Idrizi konfirmon: Ja tre lojtarët që do të rinovojnë

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Qershor 24, 2018 | 21:28

Idrizi konfirmon: Ja tre lojtarët që do të rinovojnë

Administratori i Flamurtarit, Sinan Idrizi, ka konfirmuar tre lojtarë të tjerë që pritet të rinovojnë për sezonin e ri. Në një prononcim për “Panorama Sport”, drejtuesi i klubit ka konfirmuar futbollistët që pëlqehen nga klubi, por që, me sa duket, kanë marrë pëlqimin edhe të trajnerit Daja. Kështu, Idrizi kërkon që të ketë edhe për një sezon, mbrojtësin Goran Siljanovskin.

Idrizi

Klubi mësohet se i ka ofruar lojtarit edhe rritje page, që gjë, me sa duket, e ka joshur atë dhe pritet tashmë përgjigjja pozitive. Për Siljanovskin interesohet edhe Shkupi, por edhe tri skuadra të tjera nga Maqedonia, si dhe një skuadër nga Kroacia. Një tjetër lojtar që konfirmohet nga Idrizi, që mund të jetë pjesë e sezonit të ri është edhe Danilo Alvesh.

Braziliani ndodhet në vendlindje momentalisht me pushime, por sipas administratorit, nëse Alvesh do të zgjedhë Shqipërinë, patjetër që do të jetë Vlora. Edhe për sulmuesin brazilian, drejtuesit janë të gatshëm që të bëjnë çdo sakrificë financiare, madje duke konkurruar edhe klube të huaja që interesohen për Alvesh. Një tjetër lojtar që kërkohet me ngulm për t’u mbajtur nga drejtuesit është edhe Artim Pollozhani është një tjetër lojtar që mbylli sezonin në Vlorë.

Sinan Idrizi

DEKLARATA – “Janë disa lojtarë, me të cilët ne do të rinovojmë kontratat për sezonin e ri. Duhet që të mbajmë disa lojtarë. Pëlqejmë që të kemi në ekip Siljanovskin. Mund të themi se ky lojtar do të qëndrojë. Po ashtu një tjetër lojtar është edhe Alvesh. Sulmuesi brazilian nuk luan në ekip tjetër me përjashtim të Flamurtarit.

Na ka dhënë fjalën. Nuk ka asnjë dyshim, që Alvesh është lojtar i Flamurtarit nëse kthehet në Kategorinë Superiore. Po ashtu mund të them se Pollozhani është një lojtar që ne e pëlqejmë. Pavarësisht moshës, ai është një futbollist i rëndësishëm për ne, pasi krijon frymë grupi. Për lojtarët e tjerë, do të vendosë trajneri nëse do të qëndrojnë ose jo”, u shpreh Idrizi.

Sinan Idrizi

MERKATO – Flamurtari, merkato te Skënderbeu. Të paktën tre lojtarë përfliten si pjesë e skuadrës vlonjate që Daja pritet t’i sjellë nga korçarët. Gjergji Muzaka dhe Gledi Mici shikohen gjithnjë e më shumë afër Flamurtarit. Po ashtu flitet edhe për Radasin, që mund të veshë fanellën vlonjate sezonin e ri futbollistik.

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"