Idrizi, kundër bojkotit: Do të merrja pikët në tavolinë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 19, 2020 | 18:16

Idrizi, kundër bojkotit: Do të merrja pikët në tavolinë

Sinan Idrizi, administratori i Flamurtarit, është kundër bojkotit të kampionatit. Ai pohon se nëse do të ishte në Superiore, do ta nxirrte ekipin në fushë dhe do të kërkonte fitoren në tavolinë, nëse kundërshtari nuk do të paraqitej.

Sinan-Idrizi

Për “Panorama Sport”, Idrizi thekson se këto janë trysni guerilase dhe se presidentët e klubeve nuk kanë marrë leje për këtë bojkot nga pronarët, që janë bashkitë. “Pavarësisht se e kam kërkuar ndër të parët ligjin për sportin dhe privatizimin, nuk jam iniciator në këtë që po ndodh. Këta që kanë marrë përsipër të bojkotojnë kampionatin e Superiores, nuk e di çfarë kërkojnë me këto trysnin guerilase.

Mos e ngatërroni me tifozët e Partizanit këtë që po them, por janë trysni të tipit bolshevik. Këta i ngatërrojnë ligjin për sponsorizimet dhe ligjin për sportin. Duan 10 vjet pa tatim-taksa. A ka logjikë kjo në Shqipëri? Futbollistët janë njerëzit që paguhen më shumë, por çfarë mund të flasim për ata që punojnë në miniera dhe që pastrojnë rrugët? Futbollistët janë njerëzit më pak të shkolluar e më pak të arsimuar dhe nuk duan të paguajnë asgjë në tatime, ku ka kështu?!

Edhe dy vjet pa paguar tatimet nuk e pranoj. Do të isha me atë që dy vjet të racionalizohen me lehtësirat si tatimfitimi, për eksportin e mallrave që ne sjellim. Kjo po, por jo bojkotit. Nëse qeveria nuk do, çfarë do t’i bësh ti? Një pyetje kam: Këta që e bojkotojnë kampionatin, kanë marrë leje tek aksioneri kryesor që është bashkia? Unë them ‘jo’, se nuk ka shtet që të bojkotojë shtetin. Këto janë ultimatume politike, nuk ka më aromë sporti kjo, ka humbur. Po të isha në Superiore, do ta nxirrja ekipin në fushë dhe do kërkoja pikët në tavolinë. Ky është një dështim klasik i organizatorëve”, shprehet Idrizi.

KATEGORIA E PARË

Idrizi ka folur edhe për ndryshimin e formulës së Kategorisë së Parë. “Them se po punohet për një formulë më dinjitoze. Nuk duam t’u hamë hakun e punës atyre zotërinjve që po punojnë, e rëndësishme është të mos kemi probleme gjatë lojës.

Nuk jam ekspert i kësaj fushe, por me 10 ekipe Superiorja nuk shkon fare, është vetëm një iluzion. Por, edhe të ketë Kategoria e Parë 14-16 ekipe, më duket shumë, le të ndahen. Le të gjendet një rrugë e mesme, prandaj themi ligji i sportit, pasi me këtë ligj do të rritet vlera e atyre që konkurrojnë. Nuk mund të vendosësh ultimatume për një strukturë që nuk e ke të qartë as vetë”, tha në fund Idrizi.

ERMAL SIKA – PANORAMASPORT.AL

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"