gjë

Sinan Idrizi kërkon që Flamurtari të presë një biletë në Europë për sezonin e ri. Në një deklaratë të dhënë për “Panorama Sport”, ai ka shpallur zyrtarisht objektivat për ekipin, ndërsa mbijetesën nuk do që ta diskutojë. E megjithatë, prioritet ashtu si një vit më parë i jep edhe respektimit të fanellës.

Idrizi dhe Duro

“Objektiv për ne edhe këtë sezon mbetet ajo, klasikja. Këtë vit duhet të nxjerrim kokën mbi ujë. Duhet që të jemi një ekip që të konkurrojë mirë dhe që të arrijë të respektojë fanellën. Unë gjithmonë kam kërkuar respektimin e fanellës dhe këtë gjë e kërkoj me forcë edhe për këtë sezon të ri.

Por janë tifozët vlonjatë ata, të cilët kërkojnë nga ekipi arritjen e objektivave. Në këtë kuadër, unë them se tifozët vlonjatë kërkojnë nga ekipi që të paktën të përfaqësohet në Kupat e Europës.

Sinan Idrizi

E dimë të gjithë që topi është i rrumbullakët dhe se gjithçka do të varet nga fusha e lojës, por gjithsesi ne duhet që të tentojmë që këtë sezon të ri të jemi më konkretë si dhe të mos bëjmë gabimet e sezoneve të mëparshme ku kemi vuajtur për mbijetesën”, tha fillimisht Idrizi.

KONKURRENCA

Numri një i klubit kuqezi ndalet edhe te konkurrenca me ekipet e tjera. Ai thekson se këtë sezon të gjitha ekipet janë në të njëjtin nivel dhe është vështirë që të flasësh për pretendentët. Madje me batutë kreu i klubit vlonjat thotë se edhe Flamurtari ka të drejtën të jetë pretendent.

Flamurtari

“Ne jemi në konkurrencë të plotë me të gjitha ekipet në këtë sezon. Mund të them se këtë vit të gjithë jemi në një nivel. Nuk ka ekipe të forta apo të dobëta. Kemi bërë merkato të ngjashme dhe afrimet i kemi një nivel.

Pse mos të jemi edhe ne konkurrentë këtë sezon? Nuk kanë ndonjë gjë më shumë rivalët tanë? Por, siç e kam thënë edhe më parë, unë u druhem aleancave pasi me këtë drejtim të FSHF-së ne kemi qenë të përfolur gjithmonë”, shtoi Idrizi.

MERKATO

Administratori analizon edhe merkaton që vlonjatët kanë zhvilluar këtë sezon. Sipas tij, Shpëtim Duro ka pasur dorë të lirë në çdo blerje, pa pasur kurrfarë ndërhyrje prej tij.

Shpetim Duro

“Trajneri ka pasur dorë të lirë në merkato. Unë nuk kam ndërhyrë për asnjë lojtar. Ka qenë vetë Duro ai që i ka kontaktuar dhe i ka sjellë te Flamurtari. Mund të them se afrimet më duken cilësore dhe se unë pres shumë nga ky ekip. Megjithatë, verdiktet do të jepen në fushë, kur të nisë edhe kampionati”, përfundoi Idrizi.

Ermal Sika

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"