Idrizi kërkon të evitojë dështimin: Europa detyrim moral, buxhet ekstra për investimet

Panorama Sport | Lajmet e fundit nga sporti

Postuar: Shtator 6, 2018 | 16:33

Idrizi kërkon të evitojë dështimin: Europa detyrim moral, buxhet ekstra për investimet

Flamurtari i këtij sezoni është ndërtuar me pretendime madhore dhe synimi mbetet titulli kampion. Në një kohë që merkato është mbyllur zyrtarisht dhe ka startuar kampionati, Sinan Idrizi kërkon të ulë me “këmbë në tokë” skuadrën. Për “Panorama Sport”, administratori thekson se objektivi për futbollistët dhe stafin teknik mbetet respektimi i fanellës. Por, pavarësisht se shprehet modest kur bëhet fjalë për objektivat, hapur e thotë që dështimi duhet të evitohet, thënë ndryshe do të ishte detyrim moral pjesëmarrja në Kupat e Europës.

idrizi

Numri një i klubit e di fare mirë se në Vlorë kanë kohë pa shijuar një trofe dhe patjetër që është për një të tillë, por sipas tij, ndeshjet duhet që të merren me radhë. “Objektivi për Flamurtarin këtë sezon është respektimi i fanellës. E kam thënë dhe e përsëris që nëse kanë respektuar fanellën, në fund kanë arritur objektivin. Patjetër që tifozët dhe unë personalisht e presim një sukses të Flamurtarit dhe Kupat e Europës janë besoj një detyrim që skuadra duhet të arrijë. Pastaj, nëse kapen gjëra më të mëdha, më mirë akoma.

idrizi

Gjithsesi, unë nuk dua që ta vendos në tension ekipin. Ndeshjet duhet që të merren me radhë dhe llogaritë bëhen në fund. Unë kërkoj respektim fanelle dhe asgjë më shumë”, tha fillimisht Idrizi.

MERKATO

Administratori i Flamurtarit cilëson si surprizën më të madhe të merkatos së verës rikthimin e Alveshit. Ai vlerëson edhe afrimet e tjera, por edhe grupin që mbylli sezonin e kaluar dhe u rikonfirmua edhe në këtë sezon të ri. “Do të thosha se surpriza më e madhe e këtij kampionati ishte rikthimi i Danilo Alvesh. Me lojtarin hymë në diskutime në momentet e fundit, pasi mësuam se ai nuk dëshironte të vijonte më në Turqi.

Sinan Idrizi

Kishim vetëm një ditë kohë për të bërë federimin, por në fund arritëm që të mbyllnim gjithçka me sukses. Alvesh erdhi në Vlorë pasi na kishte premtuar se nëse do të kthehej në Shqipëri, zgjedhja e tij do të ishte Flamurtari. Po ashtu edhe lojtarët e tjerë që u afruan këtë verë janë zgjedhje të mira dhe besoj se do ta justifikojnë, ashtu sikundër konfirmuam edhe një pjesë të grupit të sezonit të shkuar, ata që ishin seriozë dhe respektonin fanellën. Në këto ndeshje të para unë jam i kënaqur me paraqitjen e ekipit, tani duhet të shikojmë vazhdimësinë”, vijoi administratori.

BUXHETI

1.2 milionë euro është buxheti i Flamurtarit për këtë sezon. Shifra e zbuluar nga “Panorama Sport” konfirmohet edhe nga Sinan Idrizi. Ky fond përfshin kontratat, pagat e lojtarëve dhe stafit teknik, si dhe sigurimet shoqërore, përfshi edhe dietat e udhëtimet në transferta. Sipas administratorit, këtë vit do të ketë edhe një buxhet investimesh.

idrizi

“Buxheti është ai që keni publikuar edhe ju. Por ndryshe nga e shkuara, këtë vit do të ketë edhe një buxhet tjetër për investimet. Janë disa investime që ne do të realizojmë. Por këto do t’i zbulojmë në një moment tjetër, në ditët në vijim”, përfundoi numri një i klubit të Flamurtarit.

 ERMAL SIKA

NDIQE LIVE "PANORAMA TV"