Idrizi: Ramela nuk flet, i mërzitur nga… pyetjet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Mars 9, 2015 | 15:21

Idrizi: Ramela nuk flet, i mërzitur nga… pyetjet

Sinan Idrizi“Ernestino Ramela nuk del më në konferencë për shtyp”. Kështu ka deklaruar dje pas ndeshjes administratori i klubit të Flamurtarit, Sinan Idrizi. Sipas këtij të fundit, ky vendim është marrë pasi tekniku italian është pyetur nga mediat për probleme që nuk kanë të bëjnë me anën teknike.

Kësisoj, i acaruar së tepërmi, ai nuk ka pranuar që të dalë në konferencë, pavarësisht se kjo është në rregulloren e FSHF-së dhe mund të gjobitet nga Komisioni i Disiplinës. “Ramela nuk del më në konferencë për shtyp që këtej e tutje. Kjo pasi mediat nuk e pyesin për anën teknike, por për probleme të tjera që nuk i përkasin atij”, tha Idrizi. Ndërkaq, trajneri i portierëve, Luan Birçe, e justifikoi mosdaljen e Ramelës në konferencë me ikjen e zërit.

“Trajneri ka arsye shëndetësore. Ishte me temperaturë dhe kishte probleme me zërin”. Kësisoj, në mungesë të trajnerit Ramela, në konferencën e djeshme për shtyp, ka dalë trajneri i portierëve, Luan Birçe. Ky i fundit tha se Flamurtari humbi në pjesën e dytë gjendjen fizike.

“Humbën gjendjen fizike në pjesën e dytë dhe kështu që më pas nuk arritëm që të shpreheshim si duhet në fushën e lojës. Skënderbeu na dominoi në mesin e fushës dhe ishte pikërisht aty ku edhe çaluam disi. Megjithatë, nuk kemi kohë që të qahemi, pasi do të duhet të përgatitemi për ndeshjen e radhës. Do të jemi korrektë, jashtë aleancave dhe jashtë pazareve. Ky është objektivi i drejtuesve të klubit”, përfundoi Birçe.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"