Idrizi premtim Gocajt dhe Sukajt, mbrojtësi shkodran: Po e mendoj rikthimin te Flamurtari

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shkurt 5, 2021 | 16:23

Idrizi premtim Gocajt dhe Sukajt, mbrojtësi shkodran: Po e mendoj rikthimin te Flamurtari

Olsi Gocaj konfirmon bisedimet me Flamurtarin. Por edhe Sukaj është në të njëjtën situatë. Dy ish-lojtarët që mbyllën sezonin në Vlorë do të rikthehen. Shkodrani Olsi Gocaj, pranon kontaktet me drejtuesit e Flamurtarit. Për “Panorama Sport”, Gocaj tha se është duke e menduar rikthimin, por ende nuk ka kthyer një përgjigje për këtë. “Po. Është e vërtetë. Jam në bisedime me Flamurtarin. Kemi diskutuar për këtë çështje me drejtuesit e klubit. Por jam duke e menduar. Ende nuk kam kthyer përgjigjen përfundimtare”, tha shkurtimisht Gocaj. E njëjta situatë duket se është edhe për Xhevahir Sukajn. Sulmuesi është kontaktuar nga drejtuesit e Flamurtarit, por edhe ai është duke e menduar se çfarë do të bëjë.
unnamed (6)
Olsi Gocaj (m) dhe Xhevahir Sukaj (d)

PRAPASKENAT
“Panorama Sport” mëson se Sukaj dhe Gocaj duhet që të mbërrinin në Vlorë këtë javë. Por ardhja e tyre është vonuar për shkak se shkodranët duket se kërkojnë siguri. Duke qenë se e njohin ambientin në Vlorë dhe i dinë mjaft mirë problemet, duket se zgjedhja nuk është e lehtë për ta, pavarësisht se dëshira mund të mos mungojë. Nga burime konfidenciale mësohet se administratori Sinan Idrizi u ka dhënë siguri shkodranëve në aspektin financiar. Madje kreu i klubit u ka premtuar edhe zgjidhje të pagave të prapambetura. Tashmë topi është në dorën e shkodranëve, të cilët pritet që të vendosin rreth të ardhmes së tyre. Ardhmja e Sukajt dhe Gocajt te Flamurtari do të ishte zgjidhje. Ata nuk kanë nevojë për federim pasi sezonin e kaluar kanë qenë lojtarë të ekipit vlonjat dhe aktualisht janë të lirë.

MERKATO
Asnjë shenjë për hapjen e merkatos në Vlorë. Dy lojtarët që kanë ardhur nuk mund të federohen dot ende. Paolo Rikardo dhe David Bocaj janë në pritje të zhbllokimit të sistemit. Deri më tani nuk dihet se kur do të hapet merkato. Në këto kushte, nesër, trajneri Resuli do të duhet t’i bëjë llogaritë me grupin e fazës së parë si dhe me lojtarët e rinj të akademisë.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"